E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdari me përfaqësues të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës: Mbështetje për sipërmarrësit që vijnë në Tiranë

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari priti në një takim një përfaqësi të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i saj Besart Dreshaj.

Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe lehtësimit të procedurave administrative për sipërmarrësit kosovarë që operojnë në Qarkun e Tiranës. Prefekti Hajdari garantoi mbështetjen e institucioneve vendore për të përmirësuar klimën e biznesit, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të thjeshtëzuar dhe efikase në shërbimet administrative për bizneset.

“Bashkë, ne jemi një”, u shpreh Hajdari, duke nënvizuar lidhjet e forta historike, kulturore dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për zhvillimin e sipërmarrjes dhe rritjen e investimeve në rajon.

Takimi shërbeu gjithashtu si mundësi për shkëmbimin e eksperiencave mes sipërmarrësve kosovarë dhe institucioneve shqiptare, si dhe për identifikimin e sfidave që hasin bizneset në procesin e regjistrimit, licensimit dhe operimit në Shqipëri.

Prefekti Hajdari vuri theksin tek rëndësia e mbështetjes institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet qeverisë lokale dhe komunitetit të biznesit, duke garantuar se Qarku i Tiranës do të vazhdojë të ofrojë një ambient të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes.

Ky takim është në vazhdën e angazhimit të institucioneve shqiptare për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën dhe për të krijuar mundësi konkrete për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.

1 nga 3

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›