E Diel, 1 Nëntor 2026

Hagë: Nesër vendimi për Boshkovskin dhe Tarçullovskin

Tribunali i Hagës për krime lufte nesër do t’i shqiptojë aktgjykimet për ish-ministrin e brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski dhe bashkëpunëtorin e tij Johan Tarçullovski.

Gjyqtarët Kevin Parker dhe Kristine Van den Vingert dhe Krister Telin aktgjykimin do ta publikojnë në orën 14:15 në Sallën Gjyqësore I.

Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë ka kërkuar dënime me burg nga 12 dhe 15 vjet për Boshkovskin dhe Tarçullovskin, të cilët ngarkohen për vrasje të civilëve shqiptar gjatë një aksioni të gjërë policor dhe ushtarak në fshatin Luboten të Shkupit gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Sipas aktakuzës, më 12 gusht 2001 anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçulovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten gjatë të cilit vdiqën shtatë shqiptarë etnikë, së paku 14 shtëpive iu vu zjarri qëllimisht dhe më shumë se njëqind banorë të fshatit që ishin meshkuj shqiptarë, u arrestuan dhe u rrahën, poshtëruan dhe u keqtrajtuan psikologjikisht.

Gjithashtu pretendohet se në cilësinë si Ministër i Brendshëm i Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë Boshkoski dinte ose kishte arsye të dinte se vartësit e tij kishin kryer krime dhe ai si epror nuk mori masa të nevojshme dhe të arsyeshme për ndëshkimin e keqbërësve.

Gjykimi filloi më 16 prill 2007 ku Prokuroria përfundoi me procedimin e çështjes më 6 dhjetor 2007. Mbrojtja filloi më 30 janar 2008 dhe përfundoi më 18 mars 2008. Argumentet përmbyllëse u dëgjuan në datat 6-8 maj 2008.

Kjo është e vetmja çështje gjyqësore e Tribunalit në lidhje me konfliktin gjashtëmujor në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë .(INA) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›