Harta dhe rrugët e drogës në Tiranë
Policia ka identifikuar zonat ku shitet droga, pore ka jo të lehtë kapjen e shpërndarësve
Ja zonat ku shpërndahet kokaina dhe heroina në kryeqyet. Mënyra e shpërndarjes dhe çmimet
TIRANË- Antidroga identifikon zonat e shpërndarjes së drogës në Tiranë. Zyra e antidrogës pranë policisë së kryeqytetit disponon një hartë në të cilën janë rrethuar zonat më të nxehta për shitjen e lëndës narkotike; heroinë, kokainë,canabis-sativa.“Konistudio”, “Alliasi”, “Rruga e Kavajës”, “Bërryli”, “21 Dhjetori” “Zogu i Zi”, dhe “ish-Blloku” janë vendet më të frekuentuara nga shpërndarësit e drogës. Pavarësisht se policia ka mundur të identifikojë zonat ku shitet droga e ka jo pak të vështirë identifikimin dhe kapjen e shpërndarësve. Kjo për arsye se ata janë shumë të kujdesshëm dhe nuk përzihen me persona që nuk i njohin. Shitësit e drogës kanë klientët e tyre të cilëve ua japin dorazi sasinë e drogës ndërsa mbajnë shumë rezerva duke mos iu treguar atyre emrin e vërtetë.
Shpërndarësit
Furnizohen të trafikantët “grosistë” dhe më pas krijojnë lidhjet e tyre për të shitur drogën. Pasi marrin porosinë nga klientët, shpërndarësit sigurojnë lëndën narkotike dhe paraqiten në vendin e takimit i cili mund të ndryshohet herë pas here. Madje edhe kur takohen klienti e shpërndarësi, qëndrojnë vetëm për pak sekonda sa mjafton për shkëmbimin e mallit me paratë. Gjithmonë shitësit mbajnë shumë pak doza me vete, kjo për t’iu ruajtur antidrogës e cila në rast se i kontrollon i sekuestron një sasi të vogël droge, me të cilën shpërndarësit mund të justifikohet se e ka për përdorim vetjak. Pjesën tjetër të drogës e fshehin në vende të sigurta në banesat e tyre. Ndërkohë që për t’iu ruajtur ndjekjes së policisë, shpërndarësit kamuflojnë me qëndrimin dhe identitetin e tyre. Ata evitojnë njerëzit e panjohur, ndërsa klientët i thërrasin me pseudonime. Gjithashtu numrat e telefonit nuk i mbajnë gjatë në përdorim megjithëse në biseda telefonike flasin gjithnjë me kode.
Antidroga
Policia e ka mjaft të vështirë kapjen e shitësve të drogës, pasi ata dinë mirë të ruhen. Hetimi standard që policia kryen është ndjekja e përdoruesit të drogës. Dihet që ky i fundit do të takohet me shpërndarësin për të blerë drogën, duke çuar dhe policinë e cila e ka survejuar për një periudhë kohe të caktuar. Nuk janë të paktat rastet kur policia e Tiranës ka deklaruar zyrtarisht se ka bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të drogës në sajë të ndjekjes së përdoruesit. Është e pamundur të bindësh përdoruesin të tregojë shpërndarësin pasi ai thotë se nuk ia di emrin dhe se nuk e mban mend edhe nëse e sheh. Ndërkohë që në raste sporadike policia ka mundur të zbulojë rrjete droge duke përdorur metoda të tjera hetimi. Gjithashtu nuk janë të pakta rastet kur policia ka goditur trafikantë droge me anë të agjentit të infiltruar.
Drogat
Marijuanë, heroinë e më pas kokaina, janë drogat që shpërndahen në kryeqytet. Në tregun e drogës kryeson Marjuana e cila shitet më tepër në kryeqytet për t’u pasuar me heroinën, ndërsa më pak shitet “droga e bosave” siç quhet ndryshe kokaina. E shtrenjtë dhe droga që nuk krijon varësi, pëlqehet më shuma nga personat “Vip” të pasur të cilët janë konsumatorët e kokainës. Por pavarësisht kësaj, kjo nuk e ka ndihmuar policinë të zbulojë trafikantët e kësaj droge duke i cilësuar goditje të rralla të për antidrogën. Në fakt vetëm pak ditë më parë, policia e Tiranës ndaloi pranë fakultetit të Drejtësisë dy persona të cilët posedonin një sasi prej 325 gramë drogë e llojit kokainë.
Mbi 6 mijë përdorues droge në Tiranë
Janë mbi 6 mijë përdorues drogë në Tiranë. Marjuana dhe heroina ka çuar në 6 mijë konsumatorët. Megjithëse në kryeqytet ka qendra rehabilitimi për përdoruesit e lëndëve narkotike kjo gjë nuk ka ndikuar në uljen e përdoruesve madje numri i tyre është shtuar vitin e fundit. Një pjesë e mirë e përdoruesve lëvizin në lagjen “Kinostudio” e “Allias” ku blejnë dhe heroinën apo Marijuanën. Burimet policore thanë se mosha e përdoruesve të drogës është 17-30 vjeç. Ndërkohë që në radhët e përdoruesve të drogës ka edhe femra, numri i të cilave është mjaft i vogël.
Çmimet
Një gram kokainë që shitet më së shumti gjatë fundjavave kushton nga 80 deri 120 mijë lekë të vjetra. Për shkak të çmimit të lartë kokaina është droga e të pasurve dhe tregu i saj është i kufizuar. Edhe kapja e shpërndarësve të saj është më e vështirë për shkak të ruajtjes dhe kujdesit si të shpërndarësve dhe të përdoruesve. Ndërsa një gram heroinë në Tiranë shitet për 25 mijë lekë të vjetra.
Marijuana shitet nëpërgjimnaze
“Alliasi” dhe “Kinostudio” janë zonat më të nxehta në hartën e drogës në Tiranë. Në këto zona sipas policisë shpërndahet më shumë droga pavarësisht se përdoruesit vijnë nga zona të tjera. Gjithashtu marijuanë e heroinë shpërndahen edhe në Pub-e si dhe në shkollat e mesme të Tiranës. Jo pak herë policia ka arrestuar shpërndarës droge pranë shkollave të mesme në kryeqytet. Madje disa kohë më parë policia ngriti shërbime pranë këtyre shkollave me moton “Larg drogës nga shkolla”. Burimet policore thanë se gjimnazistët përdorinmarjuanën gjë e cila sjell dhe shpërndarësit e kësaj droge disa metra larg gjimnazit. Të njëjtat burime shtuan se përdoruesve ua mban “xhepi” blerjen e drogës pasi një qese Marjuanë kushton 5 mijë lekë të vjetra, ndërsa një dozë heroinë shkon deri në 10 mijë lekë të vjetra. E shtrenjtë dhe e papërballueshme është kokaina për shtresat e mesme e cila varion nga 70 deri në 100 mijë lekë të vjetra doza.
Kapen 324 gram kokainë pranë Juridikut
Vetëm pesë ditë më parë, antidroga e policisë së Tiranës çoi në qeli një furnitor dhe një korrier të kokainës. Antidroga e policisë së kryeqytetit organizoi një operacion të koduar “Emigranti” i cili u finalizua me sekuestrimin e një sasie prej 324.3 gramë drogë e dyshuar kokainë si dhe me arrestimin e dy personave. Artan Lluri 40-vjeç dhe Edmond Stefani, 31-vjeç u prangosën pasi dyshohet se ishin pronarë të kokainës së sekuestruar nga policia. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se dy personat u kapën në afërsi të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë gjatë orëve të vona të së mërkurës javën e kaluar, me një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë. Dy muaj më parë, agjentët e antidrogës pranë policisë së Tiranës në rrugë operative siguruan informacione për trafik kokaine në kryeqytet duke disponuar dhe emrat e shpërndarësve të dyshuar. Menjëherë antidroga nisi hetimet për të kryer kapjen në flagrancë të trafikantëve. Kështu pas dy muaj hetime intensive, policia ndërmori një operacion për kapjen e shpërndarësve të drogës. Burime nga policia thanë se Pranë fakultetit të Drejtësisë në kryeqytet, u bë e mundur prangosja e Llurit dhe Stefanit të cilët u shoqëruan menjëherë në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku dhe u morën në pyetje. Nga hetimet e para policia bëri me dije se droga e dyshuar e llojit kokainë sigurohej jashtë shtetit nga Artan Lluri e cila kishte destinacion tregun e Tiranës gjë e cila bëhej e mundur nga Edmond Stefani. Në cilësinë e provës materiale, gjatë një kontrolli të imtësishëm që iu ushtrua të arrestuarve u sekuestruan sasia prej 324.3 gram lëndë e dyshuar Kokainë, dy peshore elektronike, tre pasaporta në emër të shtetasit Artan Lluri, (dy prej të cilave Shqiptare dhe një pasaportë Bullgare). Gjithashtu atyre iu sekuestrua dhe shumat e parave prej 155 000 euro, 10 800 dollarë e 92 000 lekë, një makinë tip-Mercedez në pronësi të shtetasit Artan Lluri si dhe dy aparate celularë.
Zonat ku shihet drogë
“Allias”
“Kinostudio”
“Rruga e Kavajës”,
“Bërryli”,
“21 Dhjetori”
“Zogu i Zi”,
“ish-Blloku”
“Ura e Vasil Shantos”
“Kombinat”