E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni PDSH-LDK në Kosovë, sherr për ambasadorët



Dy partitë më herët rivale, tashmë pjesë e koalicionit qeverisës LDK dhe PDK janë bërë pjesë e luftës për poste. Partia e presidentit Fatmir Sejdiu dhe ajo e kryeministrit Hashim Thaçi i janë rikthyer padashje rivalitetit të vjetër duke lënë peng procesin e emërimeve të ambasadorëve, në kohën kur Kosova si shtet i ri po krijon institucionet kryesore. Gazeta kosovare “Koha Ditore” njoftoi se dy partitë nuk duan të heqin dorë nga misionet më të rëndësishme. Burime pranë qeverisë kanë bërë të ditur se Lidhjes Demokratike të Kosovës e kryesuar nga Sejdiu, që ndan pushtetin me PDK-në, do t’i lihet në dorë emërimi i ambasadorëve në Uashington dhe Londër, ndërsa PDK-së së Thaçit, misionet në vendet e tjera të BE-së. Me këtë rast, PDK-ja ka kërkuar që “marrëveshja” të rishikohet dhe PDK që ka pjesën më të madhe të deputetëve në Kuvend, të marrë edhe këto poste të rëndësishme. Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, në tryezën e presidentit të Kosovës ende nuk kanë mbërritur propozimet për shefat e misioneve në vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, media kosovare thekson se rivaliteti mes dy forcave politike është rritur tej mase dhe se kryeministri Thaçi tashmë është nën presion edhe për emërimin e zyrtarëve të tjerë të lartë në postet e rëndësishme të qeverisë, pasi LDK-ja kërkon ende “pjesën” e saj. Peng në këtë vend po mbahet edhe emërimi i shefit të Forcës së Sigurisë në Kosovë, post për të cilin janë në garë disa emra të Partisë Demokratike të Kosovës. Gazeta “Express”, duke cituar burime pranë qeverisë, tha se kryebashkiaku i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ishte mes emrave të kandidatëve për këtë post, por ai vetë e ka hedhur poshtë një gjë të tillë. “Ka pasur spekulime, përfundimisht nuk jam kandidat për këtë post. Unë do të përfundoj mandatin tim si kryebashkiak i Mitrovicës”, - ka bërë të ditur Rexhepi. Në listën e propozimeve për këtë post është edhe një prej themeluesve të UÇK-së, Azem Syla, megjithatë gazeta ‘Express” ka theksuar se “emri i shefit të Forcës së Sigurisë ende nuk dihet me siguri dhe ka shumë mundësi të jetë një surprizë”.

Lavrov: “Pavarësia e Kosovës, problem”

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov është takuar dje me homologun e tij serb Vuk Jeremiç me të cilin ka biseduar rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës duke e konsideruar atë si një problem për vetë Kosovën dhe rajonin. “Rreth çështjes së Kosovës, ne kemi deklaruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë në territorin serb, krijon problem brenda dhe jashtë Kosovës”-tha Lavrov, sipas të cilit Rusia është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Serbinë në të gjithë fushat. Me këtë rast kryediplomati rus përsëriti qëndrimin për rifillimin e negociatave Kosovë - Serbi. “Propozimi rus i bërë më herët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për nevojën e rifillimit të negociatave të drejtpërdrejta midis Beogradit e Prishtinës mbetet plotësisht i vlefshëm”-, tha Lavrov. Në bisedimet e djeshme ka marrë pjesë edhe ambasadori rus në OKB, Vitalij Çurkin.

Ahmeti: “Do zgjidhim problemet e shqiptarëve të Maqedonisë”

Lideri i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tashmë pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, ka deklaruar se pjesëmarrja në qeverinë e re do të shërbejë për të zgjidhur gjithë problemet e papërfunduara të shqiptarëve në vend. Këto çështje, sipas Ali Ahmetit janë gjuha shqipe e cila duhet të lejohet të përdoret në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë dhe marrëveshjen e Ohrit. Çështje tjetër e pazgjidhur është ajo e statusit të njerëzve të dëmtuar nga lufta e vitit 2001, duke u bazuar në ligjet e vendit, si dhe shumë çështje që lidhen me ekonominë dhe infrastrukturën, nga do përfitojnë edhe shqiparët. Në politikën e jashtme, Ahmeti tha se partia e tij ka rënë dakord me partinë e Gruevskit për të ndjekur një politikë të përbashkët, duke dhënë kontribut konstruktiv dhe për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për njohjen sa më parë të pavarësisë së Kosovës. Sipas Ahmetit njohja e pavarësisë së Kosovës është një proces i pashmangshëm dhe se Maqedonia do të ecë në të njëjtën linjë si SHBA-të dhe vendet me influencë të BE-së. “Njohja e Kosovës është thjesht çështje kohe, dhe pengesat nga Shkupi janë vetëm për arsye teknike”,-është shprehur Ali Ahmeti.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›