Beogradi kthen ambasadorët në vendet që e kanë njohur Kosovën
“Beogradi së shpejti mund t’i kthejë ambasadorët në 20 shtete në të cilat Serbia ka përfaqësi diplomatike, të cilët i kishte tërhequr pasi ato vende kishin njohur pavarësinë e Kosovës”, shkruan gazeta “International Herald Tribune”, sipas së cilës Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka bërë të ditur se kjo është pasqyrë e qasjes konstruktive në marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të. “Dy qëllimet kryesore të qeverisë janë integrimi i Serbisë në BE dhe vazhdimi i luftës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetin tonë”,- ka thënë Jeremiç, duke shtuar se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha palët, duke përfshirë zyrtarët kosovarë për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Gazeta më tej thekson se, ndonëse dukej se toni i Beogradit sa i përket çështjes së Kosovës është më i moderuar, Jeremiç qartë thotë se politika e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
Qeveria serbe udhëzon anulimin e vulave "Republika e Kosovës"
Ministria e Punëve të Brendshme serbe është udhëzuar nga qeveria
që shtetasve të huaj të cilëve në dokumentet e udhëtimt në vend të vulës së administratës së UNMIK-ut gjendet vula “Republika e Kosovës”, para dhënies së lejes për hyrje në Serbi të anulojë vulën dhe të vërtetojë pasaportën me vulën “Republika e Serbisë”.
Ky vendim është sjellë në mbledhjen e qeverisë së Serbisë për shkak se në muajin e kaluar në Kosovë ka filluar vërtetimi i pasaportave me vulën “Republika e Kosovës”. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, në fund të qershorit në Aeroprtin e Prishtinës me vulën “Republika e Kosovës”, ka vërtetuar pasaportën e parë duke paralajmëruar kështu fillimin e vërtetimit të pasaportave në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.
Shkup, opozita largohet nga Parlamenti
Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) është larguar dje nga Parlamenti, pas arrestimit të nënkryetarit të saj Zoran Zaev njëkohësisht kryetar i Strumicës nën akuzat për korrupsion. “Deshët pushtet absolut, do ta keni”,- tha dje kryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska, duke bërë të ditur vendimin që mori partia e saj duke braktisur më pas seancën. Partia Socialdemokrate tha se arrestimi i Zoran Zaevit ishte i motivuar politikisht nga qeveria aktuale.
Socialdemokratët pësuan humbje të thellë në zgjedhjet e parakoshshme të 1 qershorit.
18 Korrik 2008