Pirdeni për ATSH: Brenda më pak se 18 muajve synojmë të mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në

TIRANË, 9 korrik /ATSH-Gjergji Mima/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se Shqipëria synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian brenda më pak se 18 muajsh, duke theksuar se institucionet janë të angazhuara në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit.
Duke iu përgjigjur interesimit të ATSH-së, në konferencën e sotme për shtyp, lidhur me ecurinë e negociatave me BE-në, ministrja Pirdeni u shpreh se procesi kërkon vëmendje të veçantë në disa fusha që paraqesin kompleksitet më të lartë dhe kërkojnë kapacitete të shtuara financiare, njerëzore dhe institucionale.
Sipas saj, Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm në disa sektorë, ndërsa në fusha të tjera po punohet për forcimin e kuadrit ligjor, rritjen e kapaciteteve administrative dhe garantimin e zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Pirdeni bëri të ditur se, menjëherë pas marrjes së pozicioneve negociuese nga vendet anëtare të BE-së, të gjitha ministritë dhe institucionet kanë hartuar plane pune të detajuara për përmbushjen e detyrimeve dhe të piketave mbyllëse të kapitujve të negociatave.
Ajo nënvizoi se procesi ka dinamikat dhe kompleksitetin e vet, duke veçuar si fusha më sfiduese mjedisin dhe sigurinë ushqimore.
“Në fushën e mjedisit është e nevojshme që Shqipëria të demonstrojë jo vetëm përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha zbatimin e tyre në praktikë. Edhe fusha e sigurisë ushqimore ka një rëndësi të veçantë për të garantuar që Shqipëria të jetë në lartësinë e kërkesave për t’u bërë pjesë e tregut evropian”, tha ministrja.
Pirdeni theksoi se për çdo kapitull negociues është e domosdoshme të dëshmohet progres i vazhdueshëm, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe të drejtat themelore.
Ajo vlerësoi se Shqipëria ka krijuar një perceptim pozitiv te partnerët evropianë, duke dëshmuar se është e gatshme të marrë përsipër detyrimet që kanë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Sot ne po përafrojmë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, shpeshherë në të njëjtën kohë me vetë vendet anëtare. Direktiva të viteve 2024 dhe 2025 janë tashmë pjesë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë. Kjo do të thotë se ne po ecim me një ritëm të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Pirdeni.
Sipas saj, institucionet shqiptare kanë një plan të qartë për adresimin e sfidave të procesit të negociatave, ndërsa puna vijon në të gjithë kapitujt negociues.
“Fokusi ynë është i gjithanshëm dhe për këtë arsye, mendojmë se gjatë periudhës që na mbetet, më pak se 18 muaj, do të jemi në gjendje t’i mbyllim kapitujt e negociatave një nga një, për të garantuar më pas nisjen e procesit formal të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Pirdeni. /j.p/r.e/