E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxhalli: Reformë në modelin e financimit të RTSH-së, në fokus pavarësia dhe qëndrueshmëria

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli, prezantoi sot raportin vjetor të punës para Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, duke theksuar nisjen e një reforme të thellë dhe gjithëpërfshirëse në transmetuesin publik.

Hoxhalli bëri të ditur se RTSH ka ndërmarrë hapa konkretë për rimodelimin e institucionit sipas standardeve më të mira evropiane, me mbështetjen e European Broadcasting Union (EBU).

“Reforma parashikon një model të ri financimi, indeksimin e tarifës së aparatit televiziv, rishikimin e përqindjes për agjentët mbledhës, si dhe riorganizimin e strukturës dhe portofolit programor”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, theksoi se, “element themelor është një model i ri financimi i RTSH-së, që media publike të jetë e pavarur dhe e qëndrueshme. Financimi i saj duhet të garantojë autonomi nga ndikimet e papërshtatshme, transparencë në përdorimin e fondeve dhe indeksim të tarifës së aparatit televiziv, i cili është i pandryshuar që nga viti 2011”.

“Vetëm një ndryshim i guximshëm dhe gjithëpërfshirës do të na mundësojë të përgjigjemi ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare”, u shpreh Hoxhalli, teksa njoftoi se në nëntor pritet të mbërrijë misioni i parë teknik i ekspertëve të EBU-së, për të ndihmuar në hartimin e një plani konkret veprimi.

Hoxhalli, theksoi se do të rishikohet përqindja që i jepet agjentit mbledhës të tarifës së aparatit televiziv, aktualisht OSHEE, si dhe do të shqyrtohen forma alternative financimi për të garantuar pavarësinë ekonomike të transmetuesit publik.

Ndërsa reforma do të prekë strukturën e brendshme të institucionit, përmes rikonceptimit të organigramës, numrit të punonjësve dhe flukseve të punës.

“Gjithashtu, modeli i ri parashikon rihartimin e portofolit programor, duke reduktuar numrin e kanaleve televizive nga 16 aktualisht dhe duke integruar televizionin, radion dhe platformën online në një produkt mediatik të unifikuar që aktualisht mbulon 95% të territorit dhe 80% të popullatës”, u shpreh Hoxholli.

Ai vuri në dukje se në qendër të këtij procesi transformimi është teknologjia.

Një aspekt kyç i procesit të transformimit është kalimi në një arkitekturë të plotë “ALL IP”, e cila do të mundësojë një teknologji më të avancuar dhe një sistem të integruar që do të rrisë cilësinë e shërbimeve të RTSH-së.

Hoxhalli theksoi se rrjeti i transmetimit të RTSH-së ka ruajtur një shkallë disponueshmërie sinjali prej 99,92%, duke garantuar ndjekjen pa ndërprerje të ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare një tregues ky i qëndrueshmërisë teknike dhe besueshmërisë së institucionit.

Ndërkohë Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili tha se, në fokus të programacionit të ri, janë fëmijët dhe të rinjtë, veçanërisht grupmosha 10–14 vjeç.

“RTSH ka parashikuar transmetimin e programeve të reja në disa kanale: RTSH 1, RTSH 2 dhe RTSH Fëmijë. Gjithashtu, po zhvillohen negociata me Ministrinë e Arsimit për përmbajtjen e RTSH Shkollë. Jemi në diskutime për një kontratë të re që do të sjellë përmbajtje të re dhe të përshtatur për nevojat arsimore,” u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.

/e.xh//r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›