E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar përshëndet marrëveshjen e paqes në Gaza

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar përshëndeti nënshkrimin e dokumentit për armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës gjatë një ceremonie në Egjipt.

“Dje në Sharm el‑Sheikh u finalizua një marrëveshje historike që mbështet planin e paqes të propozuar nga Presidenti Donald Trump, e cilësuar nga shumë si një gur kilometrik drejt stabilitetit në rajon. Marrëveshja është firmosur nga katër liderë kryesorë, mes tyre Trump si iniciator – dhe përfshin përkushtime për ndalim të përleshjeve dhe për fillimin e procesit të ndërmjetësimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të QBNF.

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar thekson se “ky akt nënvizoi përpjekjen ndërkombëtare për ta bërë realitet paqen, dhe thekson se ky status nuk është thjesht një dokument simbolik, por reflektim i lidershipit aktiv dhe vizionar të një prej palëve kryesore në proces”.

“Ne lutemi që ky dokument të mos mbetet vetëm fjalë, por të jetë themeli i një epoke të re. Dhe veçanërisht, që roli i Presidentit Trump, i cili vendosi këtë marrëveshje në qendër të dialogut ndërkombëtar, të njihet si një kontribut historik për ndërtimin e së ardhmes”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ndërmjetësit e tjerë nënshkruan dje dokumentin për armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës gjatë një ceremonie në Egjipt. Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit islamist për armëpushimin në Rripin e Gazës është vulosur zyrtarisht nga shtetet ndërmjetëse në një ceremoni në Egjipt.

Liderët e shteteve të SHBA-së, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët në Sharm el-Sheikh, e cila  synon të konsolidojë armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit .

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›