E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Eksportet u rritën me 2,8% në maj

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Eksportet e mallrave gjatë muajit maj arritën vlerën e 32,7 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 2,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa importet u rritën me 4,1%, në 80,9 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në rritjen vjetore të eksporteve ndikimin më të madh pozitiv e dha grupi “Ushqime, pije, duhan”, me 3,3 pikë përqindje, i ndjekur nga “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2,2 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1,1 pikë përqindje. Në kahun tjetër, grupi “Tekstile dhe këpucë” ndikoi negativisht me 4,3 pikë përqindje.

Sa i takon importeve, rritja u mbështet kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me kontribut prej 3,2 pikë përqindje, si dhe nga “Ushqime, pije, duhan” dhe “Produkte kimike dhe plastike”. Ndërkohë, grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi ndikimin më të madh negativ.

Të dhënat tregojnë se eksportet shqiptare drejt Kosovës dhe Greqisë shënuan rritje gjatë muajit maj, ndërsa eksportet drejt Italisë dhe Gjermanisë pësuan rënie.

Nga ana tjetër, importet u rritën ndjeshëm nga Italia dhe Kina, ndërsa u ulën me Gjermaninë dhe Spanjën.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, duke zënë 56,5% të tregtisë totale. Gjatë muajit maj, 66,1% e eksporteve shqiptare u drejtuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa 52,6% e importeve erdhën nga këto vende.

INSTAT bën të ditur se, deficiti tregtar për muajin maj arriti në 48,2 miliardë lekë, me një rritje prej 5,1% krahasuar me majin e vitit 2025 dhe 9,3% krahasuar me muajin prill të këtij viti.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›