Inflacioni sipas standardeve të BE-së, 3,3% në maj

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Instituti i Statistikave (INSTAT) bëri të ditur sot se për muajin maj 2026, inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) sipas metodologjisë së Eurostat, arriti në 3,3%.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja më e madhe vjetore e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 7,3%, pasuar nga “Pije alkolike dhe duhan” me 4,8%, “Transporti” me 4,2%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,0% dhe “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,9%.
Rritje mbi nivelin e inflacionit shënuan gjithashtu grupet “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 3,4% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,3%.
Ndërkohë, çmimet e “Shërbimit arsimor” u rritën me 2,6%, të “Mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së shtëpisë” me 1,9%, të “Shëndetit” me 1,5% dhe të grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 1,3%.
Në maj 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0,2%, krahasuar me muajin e mëparshëm.
Ndikimin kryesor në rritjen mujore e dhanë grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 1,8%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 1,0%, “Shëndeti” me 0,9% dhe “Pije alkolike dhe duhan” me 0,7%.
Ndërsa me rënie mujore të çmimeve rezultojnë grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3% dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,1%.
/e.xh/j.p/r.e/