E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Vizitorët në strukturat akomoduese u rritën me 19,7% në prill

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në Shqipëri gjatë muajit prill 2026 shënoi një rritje prej 19,7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke reflektuar vijimin e tendencës pozitive të turizmit në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 12,9%, ndërsa ata jorezidentë me 22,6%, duke konfirmuar interesin në rritje të turistëve të huaj për Shqipërinë.

Trend pozitiv ka shënuar edhe treguesi i netqëndrimeve në strukturat akomoduese.

Në total ato u shtuan me 5,6%, ndërsa netqëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 3,9% dhe ato të vizitorëve jorezidentë me 6,3%.

Të dhënat tregojnë se shumica e turistëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri gjatë prillit vinin nga Italia, me 23% të totalit të vizitorëve jorezidentë. Kosova renditet e dyta me 13%, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 8%. Gjermania dhe Franca përbënin përkatësisht 8% dhe 6% të vizitorëve të huaj, ndërsa 42% e tyre vinin nga vende të tjera.

Sipas rajoneve, rritja më e fortë e turistëve të huaj u regjistrua në rajonin e Veriut, ku numri i vizitorëve u rrit nga 26.656, në 48.044. Rajoni Qendër vijon të mbetet destinacioni me numrin më të lartë të turistëve të huaj, me 101.481 vizitorë gjatë muajit prill.

Në zonat bregdetare u akomoduan 86.462 vizitorë jorezidentë, kundrejt 67.930 një vit më parë, ndërsa në zonat jo-bregdetare numri i tyre arriti në 96.992.

Hotelet dhe strukturat e ngjashme mbeten forma kryesore e akomodimit, duke pritur 239.081 vizitorë gjithsej gjatë muajit prill, nga 198.127 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele u regjistrua në nivelin 22,4%, duke mbetur e pandryshuar krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›