E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH-ja prezanton udhëzuesit e parë klinikë

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në bashkepunim me Qendrën Kombëtare të Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore kanë hartuar tashmë udhezuësit e parë klinikë për mjekët. Në takimin e organizuar sot nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit, u prezantuan 5 udhëzuesit e parë që kanë të bëjnë me sëmundje shumë të përhapura.

1.Hipertensioni

2. Aksidentet vaskulare celebrale

3. Diabeti Tipi 2

4.Anemia ne insuficencen renale kronike

5. Udhezuesi per mjeket e familjes. (Ne kete te fundit perfshihen 8 diagnoza qe janë: Pneumonia te adultet, astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, urtikaria, angioedema, semundjet seksualisht te transmetueshme, insuficenca e zemrës, anemitë)

Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, për herë të parë dalin në Shqipëri pesë udhëzues të mirëfilltë për pesë diagnoza nga më të rëndësishmet dhe që kanë edhe barrën më të madhe të shpenzimeve në skemën e rimbursimit. Sipas saj, udhërrëfyes të tillë të mirëfilltë që i afrohen fare mirë standarteve evropiane ka 18 vjet që priten dhe këto janë shumë të rëndësishme edhe për mirëfunksionimin e skemës.

Një tjetër ndihmë e këtyre udhëzuesve lidhet me përllogaritjen e kostove. “Edhe pse në shëndetësi kosto nuk është saktësisht e parashikueshme sepse varet nga luhatja e sëmundshmërisë, vendosja e këtyre udhëzuesve do të na ndihmojë gjithashtu në këtë drejtim”, u shpreh znj. Hana.

Ndërsa prof.dr. Isuf Kalo e ka cilësuar një prurje në dobi të pacientit. “Nuk duhet t’i besojmë tërësisht saktësinë e kujdesit mjekësor verbërisht zotësisë së mjekut, se ka një diplomë dhe një ekperiencë, po të krijojmë një ekperiencë kolektive të grupit, të një specialiteti të caktuar, të cilët bien dakort mbi disa parime, mbi disa mënyra sesi do ta zbatojnë këtë kujdes mjekësor”- tha ai.

I pyetur me domosdoshmërinë ose jo të zbatimit të këtyre udhëzuesve, z. Kalo tha se në parim mjeku duhet t’i qëndrojë kësaj, sepse është një rekomandim kolektiv i bazuar nga eksperienca dhe evidenca, por nuk është urdhër, sepse mjeku përsëri do të zbatojë shkencën mjekësore sipas rastit konkret. Por në rast se ai devijon nga kjo ai duhet të japë disa argumente pse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›