ITALI – AIAC-ja kërkon pezullimin e Izraelit në sport lidhur me luftën në Gaza

FIRENCE, 20 gusht /ATSH/ – Shoqata Italiane e Trajnerëve të Futbollit (AIAC) po kërkon pezullimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare për shkak të luftës në Gaza, sipas “AP”- së.
Para ndeshjeve vendimtare të Italisë për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Izraelit gjatë dy muajve të ardhshëm, AIAC -ja thotë se “Izraeli duhet të ndalet. Futbolli gjithashtu duhet të veprojë”.
AIAC –ja ka dërguar një letër zyrtare te federata italiane e futbollit, e cila do t’i përcillet organeve drejtuese të futbollit europian dhe botëror, duke kërkuar pezullimin e Izraelit.
“Bordi Drejtues i AIAC-së beson unanimisht se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, që kanë sjellë edhe qindra viktima midis menaxherëve, trajnerëve dhe sportistëve është legjitime, e nevojshme, madje një detyrë, që të vendoset në qendër të diskutimeve të federatës kërkesa për të paraqitur te UEFA dhe FIFA për përjashtimin e përkohshëm të Izraelit nga garat sportive”, përfundon letra.
Italia do të luajë kundër Izraelit në një fushë neutrale, në Debrecen, Hungari më 8 shtator, para se të presë ndeshjen e kthimit në Udine më 14 tetor.
“Ne mund të përqendrohemi vetëm te loja, duke bërë sikur nuk shohim. Por besojmë se kjo nuk është e drejtë”, tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Giancarlo Camolese.
“Bota është në flakë. Shumë njerëz si palestinezët po vuajnë”, tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Francesco Perondi. “Indiferenca është e papranueshme”, përfundoi ai./ Ad.Ab./