SHBA – Trump kërkon dorëheqjen e zyrtares së Rezervës Federale pas akuzave për mashtrim me hipotekat

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është përpjekur të ndikojë në përbërjen e bordit të guvernatorëve të Rezervës Federale.
Presidenti Trump i bëri thirrje sot guvernatores së Rezervës Federale, Lisa Cook, të japë dorëheqjen, pasi një anëtar i administratës së tij e akuzoi atë për mashtrim me kreditë hipotekare.
“Cook duhet të japë dorëheqjen, tani!!!” shkroi ai në platformën e tij “Truth Social”.
Për muaj të tërë, Trump ka ushtruar presion mbi bankën qendrore të pavarur të SHBA-së për të ulur normat e interesit.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, ka qenë një objektiv i shpeshtë i kritikave të presidentit Trump.
Presidenti amerikan fajësoi dje sërish Powell për problemet në tregun e banesave.
Ekonomistët argumentojnë se ulja e normës së interesit mund të nxisë inflacionin, veçanërisht pasi efektet e politikave tregtare të Trump mbeten të pasigurta.
Pavarësisht portretizimit të Trump, vendimi për normat e interesit nuk merret vetëm nga Powell, por nga Komiteti Federal i Tregut të Hapur, pjesë e të cilit është bordi i Rezervës Federale.
Një ulje e normës tani duket e mundur në takimin e ardhshëm në shtator.
Gjatë vendimit të fundit, i cili i la normat e pandryshuara, pati dy vota kundër brenda komitetit – një ngjarje e rrallë.
Pas dorëheqjes së mëparshme të anëtares së bordit të Rezervës Federale, Adriana Kugler, Trump emëroi këshilltarin e tij ekonomik, Stephen Miran, si zëvendësues të përkohshëm. //a.i/