ITALI – Një familje shqiptare shuhet pas helmimit me monoksid karboni

ROMË, 5 shkurt /ATSH-ANSA/ – Katër persona vdiqën nga helmimi me monoksid karboni në një shtëpi në zonën e Luccas.
Sipas burimeve shëndetësore, bëhet fjalë për një familje të tërë. Një person i pestë u dërgua në spitalin ”Cisanello” në Piza, me kod të kuq emergjence, dhe sipas Autoritetit Lokal Shëndetësor, pritet që ai të mbijetojë.
Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, punëtor krahu; gruaja e tij Jonida, 43 vjeç, shtëpiake; djali i tyre Hajdari, 22 vjeç, elektricist; dhe vajza e tyre Xhesika, 15 vjeç, studente.
Në Itali, helmimi nga monoksidi i karbonit shkakton deri në 600 vdekje çdo vit.
Alarmi u dha nga një i afërm pas orës 20:00, i cili u përpoq t’i kontaktonte, por ata nuk u përgjigjën.
“Kur më njoftuan, nuk mund ta besoja. Është një ngjarje tronditëse për të gjithë komunitetin tonë”, komentoi kryetari i Bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari.
“Mbrëmë, më 4 shkurt, një tragjedi e tmerrshme ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë, familja Kola, humbi jetën në shtëpi, me shumë mundësi për shkak të monoksidit të karbonit të lëshuar nga kazani, dhe hetimet e mëtejshme do të hedhin dritë mbi këtë çështje. Babai, Arti, dhe nëna, Jonida, me dy fëmijët e tyre, Hajdarin, 22 vjeç, dhe Xhesikën, 15 vjeçe”, shkroi Fornaciari në Facebook.
“Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi gjithashtu në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim shpirtëror për këtë humbje të rëndë që ka goditur Porcarin. U prehshin në paqe, të gjithë së bashku”, përfundon ai./ a.jor.