E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: FMN dhe BB e rendisin rritjen e ekonomisë shqiptare ndër më të shpejtat në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj kundërshtoi sot në Kuvend vlerësimet e deputetit të Partisë Demokratike, Enno Bozdo, lidhur me situatën ekonomike në vend, duke theksuar se treguesit ekonomikë dëshmojnë përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme.

Gjatë debatit, Bozdo u shpreh se të ardhurat për frymë në Shqipëri mbeten rreth 10 mijë euro në vit, ndërsa ngriti shqetësime për reformat strukturore, sistemin e pensioneve dhe mbulimin e ndihmës ekonomike.

Në përgjigje, Ibrahimaj tha se krahasimi i treguesve shqiptarë me mesataren e Bashkimit Evropian tregon se vendi ka ende rrugë për të bërë, por theksoi se analiza ekonomike duhet të marrë në konsideratë edhe ecurinë e këtyre treguesve ndër vite.

Sipas saj, Shqipëria ka shënuar progres në procesin e konvergjencës me ekonomitë evropiane, ndërsa përmendi edhe mbështetjen që vendet kandidate marrin përmes Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, të lidhur me zbatimin e reformave.

“Kjo është arsyeja pse BE vendos që në buxhetin e tyre të vendosin një buxhet specifik, i cili quhet Growth Plan, pra një plan i lidhur me rritjen e buxhetit që vendet kandidate marrin në bazë të reformave që ato aplikojnë”, tha ajo.

Duke folur për pensionet, ministrja u shpreh se qeveria është e vetëdijshme për nevojën e rritjes së tyre, por kundërshtoi pretendimin se indeksimi nuk zbatohet.

Ajo sqaroi se indeksimi kryhet çdo vit mbi bazën e inflacionit të llogaritur nga INSTAT për pensionistët dhe zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

“Çdo vit INSTAT kalkulon indeksin e inflacionit për pensionet, pra rritjen e çmimeve për pensionistët, që kalkulohet në bazë të një shporte të veçantë dhe ajo është baza dhe ai është indeksi që përdoret nga ISSH me qëllim indeksimin e bazës së pensioneve çdo vit”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se rritja e pagave dhe pensioneve duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit ekonomik dhe përmes rritjes së borxhit publik.

Duke iu referuar shembullit të Malit të Zi, ajo tha se rritja e shpejtë e pagave dhe pensioneve është shoqëruar edhe me rritje të borxhit.

“A do të donim ne të rrisnim pensionet më shumë, pagat më shpejt? Sigurisht do të donim, por pagat duhet t’i rrisim duke marrë parasysh rritjen e produktivitetit dhe shembulli që dhatë i Malit të Zi është një shembull që jo domosdoshmërisht është pozitiv, pasi Mali i Zi vërtet rriti pagat dhe pensionet në mënyrë shumë agresive, por nga ana tjetër rriti edhe borxhin, rriti edhe borxhin në po atë mënyrë agresive”, u shpreh ministrja.

Ministrja deklaroi gjithashtu se treguesit zyrtarë dhe vlerësimet ndërkombëtare tregojnë ulje të varfërisë, rritje të numrit të kontribuuesve në skemën e pensioneve dhe përmirësim të situatës ekonomike krahasuar me vitin 2013.

Sipas saj, ekonomia shqiptare vijon të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon, duke iu referuar vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“Ne pranojmë që ka gjëra për t’u bërë më shumë për pagat, pensionistët, PBB-në, por a është më mirë se ka qenë më parë? Është pa dyshim më mirë se ka qenë më parë. A është Shqipëria ekonomia që rritet më shpejt se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor? Nuk e them unë, e thotë FMN, e thotë BB”, deklaroi ministrja.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›