Investimi në Zvërnec, Koçiu: Motor për ekonominë, model i pranishëm në çdo vend të Mesdheut

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se investimi prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec nuk është një projekt i mbyllur apo i izoluar, por një mundësi që do të krijojë vende pune, do të rrisë ekonominë, do të përmirësojë standardet e turizmit dhe do të stimulojë investime të tjera zinxhir në të gjithë vendin.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu solli në vëmendje modele të zhvillimit të turizmit në vende fqinje dhe në Turqi, ku turizmi është shndërruar në motorin e zhvillimit ekonomik.
“Shpesh vizitojmë vendet fqinje dhe habitemi me cilësinë e shërbimit, fuqinë e industrisë së turizmit dhe transformimin ekonomik të tyre përmes turizmit. Turqia është njëri prej këtyre shembujve më domethënës. Ky model është sot i pranishëm në çdo vend të Mesdheut: në Mal të Zi, Kroaci apo Greqi, e në çdo vend tjetër që e ka turizmin motorin e zhvillimit ekonomik”, tha Koçiu.
Koçiu theksoi se tashmë është momenti kur Shqipëria ka mundësinë reale të konkurrojë denjësisht dhe investimet e huaja nuk mund të konsiderohen si pushtim.
“Disa, brenda e jashtë kufijve, kërkojnë që Shqipëria ta braktisë këtë garë pikërisht në momentin kur kemi mundësinë reale të konkurrojmë denjësisht dhe, pse jo, ta fitojmë atë.
Është një paradoks i trishtueshëm që vazhdimisht kërkojmë standarde në turizëm dhe përfitime ekonomike prej tij, por njëkohësisht mbajmë fort një mentalitet që e sheh investimin e huaj si pushtim”, tha Koçiu.
Zhvillimi i qëndrueshëm, sipas saj, “nuk është një akt abuzimi me territorin, as mungesë standardesh apo shkatërrim i ekosistemit, siç rëndom tentohet të paraqitet në debatin tonë publik, e siç fatkeqësisht ka ndodhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit”.
Përkundrazi, ajo theksoi se zhvillimi i vërtetë është aftësia për të harmonizuar natyrën me infrastrukturën moderne, për të gjeneruar mirëqenie pa kompromentuar të ardhmen.
Sipas Koçiut, zhvillimi është aftësia për të transformuar potencialin e fjetur në motorë të fuqishëm ekonomikë që i shërbejnë çdo shqiptari.
Duke u ndalur te përfitimet që do të sjellë investimi në Zvërnec, Koçiu nënvizoi se “ky është efekti shumëfishues për të cilin Shqipëria ka nevojë, në mënyrë që të dalë nga cikli i turizmit kaotik, pa strategji dhe pa plan”.
“Ndaj, kjo nuk është gara e një qeverie, as e një partie apo e një grupi investitorësh. Kjo është gara e Shqipërisë drejt kurorëzimit si kampione e padiskutueshme e turizmit në Mesdhe. Mbi të gjitha, kjo është një garë për të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që do të vijnë”, theksoi ajo.
/m.m/r.e/a.f/