E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj, Shqipëria nis një fazë të re transformimi ekonomik

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se Shqipëria po hyn në një fazë të re transformimi ekonomik, ku investimet strategjike, rritja e eksporteve dhe tranzicioni i gjelbër kanë rol kryesor.

Gjatë fjalës në forumin “Albania’s Steady Rise as a Regional Economic Centre”, Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare po kalon nga një model i bazuar te konsumi dhe shërbimet, drejt një ekonomie të modernizuar, me fokus te produktiviteti, inovacioni dhe vlera e shtuar vendase.

“Pesë vitet e fundit treguan rritje të qëndrueshme, ulje të papunësisë dhe inflacion të kontrolluar, duke na bërë gati për një ritëm edhe më të shpejtë zhvillimi”, tha ministrja.

Ibrahimaj nënvizoi se negociatat me BE janë një instrument modernizimi, duke lidhur standardet europiane me zhvillimin e biznesit dhe industrializimin e eksporteve. Strategjia e re e eksporteve synon zhvendosjen drejt prodhimit final dhe integrimit në zinxhirët e furnizimit europian.

Tranzicioni i gjelbër u cilësua si mundësi e rëndësishme ekonomike. Shqipëria synon të bëhet eksportues neto energjie deri në vitin 2030, ndërsa bizneset ftohen të investojnë në teknologji të zgjuara dhe efikasitet energjetik.

Kapitali njerëzor u identifikua si themeli i çdo transformimi të qëndrueshëm, me nevojën për bashkëpunim mes arsimit dhe biznesit për aftësi bashkëkohore te të rinjtë.

Ibrahimaj theksoi gjithashtu se prania e kompanive vendase dhe investitorëve ndërkombëtarë tregon besimin në ekonominë shqiptare dhe rolin e vendit si platformë rajonale zhvillimi.

1 nga 4

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›