E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet dhe AmCham diskutojnë rimbursimin e TVSH-së dhe zbatimin e “Paqes fiskale”

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) zhvilloi sot një takim me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, ku u diskutuan disa procedura që, sipas AmCham-it, krijojnë barrë të panevojshme financiare për investitorët, veçanërisht në procesin e rimbursimit të TVSH-së.

Kryetarja e Komitetit të Tatimeve dhe Doganave në AmCham, Alketa Uruçi, solli në vëmendje vështirësitë që hasin sipërmarrjet që realizojnë investime në turizëm, industri dhe sektorë të tjerë. Ajo theksoi se gjatë fazës së ndërtimit investitorët krijojnë TVSH kreditore, por shpesh hasin pengesa në rimbursimin e saj, gjë që i detyron të mbulojnë një kosto financimi deri në 20% të vlerës së investimit.

“Administrata tatimore shpesh gjen mënyra për të mos rimbursuar TVSH-në kreditore, duke rënduar ndjeshëm investimet. Një tjetër problem mbetet edhe trajtimi i shitjeve nën kosto. Edhe pse e lejuar me ligj në disa sektorë, interpretimi nga administrata ka qenë i ndryshëm, duke çuar në penalizime, veçanërisht për subjektet që operojnë në tregun e energjisë elektrike”, u shpreh Uruçi.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, u shpreh se vitet e fundit ka pasur përmirësime të ndjeshme në procedurat e rimbursimit të TVSH-së dhe se pjesa më e madhe e kërkesave përpunohen pa nevojë për kontrolle shtesë.

“Sot trajtojmë rreth 1 700 kërkesa për rimbursim në vit dhe rreth 80% e tyre kalojnë menjëherë. Vetëm një numër i vogël i nënshtrohet kontrollit dhe zakonisht lidhet me investimet. Në dijeninë time, nuk kemi refuzuar rimbursime kur dokumentacioni ka qenë i plotë dhe i rregullt”, tha Binaj.

Ai theksoi se objektivi i përbashkët i administratës dhe biznesit është një ekonomi e fortë dhe e qëndrueshme, pavarësisht se rolet dhe prioritetet janë të ndryshme.

“Marrëdhënia mes administratës dhe bizneseve mund të jetë sfiduese, ndaj ne jemi këtu për të ndërtuar ura komunikimi”, u shpreh ai.

Me kërkesë të përfaqësuesve të AmCham, Binaj sqaroi edhe mënyrën e zbatimit të “Paqes fiskale”, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Ai theksoi se nisma synon t’u ofrojë bizneseve mundësinë të shmangin kontrollet, për sa kohë janë të gatshme të përmbushin detyrimet ndaj buxhetit të shtetit.

“‘Paqja fiskale’ ishte një premtim elektoral dhe qeveria po e implementon siç është zotuar. Eshte një qasje për të ndihmuar biznesin, që gjithmonë ka kërkuar të mos kontrollohet për shkak të kohës dhe kostove që sjellin kontrollet”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm njoftoi gjithashtu se nga janari i vitit të ardhshëm do të intensifikohen kontrollet në sektorin e ndërtimit, me fokus të veçantë në parandalimin e informalitetit në deklarimin e pagave, një ndër sektorët më të ekspozuar ndaj riskut fiskal.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›