Salla: Sipërmarrjet e ndershme dhe produktet “Made in Albania” janë prioritet i mbështetjes sonë

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi baxhon e Nefail Ramës, një sipërmarrje e konsoliduar prej më shumë se dy dekadash dhe shembull i bashkëpunimit të qëndrueshëm me fermerët e zonës.
Ministri Salla, i cili shoqërohej nga kreu i bashkisë së Gramshit, Besian Ajazi gjatë vizitës vlerësoi kontributin e kësaj sipërmarrjeje në ekonominë lokale dhe në ruajtjen e traditës së përpunimit të qumështit.
Që prej vitit 2000, Nefail Rama ka ndërtuar një marrëdhënie të bazuar në besim me prodhuesit vendas, nga të cilët siguron lëndën e parë për prodhimin e djathit, gjalpit dhe gjizës, produkte tradicionale që prej vitesh mbajnë vulën e cilësisë dhe identitetit të Gramshit.
Ministri Salla vlerësoi përkushtimin dhe standardet e punës së sipërmarrjes, duke theksuar se raste të tilla tregojnë potencialin e sektorit të blegtorisë dhe rëndësinë e mbështetjes që i jepet atij.
Ai nënvizoi se prodhimet cilësore “Made in Albania” jo vetëm furnizojnë tregun vendas me produkte të sigurta e të standardizuara, por kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë lokale, në ruajtjen e traditës dhe në krijimin e më shumë mundësive për fermerët e zonës.
Salla theksoi se bashkëpunime të tilla afatgjata mes sipërmarrjeve përpunuese dhe fermerëve janë model i zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe prioritet i politikave të Ministrisë.
Gjatë vizitës, ministri u njoh nga afër me proceset e përpunimit, sfidat e sektorit dhe planet e sipërmarrjes për zgjerim, duke garantuar se mbështetja për bizneset e ndershme e produktet vendase do të vijojë të jetë një ndër prioritetet kryesore të institucionit.
1 nga 7/a.f/r.e/