Integrimi, 24 shkolla testohen në konkursin "Unë dhe Evropa"
Informacioni për Bashkimin Evropian, si dhe strukturat ku Shqipëria kërkon të integrohet, do të jenë objekti i konkursit "Unë dhe Evropa", që sapo është çelur mes 24 shkollave të mesme në të gjithë vendin. Për fituesit e këtij konkursi do të ketë edhe një shpërblim. Ata do të shkojnë për një tur njëjavor në qendrën institucionale të BE-së, Bruksel. Këtë premtim e ka dhënë dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë hapjes së konkursit me të rinjtë e shkollave të mesme në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ku do të zhvillohen fazat e para të tij. Ky testim i njohurive të të rinjve për integrimin do të përfundojë në muajin maj, gjatë Javës Evropiane. Bregu theksoi se "ky aktivitet pritet të sjellë rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve, të cilët do të jenë qytetarët e ardhshëm të Evropës, për rëndësinë që ka procesi i integrimit të Shqipërisë në BE për të ardhmen e tyre, veçanërisht në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë, shanset e jetës dhe vlerat e përbashkëta evropiane". Sipas saj, ky konkurs do të rrisë nivelin e informacionit të të rinjve për vlerat, historinë dhe proceset e BE-së, me perspektivën që në të ardhmen e afërt të futen më shumë orë për integrimin evropian dhe BE-në në kurrikulat e shkollave.
Perceptimi shqiptar për Evropën do të pasohet nga një tjetër konkurs mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare, ku përmes konceptimit dhe fantazisë së tyre ata do të prezantojnë idetë që kanë për përfshirjen e Shqipërisë në Evropë. Ministria e Integrimit ka botuar dhe shpërndarë librin "15 pyetje për Bashkimin Evropian", që do të shërbejë si tekst bazë për zhvillimin e disa orëve mësimore në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit. Ministrja Bregu u shpreh se në kuadër të strategjisë së komunikimit institucioni që ajo drejton, po synon krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta me auditorët e universiteteve në të gjithë vendin. Së shpejti do të nisë edhe transmetimi i një cikli dokumentarësh mbi historinë e Evropës.