E Diel, 1 Nëntor 2026

"Na ndihmoni për të rritur trinjakët"

U gëzuan tek mësuan se kryetari i Bashkisë së Tiranës do t‘i dhuronte çdo bebeje që do të lindte gjatë këtij viti 5 mijë lekë të reja. Llogaritën se do të merrnin 15 mijë lekë për tre foshnjat e tyre. Një fillim i mirë për to, por asgjë nuk ndodhi. Vërtet, Floreta 37-vjeçare i solli bebet e saj në jetë në një nga maternitetet e kryeqytetit, po shpejt i sqaruan se nuk mund të përfitonin ndihmën e deklaruar bujshëm në mediat vizive në ditët e para të vitit. Ata nuk ishin banorë të Tiranës. Rruga e kthimit në shtëpi iu duk më e rëndë me zhgënjimin e parë. Komuna ku ata banojnë nuk u ka dhënë asnjë ndihmë financiare deri tani. Shpresojnë që dikush të kuptojë situatën e tyre dhe të vejë dorën në zemër, ashtu si një organizatë humanitare i ndihmoi nëpërmjet bashkëpunimit me qendrën shëndetësore të fshatit të tyre.

Djepet ninullshëm kanë nisur të gjëmojnë në shtëpinë e vjetër, aty ku jeta ka hyrë më fort se kurrë. E bukur, por e vështirë, sepse ata janë tre. Kanë dhe tre djepe që përfundimisht kanë prishur ritmin e qetë të ditë-netëve të dikurshme të familjes. Në kërkim të rritjes, nuk reshtin së kërkuari me të qara përkujdesjen e nevojshme, pa ditur se jeta dhe kushtet e prindërve jo gjithmonë ua mundësojnë. Orjona, Islami dhe Ismiri kanë ardhur njëkohësisht në jetë, brenda pak çasteve, ndërsa viti i ri kishte hyrë në ditën e tretë të tij. Kërkojnë thuajse njëkohësisht dashuri, ushqim, ngrohtësi, përkundje dhe ndërresa. Nuk janë të vetëdijshëm për mjedisin të cilit i përkasin, mundësitë që i rrethojnë, as për të ardhmen e afërt që i pret. Prindërit e tyre janë të gëzuar, po dhe të pamundur për t‘u siguruar të gjitha nevojat që kanë. Dhe kërkojnë ndihmë. Që prej janarit, trinjakët bebe qajnë e qeshin së bashku duke zënë plotësisht të gjithë ditën e njerëzve të tyre. Jeta është bërë e zhurmshme në shtëpinë e vjetër të Qolëve në zonën më malore të rrethit bregdetar. Të shkosh atje, duhet të kalosh nëpër një rrugë të vështirë fshati, rrugë të cilën nëna e tyre e bëri me vështirësi teksa shkoi në Tiranë për të lindur bebet e saj. Edhe në kthim ndërmori të njëjtën rrugë të keqe, nëpër të cilën çdo ditë kryefamiljari udhëton në këmbë për të siguruar një punë ditore dhe ca të ardhura për familjen e shtuar përnjëherësh me tre frymë të reja.

Pas një mungese të gjatë gati 13-vjeçare të fëmijëve në martesën e Haxhiut dhe Floretës, shtëpia u mbush me klithmat e foshnjave. Janë kthyer në lumturinë e vërtetë të jetës së dy njerëzve, por edhe në shqetësimin më të madh. Janë tri bebe të vogla që në çdo tik-tak të zemrës së tyre kapërcejnë ditët, javët e para të jetës, rriten, ndërsa prindërit përballen me vështirësitë e mbajtjes së të treve. Në shtëpi kanë një gomar, kafshë barre dhe pak pula që më pas do të kthehen në burim ushqimi për të vegjlit. Haxhiu punon me ditë. Nuk ka ndonjë kualifikim dhe punon ku të mundet për të siguruar të ardhurat aq të nevojshme për të plotësuar nevojat bazë të familjes. "Vetëm me panolina nuk u dilet, ndërsa për të përdorur napa si dikur duhet të lesh pas dore bebet, të cilat kërkojnë shumë kohë për t‘u kujdesur për to në çdo moment. Duhet të rrish gjithë kohën duke larë ndërresat e tyre", thotë nëna e re, së cilës gëzimi i madh për lindjen për herë të parë të tre fëmijëve të saj i është zëvendësuar me shqetësimin që sjell rritja e tyre. Në kushtet e saj është e vështirë. Dy djemtë dhe vajza kanë shumë shpenzime dhe kërkesat vijnë në rritje me çdo ditë që kalon. Të ushqyerit, të larit, të ndërruarit dhe veshja e tyre zënë plotësisht ditën e gruas. I kishin provuar të gjitha për të ngjizur jetën dhe u është dashur shumë përpjekje për ta arritur shtatzëninë e shumëdëshiruar. Shpenzuan të gjitha kursimet e bëra ndër vite me mundime dhe pas lindjes përballen me nevoja të mëdha. Gjyshja e fëmijëve, vjehrra e Floretës, është e lumtur përtej problemit që i shoqëron ditët e familjes tani. Shtëpia i është mbushur me zërat e bebeve dhe foshnjat që erdhën në jetë pas një operacioni çezarian gëzojnë shëndet të plotë. Kjo është më e rëndësishme për të. Trashëgimia e emrit të familjes, e jetës. "Ndoshta dikush do e vërë dorën në zemër dhe të na japë mbështetje. E kemi të vështirë për t‘i bërë ballë rritjes të vetëm", thotë babai i fëmijëve, duke shpresuar se kushdo që do t‘i kuptojë kushtet e tyre do të kërkojë t‘i ndihmojë të mirërrisin foshnjat. Në shtëpinë e tyre në lagjen Kërtushaj të Ishmit, tymi që del nga soba e druve ngroh dhomën e vogël ku qëndrojnë djepet e Islamit, Ismirit dhe Orjonës. Zjarri ngroh dhe shpresën e prindërve të tyre se dikush do të mendojë dhe për foshnjat e tyre, duke dëshmuar bujarinë e një shpirti që di të dhurojë kur ka më shumë mundësi se ata që jetojnë në varfëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›