E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin e “5 pyetje nga Babaramo”, në “News 24”.

18 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, të gazetarit Ilir Babaramo, transmetuar në “News 24”.

Gazetari:: Mirëmbrëma zoti President, është një kënaqësi e veçantë që jeni sërish në këtë emision, këtë radhë me cilësinë e Kryetarit të Shtetit!

Presidenti Topi: Faleminderit për ftesën!

Gazetari:: Do të doja ta nisja bisedën nga raporti i “Transparency International” të botuar pak ditë më parë. Sipas këtij raporti Shqipëria ka bërë hapa pas në luftën kundër korrupsionit dhe renditet në vendin e tretë për nga fundi. Disa zyrtarë të lartë të shtetit dhe drejtues të Partisë Demokratike e lexuan në mënyrë të tillë këtë raport, që ky është i trukuar në Tiranë. Ju ndani të njëjtin mendim me ta, apo mendoni se ky raport është realist?

Presidenti Topi: Gjithmonë në vlerësimet e kësaj natyre janë për t’u marrë në konsideratë, sepse njeriu nuk mund të pozicionohet, qoftë ky edhe institucion, në mënyrë subjektive ndaj një raporti, i cili në mënyrë frekuente i prezantohet institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Me thënë të drejtën nuk jam futur asnjëherë në rol investigativ se kush e ka bërë, në ç’mënyrë e ka bërë, me çfarë metodike, por kam qenë gjithmonë i prirur të jem besues ndaj raporteve, të cilat mundohen të japin një panoramë që gjithsesi mbetet vlerësim relativ. Kur them vlerësim relativ ka këndvështrime të ndryshme dhe, padyshim që, mirë është që raporte të tilla duhen marrë në konsideratë dhe duhen intepretuar mbi bazën e atyre të dhënave ashtu siç vijnë, pastaj analizën e vërtetë të gjërave e bëjnë institucionet shqiptare, të cilat realisht krahas progresit kanë edhe të meta dhe mangësi, e bëjnë aktorët politikë, e bëjnë aktorët, apo protagonistët e shoqërisë shqiptare, që sot nuk janë në institucionet politike, por janë edhe në shoqëri, pra ka një kompleks faktorësh që bëjnë analizën e këtyre shifrave. Sigurisht që mbas atij raporti, por jo i kondicionuar nga raporti, ne kemi diskutuar edhe për problemin mjaftë të rëndësishëm, që është temë e ditës sot, për problemet në drejtësi. Nuk mjafton të shohësh një raport, por po të dëgjosh zërat qytetarë, në kontaktet që ne i kemi drejtëpërdrejtë, por edhe për shkak të detyrës, nga opinione të ndryshme mëson dhe zërat sinkronizohen në problemet që ka gjyqësori sot, ç’ka presupozon që një e dhënë sinkronizohet me atë që jep raporti. Pra ka metoda të sofistikuara, shkencore të sondazhit, që mjafton të përputhesh në dy tre objeksione, atëhërë ke një besueshmëri të lartë në të dhënat që jep një raport i caktuar. Unë kam diskutuar, pavarësisht nga raporti, edhe për një problem tjetër, që shqetëson shoqërinë shqiptare, ka qenë problemi i pronave, brenda të cilit realisht ka veprime korruptive. Pra i përdora si shembuj për të thënë që mjaft gjëra tek raporti janë ashtu siç perceptohen, edhe nga unë, por nuk mund të them në sens relativ se si janë perceptuar nga protagonistët që kanë realizuar sondazhin.

Gazetari:: Dy vjet më parë u bë kalimi i pushtetit nga një mazhorancë tek tjetra, pikërisht për shkak të korrupsionit. Shumica aktuale kishte si “kalë” të betejës elektorale pikërisht luftën kundër korrupsionit. Dy vjet e gjysëm më pas, a mendoni se ajo ka dështuar në këtë luftë, nëse kemi parasysh dhe duke iu referuar gjithnjë të njëjtit raport?

Presidenti Topi: Unë sot kam një pozicion të ri, nuk mund të diskutoj më si dikur, kur isha më i lirë për të diskutuar rreth zhvillimeve politike, por edhe për të mbajtur një qëndrim të caktuar edhe ndaj kolegëve të mi në qeveri. Kështu që do të tentoj të respektoj pozicionin e Presidentit të Republikës dhe vlerësime të kësaj natyre, nëse ka më shumë korrupsion, apo ka më pak, sigurisht unë do të mundohem që t’i shmagem kësaj pyetjeje në mënyrë të vullnetshme. Por, gjithsesi, ajo që unë kam shprehur herë pas here, e kam shprehur jo thjesht si atribut i pozicionit, por edhe si qytetar, i cili vazhdimisht ruan kontaktet me njerëzit, të cilët kanë këtë percepsion, kanë percepsionin që, edhe pa qenë në gjendje të bëjnë diferencime, nëse ka pasur evolucion, ose involucion, mund të themi që fenomene korruptive në Shqipëri sigurisht që ka. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje, duke filluar që nga institucionet, pastaj nga individë të veçantë të cilët mbajnë pozicione të rëndësishme në pemën e administratës shtetëore, nga gjyqësori, nga Prokuroria padyshim, nga Kontrolli i Shtetit, që të jetë një lloj “network”-u që të gjithë së bashku të sinkronizojnë veprimtarinë e tyre dhe fenomenet korruptive të mos marrin të drejtën e qyetarisë, për të thënë që “ka korrupsion, ka korrupsion”, të ambjentohemi me këtë fjalë dhe mos të shohim veprime konkrete. Pra, është shumë e rëndësishme, pavarësisht nga vjen ky fenomen i korrupsionit, nëse vjen nga mazhoranca, apo vjen nga elementë të cilët janë në opozitë, por kanë një të kaluar të përfolur për korrupsion, unë mendoj që drejtësia në çdo kohë duhet të veprojë, duhet të veprojë jo për t’ia lënë mekanizmit të harresës, sepse mendoj që ky është momenti më i dhimbshëm për shoqërinë shqiptare që harron shumë shpejt. Dhe, ç’ka është më e rëndësishme në këndvështrimin tim, nuk duhet lënë shumë spacio në këtë sens për t’i lënë pastaj mundësi protagonistëve që janë veshur me akuza për korrupsion, ndoshta të pavërtetuara deri në fund nga pikëpamja institucionale, të lenë hapësirë për të vlerësuar nëse të tjerët janë të korruptuar ose jo. Pra, e kam në parim, në parim duhet që veprohet në mënyrë shumë sistemike, institucionale ndaj fenomeneve të korrupsionit, ç’ka presupozon që duhet të ketë më pak fjalë dhe më shumë veprim institucional.

Gazetari:: Më pak fjalë dhe më shumë veprim insitucional. A mendoni se duhet të ndërhyet, të paktën ju nuk ju takon nga kompetencat kushtetuese që keni, i takon Kryeministrit, por si Kryetari i Shtetit, a mendoni se duhen bërë ndryshime në qeveri për t’iu përshtatur ritmit të luftës kundër korrupsionit?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të futem në këtë linjë. Këtu pushtetet janë të ndara. Nuk më ka munguar asnjëherë kurajo kur nuk kam qenë në këtë pozicion, ju e dini fare mirë, pra kam qenë fare i hapur, i drejtëpërdrejtë, por tani kondicionohem nga pozicioni. E drejta ekskluzive për ndryshime në qeveri është e drejtë e Kryeministrit. Këtë e thonë në mënyrë frekuente dhe kryetarët e partive politike të koalicionit, edhe ministrat, edhe eksponentë të partive politike të mazhorancës, kur vjen puna për ndryshimet në qeveri, kjo është një e drejtë ekskluzive e Kryeministrit.

Gazetari:: Ju thatë se drejtësia është një nga elementët kryesorë që duhet të veprojë në luftën kundër korrupsionit. Është folur për një reformë në drejtësi, por në fakt nuk është folur me terma konkretë. Ju si Kryetar i Shtetit, se është domeni juaj ekskluziv, të paktën për shkak të kompetencave kushtetuese, si e mendoni, çfarë duhet të ndryshojë në terma konkretë në legjislacionin shqiptar që drejtësia t’i përshtatet reformës së thellë, të cilën e ka kërkuar gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe gjithë faktori politik shqiptar?

Presidenti Topi: Së pari më lejoni të korrektoj pak, nuk është domen ekskluziv i Presidentit. Presidenti ka një pozicion relativ në përgjegjësitë që kanë institucionet shqiptare, sepse Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale, është Republikë Parlamentare dhe aktori kryesor për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe të kuadrit ligjor, të perfeksionimit të tij është pikërisht Parlamenti, aty ku shprehen vullnetet politike, e kam thënë me një terminologji të fokusuar për këtë problem ku vullnetet politike, transformohen në vullnete, apo në procese juridike, ç’ka do të thotë kthehen në ligj të detyrueshëm për t’u zbatuar. Unë besoj që roli i Presidentit është një rol i rëndësishëm brenda rolit që kanë të gjithë këta protagonistë, ç’ka do të thotë që së pari vullneti për të marrë pjesë në një proces të afrimit të vullneteve politike të partive politike, gjë që u duk që u realizuar në tryezën e krerët e partive politike parlamentare rreth tre muaj më parë, gjë që u konkretizua dhe me ngritjen e dy komisioneve në parim dhe me vendosjen e kreut të komisionit të posaçëm për reformimin e sistemit të drejtësisë. Më mbrapa pati një debat politik për çështje të ditës, që largoi partitë politike pikërisht nga vullneti i shprehur në këtë tryezë. Sot jemi në momentin kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr një rol të ri, jo për të suprimuar rolin që ka politika, në mënyrë absolute, sepse politika është primare, sikurse e thashë janë deputetët, janë partitë politike në Parlament që do të bëjnë këtë reformë. Por, KLD që konsiderohet si qeverisja e sistemit gjyqësor ka të drejtë të jetë pjesëmarrës në një sens tjetër, për të hapur debat. Nëse dikush do të thotë që nuk jemi futur me terma konkretë, unë them të kundërtën që jemi futur me terma konkretë, por askush nuk ka të drejtë që të thotë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë e mbylli procesin që në fillimin e tij. Pra, ka shpalosur disa terma dhe mbi të gjitha ka rëndësi që të thuhet se është hapur debati, është hapur debati në komunitetin e juristëve, të cilët edhe atë ditë kur është diskutuar, janë dhënë mendime shumë të frytshme, por edhe kjo etapë, edhe kjo hallkë është vetëm një pjesë e asaj që konsiderohet si një proces, ku në mënyrë të padiskutueshme do të ketë një bashkëpunim me institucionet e gjyqësorit, me Parlamentin shqiptar, që të dalin problemet dhe tek e fundit të merret një vendim politik në Parlament për ratifikimin e disa ligjeve, që për hir të së vërtetës nuk janë ligje që fillojnë nga e para, por janë ligje që kërkohet që të perfeksionohen, ka ligje që duhet të harmonizohen me njëri – tjetrin për të hequr mbivendosjet, ose për të plotësuar boshllëqet e tij.

Gazetari:: Ju e keni një modelin tuaj, apo do ia lini thjesht komunitetit të juristëve të vendosë dhe ju do i thoni “ok”?

Presidenti Topi: Presidenti është në të njëjtën kohë dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Do të ishte mungesë profesionalizmi nëse një njeri i veshur me petkun e pushtetit të imponojë modele statike që në fillim, pra të mos biem dakord me atë që kemi shpalosur që duhet patjetër që të hapet një debat. Fakti që do të ketë komunikime me gjyqësorin e rretheve dhe do të ketë një transparencë për publikun, presupozon që ky është një proces i hapur, i cili do të zgjasë rreth tre muaj dhe besoj që pas këtij procesi do të thithen, do të ekstraktohen problemet kryesore, që do të konsiderohen si një vullnet mbarëpopullor për t’u përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu që nuk mund të ketë modele të projektuara që në fillim. Sigurisht që ka terma reference, rreth të cilave do të orientohet debati, ju siguroj që ka terma reference dhe debati është orientuar nëpërmjet personazhe të rëndësishëm të KLD-së, të cilët do të jenë misionarë në të gjithë këtë debat publik.

Gazetari:: Një nga temat e diskutuara është që institucioni i akuzës, Prokuroria të jetë pjesë e ekzekutivit, apo të jetë e pavarur siç është aktualisht. Ju do të përfshiheni në këtë debat?

Presidenti Topi: Unë sigurisht që nuk do të përfshihem në këtë debat, sepse përfshirja e drejtëpërdrejtë e Presidentit të Republikës duket sikur deformon subjektivisht debatin, por do të jem shumë i vëmendshëm ndaj këtij debati. Presidenti mund të mos përfshihet drejtëpërdrejtë, por ka hallkat e tij, të cilat do të jenë pjesë e rëndësishme e këtij debati profesional.

Gazetari:: Ka disa disa modele, disa skema të funksionimit të drejtësisë, është ai anglo-sakson, është ai latin, ju si e mendoni, cili është sistemi më i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë?

Presidenti Topi: Unë besoj që nuk është momenti që të themi që po orientohemi nga ky lloj modeli, sepse janë 17 vjet që e kanë orientuar në një farë mënyre sistemin e drejtësisë me një model të caktuar. Modelet janë të ndryshme, mund të them që modelet në llojin e tyre, në vendet demokratike ku aplikohen kanë qenë të suksesshme. Mjafton që modelin që ti e kërkon që të marrësh, duhet patjetër që të jesh shumë serioz për ta respektuar dhe respektimi i një modeli, sigurisht të çon në sukses. Për paralelizëm, ju e dini që në fusha të ndryshme të jetës, nuk mund të jenë shkolla të standardizuara, sikurse ndodh në art, në kulturë edhe në futboll; konsiderohen shkolla të ndryshme shkolla latine, shkolla anglo-saksone. Të gjitha janë kompetitive, por në llojin e vet. Mjafton që të jesh perfekt në seriozitetin për përmbushjen e detyrimeve që të jep ky model, atëherë ti je i suksesshëm.

Gazetari:: A mendoni se ka ardhur në Shqipëri momenti që, tani që ka ndryshuar edhe Prokurori i Përgjithshëm, vendi është në një gjendje të tillë stanjative sa kërkohet një operacion i tipit “duart e pastra” për të pastruar shoqërinë shqiptare dhe politikën shqiptare?

Presidenti Topi: Sigurisht! Jam absolutisht i këtij mendimi, që “duart e pastra” nuk duhet të jetë vetëm një slogan, i cili ripërsëritet kohë mbas kohe, por duhet të jenë veprime ligjore, institucionale të koordinuara për ta merituar që kemi realizuar një operacion me duar të pastra. Jam jashtëzakonisht i motivuar për ta mbështetur një operacion të duarve të pastra nga pozicioni që ka Presidenti dhe aq sa më takon.

Gazetari:: Termin dhe referencën “duar të pastra” e përdora kryesisht edhe në pastrimin e klasës politike për të cilën ka shumë akuza korrupsioni. Ju do ta nxisnit këtë proces? Çfarë do të bënit?

Presidenti Topi: Unë nuk mora në konsideratë kategoritë. Kur flasim për operacion duar të pastra kemi parasysh zbatimin e të gjitha kërkesave të një shteti ligjor të shtetit të së drejtës. Së paku kjo është terminologjia që unë dua t’i referohem në këtë pozicion. Mjafton që të jesh në standardet e shtetit të së drejtës, të jeni të sigurtë që këtu nënkuptohet edhe operacioni me duar të pastra. Kështu që nuk marr fare në konsideratë klasën politike, apo njerëz që janë jashtë klasës politike. Cilidio, çdo individ, qoftë ky politikan, qoftë ky politikan i lartë, qoftë një individ i thjeshtë, duhet të jenë të barabartë përpara drejtësisë, duhet të sillen si të barabartë dhe nëse konstatohet që janë shkelës të ligjit duhet të dënohen sipas dispozitave ligjore që kemi.

Gazetari:: Me Prokuroren e re të Përgjithshme keni diskutuar për këtë temë?

Presidenti Topi: jam në një moment kur jo vetëm me Prokuroren e re të Përgjithshme, por edhe me personazhe të tjerë që janë në linjën e sistemit të drejtësisë kemi diskutime të vazhdueshme, ç’ka do të thotë që janë diskutime pune, nuk mund të jenë diskutime protokollare, sepse është vetë sistemi i tillë që të dikton që të diskutosh për reformën, reformë e cila do të përfshijë patjetër prokurorinë, reformë e cila do të përfshijë patjetër dhe institucionin e Kryeprokurorit, në vijim të atij debati, i cili në momente të caktuara u deformua edhe politikisht, pra një debat për të cilin sot jemi të qartë të gjithë, pra kufizimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është i domosdoshëm, sikurse është i domosdoshëm për të gjithë gjyqtarët, kryegjyqtarët, sikurse është i domosdoshëm për politikën, ka gjithmonë nevojë që të qarkullojnë ujrat, të mos mbesin ujra që japin pamjen e një kënete pastaj. Kështu është sistemi demokratik. Ka rrotacion dhe vetëm rrotacioni jep shanse për kompeticion, vetëm rrotacioni jep shanse që njeriu të jetë i përgjegjshëm edhe para ligjit edhe para detyrës së tij, jo vetëm kur e ka këtë funksion, por edhe pasi e lë funksionin.

Gazetari:: Ju përdorët termin “pastrimin e ujrave të ndenjura” dhe iu referuat Prokurorisë. Por a mendoni se u gjet kanali jo fort i duhur për të drenazhuar këtë institucion. Nëse kemi parasysh se ish-Kryeprokurori u largua se nuk kishte ekstraduar drejt Italisë 200 persona të kërkuar. Ndërkohë ai mbrohej se nuk kishte marrëveshje me Italinë dhe kjo u vërtetua se një javë pasi ai u shkarkua, gjatë vizitës së Kryeministrit Prodi u nënshkrua ajo marrëveshje e munguar.

Presidenti Topi: Zoti Babaramo, unë përdora termin “qarkullim ujrash”, që është shumë i përgjithshëm dhe nuk ka të bëjë fare në referncë të institucionit të Kryeprokurorit. Unë mendoj që ai proces tashmë konsiderohet i ezauruar në të gjitha linjat e veta institucionale, i komentuar sipas përgjegjësisë që ka çdo institucion që janë pjesë e hallkave të këtij procesi dhe i konsultuar me grupe ekspertësh që sipas metodikës së përdorur kanë qenë grupe ekspertësh të pavarur nga njëri-tjetri. Pra janë mjaft diskutime të karakterit specifik dhe profesional që vërtetojnë që personi në fjalë, ose institucioni në fjalë, ka qenë në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës. Sesi janë hallkat e ndërmjetme të trajtimit të problemeve, qoftë dhe problemeve të ekstradimeve, ky është objekt i një komenti shumë të gjerë, që nuk do t’i shërbente këtij komunikimi që kemi bashkë, por ju siguroj që gjithçka ka qenë e motivuar nga pikëpamja juridike, profesionale do të thoja dhe aspak i kondicionuar nga pozicionet politike.

Gazetari:: Të kthehemi tek reforma në drejtësi, e cila e cila tek e fundit përthyhet tek 84 votat në Parlament. Në situatën e krijuar, a mendoni se projektet tuaja mund të mbeten në letër nëse kemi parasysh se opozita ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e këtij procesi dhe ju konsideron ju jo më si Kryetar të Shtetit dhe refuzon që të bashkëpunojë me ju.

Presidenti Topi: Ky përcaktim më duket i ekzagjeruar, sepse së pari Presidenti i Republikës nuk është në një pozicion privat. Kështu që nisma të tilla nuk mund të jenë ekskluzivitet i Presidentit. Këtu është një nevojë imediate që vjen nga shoqëria shqiptare, një kërkesë që vjen në mënyrë permanente nga institucionet ndërkombëtare dhe Presidenti i Republikës sigurisht që nuk është zgjedhur me 140 votat e Parlamentit, por është zgjedhur me numrin e detyruar kushtetues. Kështu që të gjitha vlerësimet që mund të kenë linjat politike subjektive në funksion të këtij problemi mua më duken të tejkaluara. Mua më duket se këtu është problemi që shoqëria shqiptare, elektorati shqiptar është shumë i vëmendshëm në të gjithë këtë proces. Shikon aktorët institucionalë dhe politikë që janë pjesë e këtij procesi dhe në rast se konstaton që ka vetëm fjalë dhe mungesë të vullnetit, sigurisht që zgjedhjet politike janë afër dhe çdo individ, apo parti politike, është para elektoratit dhe gjykohet edhe për qëndrimin ndaj reformave. Këto janë reforma, që detyrimisht kondicionohen për të rregulluar problemet e drejtësisë që janë këtu në Shqipëri. Këto janë zëra që sintonizohen çdo ditë e më shumë. Kështu që çdo individ i veçantë, i cili shpreh një vullnet individual dhe aspak institucional, është i detyruar që të lihet pas nga koha. Reformat do të bëhen, sepse kushtëzohen edhe me problemet e integrimit. Ai që do të penalizohesh publikisht si shkaktar për integrimin, për mos u futur në NATO, atëherë do të ishte një faturë shumë e rëndë për cilindo individ, apo subjekt politik. Nga kjo pikëpamje unë jam i mendimit që partitë politike parlamentare, sikurse e kanë shprehur vullnetin, jam i bindur që do të bashkëpunojnë. Askush nuk ka thënë që nuk do të bashkëpunojë. Çështja e modelit është një çështje që zgjidhet, zgjidhet në Parlament. Partitë politike do të bashkëpunojnë në Parlament dhe jam i bindur që reforma në drejtësi do të fillojë të realizohet si një detyrim kushtetues, por edhe moral.

Gazetari:: A do të tentoni t’i rregulloni marrëdhëniet me shefin e opozitës?

Presidenti Topi: Unë nuk kam probleme me askënd. Ju e dini që në arenën politike shqiptare ka çdo ditë debate politike, janë debate të mirëpritura, por kur vjen problemi për çështje ku njerëzit duhet të ulen, ju e keni në eksperiencën direkte që janë realizuar disa takime dhe të tjera do të realizohen. Më duket se është një proces që do të vazhdojë normalisht.

Gazetari:: Pra ju do e ftoni sërisht në tryezë zotin Rama?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute. Ky është një komunikim jetik dhe janë vetëm paragjykime, janë paragjykime dhe vijnë nga aktorë që nuk e njohin procesin. Unë jam çdo ditë në komunikim me aktorët politikë pa i specifikuar nominalisht dhe jam i prirur si President i Republikës të qëndroj në atë pozicion për të ekuilibruar jetën politike gjithnjë e më shumë dhe jo thjesht për ekzibicionizëm, por për t’i futur palët në procese që japin një produkt konkret dhe produkti konkret ju thashë vjen pikërisht në Parlamentin shqiptar.

Gazetari:: Kur folët për numrin e votave latë të kuptohet që ato 84 vota janë në Parlament edhe pa vullnetin e lidershipit të opozitës. Do të arrini t’i arrini këto 84 vota në të njëjtën mënyrë siç u zgjodhët President, pra pa konsesusin e Partisë Socialiste, do të tentoni të bashkëpunoni me atë grup deputetësh të majtë që bashkoi votat me të djathtën kur ju zgjodhën Presidenti?

Presidenti Topi: Se çfarë nënkuptoj unë ka të bëjë me mua. Unë ju shpreha që zgjedhja e Presidentit ishte një zgjedhje kushtetuese, ndonëse nuk ishte me votat e 140 deputetëve. Por ajo që unë vë si dominancë është pikërisht bashkëpunimi politik dhe jo një numër i caktuar 84, që presupozon një numër me 3/5 për të realizuar ligje të caktuara. Çështja e ligjeve nuk është më një çështje thjesht numri, apo një problem mekanik. Çështja e miratimit të ligjeve në kuadër të reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë është çështje e bashkimit të vullneteve politike të të gjitha partive politike, sepse sistemi i drejtësisë do t’i shërbejë të gjithëve, pavarësisht nëse sot je në opozitë dhe nesër në mazhorancë dhe anasjelltas dhe mbi të gjitha jo për politikanët, por për qytetarët e thjeshtë. Kështu që është e domosdoshme që procese që janë mjaft dominante, vitale për shoqërinë duhet të jenë me bashkëpunimin e të gjithëve.

Gazetari:: Zoti President, do të doja t’ju pyesja se përse nuk e dekretuat ish-Presidentin Mejdani në krye të Akademisë së Shkencave?

Presidenti Topi: Së pari mund t’ju them që ky është një proces i cili është në vazhdim. Pra duhet t’i dini mirë kompetencat e Presidentit, i cili nuk ka asnjë lloj detyrimi në funksion të kohës, sipas Kushtetutës, ç’ka presupozon që ka kohën e mjaftueshme, të nevojshme sigurisht, për të parë të gjithë procesin si është realizuar. Kështu që edhe sot që ne po flasim unë nuk mund të shpreh asgjë nëse do të dekretohet, apo nuk do të dekretohet. Unë kam pasur një bisedë të gjatë me një përfaqësi të Akademisë së Shkencave, disa ditë më parë, që është pasqyruar në faqen e internetit të Presidencës dhe mund t’ju siguroj që diskutimi ka qenë mjaft konstruktiv. Unë nuk futem në këto diskutime sot që jam Presidenti i Republikës. Me problemet e Akademisë së Shkencave ka vite që ndjehem familjar, sepse i kam takuar asaj bote dhe kam influencuar kohë pas kohe që për problemet që kanë të bëjnë me Profesoratin, me Akademinë, të jem si një suport, aq sa kam patur mundësinë të jem. Problemet që kanë shpalosur akademikët kanë qenë nga më të ndryshmet dhe unë besoj që edhe në vijim të atij takimi që kemi pasur, ka pasur edhe një modifikim të qëndrimit për projektligjin, gjë që ka ardhur edhe si një vazhdim i kësaj bisede edhe me zotin Kryeministër me predispozicionin që gjërat që mund të sistemohen, të sistemohen. Sa i përket procedurës së zgjedhjes, është një procedurë që nuk mund të elaborohet në këtë emision, por ju siguroj që ka momente që ato duhet të interpretohen dhe në një moment qoftë pozitivisht, qoftë negativisht do të ketë një prononcim timin patjetër në këtë pikë dhe jo nëpërmjet zëdhënsve të thjeshtë, por nëpërmjet Shefit të Kabinetit, zotit Xhaxhiu, i cili ka titullin Profesor Doktor, ka një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ka qenë shumë familjar edhe ai me çështjet e Akademisë. Këtu nuk bëhet fjalë për perceptime të karakterit politik, por vetëm institucional, pra që ka të bëjë me ligjin, që ka të bëjë me një vendim të Gjykatë Kushtetuese, në respekt të të gjitha këtyre institucioneve për të ruajtuar jo vetëm linjën institucionale, por edhe transparencën me publikun.

Gazetari:: Opozita interpreton se ky lidership aktual i shtetit po përpiqet të vë një kontroll politik në çdo institucion, në çdo strukturë, deri dhe tek Federata e Futbollit. Kemi sulmet e Kryeministrit pak ditë më parë ndaj Federatës së Futbollit. Ju e keni ndjekur ekipin tonë përfaqësues gjatë gjithë kohës. Mendoni se duhet të merret qeveria dhe me Federatën?

Presidenti Topi: Më keni futur në një temë që mund të flasim me orë.

Gazetari:: Le ta përmbledhim në disa minuta.

Presidenti Topi: E kam të vështirë ta përmbledh në disa minuta një temë shumë të dashur që nuk ka të bëjë fare as me politikën, por që ka të bëjë me një pasion shumë të vjetër. Kam qenë shumë konstant dhe kjo është e evidentueshme, kam qenë edhe pjesë aktive e drejtimit në momente të caktuara, kështu që ju siguroj që e njoh shumë mirë botën e futbollit, por edhe sportin në përgjithësi. Ai që kundërshton që në futboll nuk pasur pazare, ose është naiv dhe nuk e njeh botën e sportit, ose mund t’i vë një emër tjetër po të mos ishim në këtë studio. Pra, përderisa ka eksperienca edhe sot, pikërisht sot kur ne po realizojmë këtë intervistë, kishte akuza të reja ndaj menaxherit të Juventusit, Moxhit, i cili influencën e tij nuk e kishte pasur vetëm në Itali, por kishte influencuar në trukimin e ndeshjeve edhe në Angli. Pra ky është një fenomen që ka qenë i pranishëm edhe në Shqipëri. Se në cilën ndeshje dhe në ç’mënyrë këtë nuk mund ta them, por ky është një fenomen. Pra, dikush, një kolegu im, politikan, por i njohur për batutat, është shprehur që edhe fenomenet e korrupsionit në Shqipëri, sikurse në çdo vend tjetër, në çdo shoqëri, janë si puna e enëve komunikuese. Ka fenomene korruptive në gjyqësor, ka fenomene korruptive në administratë, e ke të pamundur të nxjerrësh botën e sportit të larë. A duhet mbajtur qëndrim? Sigurisht që duhet mbajtur qëndrim. Në ç’mënyrë? Unë do të thoja që në radhë të parë, sikurse ndodh tek gjyqësori, duhet të ndodhi edhe tek Federata. Të mos ketë njerëz që merren në mënyrë shumë të vëmendshme me punët e tyre në Federatë, të mos kthehen në njerëz burokratë që i marrin vetëm të mirat kësaj pune, në mënyrë të padiskutueshme njerëz që i kanë këto pozicione, apo njerëz që janë pjesë e administratës, nuk duhet të jenë pjesë e shoqërive të basteve, se do të kemi një problem shumë të madh dhe pastaj dalim në atë problemin a duhet të flasë “x”-i, apo “y”-i. Kush merr pjesë në një debat që është pjesë e një debati për çështjet e korrupsionit është i mirëseardhur në debat, por që ky debat të mos marrë nota politike, ai duhet bërë nga njerëz që janë vetë të sportit, por edhe nga Ministria përkatëse, e cila e ka detyrim që të merret sidomos me problemet e Kombëtares, sepse Ministria nuk bën thjesht një suport për sportin, sepse e ka emërtimin e tillë, por patjetër bën edhe politika për sportin. Unë mendoj që kjo është një çështje jo e trajtuar për sport, siç është fjala, por është pjesa ndoshta më e ndjeshme që ka të bëjë me elementë të qënësishëm të identitetit kombëtar, ndjeshmërisë kombëtare dhe ju e dini që ndeshje shumë të veçanta, shumë specifike në stadiumin “Qemal Stafa”, o janë kthyer si motivim shumë pozitiv për të gjithë periudhën më prapa, ose janë kthyer në zhgënjim. Kështu që në këtë sens do të thoja që askush nuk duhet ta perceptojë si një debat politik, por përkundrazi, në rast se do të flasim për sportin, duhet të flasim në mënyrë ekskluzive për sportin, në radhë të parë për njerëz profesionistë, njerëz që nuk e marrin sportin dhe pozicionin për të pasur përfitime individuale, ose në grup.

Gazetari:: Zoti President, pjesën e dytë të bisedës do të doja të përqendrohesha në një ndër temat që ju e keni patur më përzemër gjatë gjithë karrierës tuaj politike, është ajo e pronës, e të drejtës së pronës, e pronës së ligjshme në Shqipëri. Ju keni qenë shumë pak në poste ekzekutive dhe tani që jeni në pozicionin e Kryetarit të Shtetit, atë temë tuaj kaq të preferuar, prioritare siç e keni shprehur, si do ta shtjelloni, çfarë do të bëni në këtë drejtim?

Presidenti Topi: Çështja e pronave është një çështje që preokupon sot më shumë ata që nuk kanë mundësi të flasin, ç’ka do të thotë që preokupon njerëzit e thjeshtë, njerëzit të cilët kohë mbas kohe janë mashtruar nga deklaratat politike. Unë besoj që çështja e pronave më shumë se kurrë është një çështje që ka të bëjë me të drejtën legjitime që është një e drejtë ndërkombëtare mbi pronën. Kjo është arsyeja që në Gjykatën e Strasburgut sot ke me mijra kërkesa që shkojnë nga Shqipëria për të marrë drejtësi. Dhe nuk ka gjë më të dhimbshme kur njeriu, ose njerëzit në masë i largohen vendit të tyre për të marrë drejtësi diku tjetër. Dhe proceset që po vijnë njëri pas tjetrit, po i japin drejtësi sikurse janë standardet e Europës së lirë dhe demokratike, ç’ka do të thotë që ky proces direkt, apo indirekt penalizon drejtësinë shqiptare, por edhe administratën shqiptare. Unë nuk dëshiroj të futem në terma specifikë për çështjen e pronës, por çështja e pronës është një moment bazal që ka të bëjë me ekonominë shqiptare dhe ka të bëjë me të ardhmen e sigurtë dhe pa konflikte në Shqipëri. Të thuash që kemi territore që nuk i administrojmë dot, atëherë kjo do të ishte, ose do të ishte ky një argument që do të na e vështirësonte bisedën. Po të marrësh në konsideratë territoret që jo vetëm administrohen, ke mundësi të administrosh, por je në gjendje të bësh vlerësimin jo me metra katrorë, por edhe me centimetra katrorë, patjetër një rrugë e cila duhet t’i bëjë të gjithë të mendohen, sepse ka interferenca jo thjesht në momentin e hartimit të ligjeve, por, ç’ka është më e keqja, në momentin kur implementohet ligji. Unë në pozicionin tim të ri, sigurisht që kam mundësinë që të komunikoj me aktorët institucionalë, të bëj prezent atë që shikoj dhe atë që dëgjoj, atë që më vjen nëpërmjet korrespondencës dhe të sensibilizoj. Por problemet e zyrave të regjistrimit të pasurisë, problemet që vijnë në komisionin e kthimit dhe të kompensimit të pronës, janë në organogramën që lidhet drejtpërdrejtë me Ministrinë e Drejtësisë, lidhen me qeverinë. Kështu që në kontaktet që unë kam pasur edhe me ministra, edhe me Kryeministrin, kam shprehur shqetësimin që ky problem duhet në mënyrë definitive të zgjidhet, të mos lihet zvarrë, për ta futur në një shtrat kronik, i cili vështirë se do të ketë një datë të caktuar se kur mund të përfundojë. Ju e keni parë që tentativat për të zgjatur gjithmonë afatin e prezantimit të dokumenteve nuk janë të rastësishme, sepse kjo tregon që jo se ka munguar vullneti i atij që është i interesuar për pronën, sepse ai ka 17 vjet që e kërkon, por ka munguar vullneti i njerëzve të caktuar në administratë, për të qenë aktorë të vërtetë institucionalë, për t’ia zgjidhur problemin. Dhe sot ka njerëz të cilët e kanë bërë prezent shqetësimin e tyre. Dalim me një realitet të ri, kanë shpresuar që e kanë konservuar pronën e tyre dhe rastësisht del dikush tjetër dhe thotë që është prona ime. Pra ka mbivendosje dhe këto mbivendosje vijnë nga një e rënë e lapsit. Një centimetër në hartë, në varësi të shkallës së hartës, mund të kesh një kilometër në terren. Pra presupozohet që edhe problemi edhe zgjidhja sot është në zyrat e shtetit. Askush nuk mund të bëjë një debat në ajër rreth këtij problemi, që duhej të vinte realisht duke u zvogëluar. Me kalimin e kohës po vjen duke u zvogëluar mundësia e marrjes së pronës, ky problem vjen çdo ditë edhe intensifikohet. Pse? Ndjëshmëria për pronën vjen edhe rritet. Tjetër ndjeshmëri ka pasur në vitin 90-të për pronën, ku të gjithë njerëzit kishin dëshirë t’i afroheshin qendrave urbane, për t’iu larguar realitetit që kishte fshati, ndërsa sot pas 17 vitesh, fshati, sidomos në periferi të qyteteve të mëdha është shumë i preferuar. Pra po shohim një tendencë që e ka patur gjithë bota dhe në një moment të caktuar, kur ke mundësinë e lëvizjes, ke mundësi të tjera ekonomike, i largohesh qendrës urbane për në periferi. Por këtë mundësi nuk e ke, sepse këtu në periferi janë bërë abuzime shumë të mëdha. Këtë nuk e them unë personalisht, këtë e thonë proceset që janë futur në rrugë ligjore dhe tregojnë se si janë bërë abuzimet. Janë kapur tre, por ju siguroj që ka pasur probleme dhe tek 30-të të tjerë. Pra për të folur me sensibilitetin që ka qytetari, ky është një proces që duhet të merret seriozisht nga hallkat e administratës, sepse vetëm kjo do të vendosë një ekuilibër definitiv, ku njerëzit do të mendojnë për zhvillimin e pronës së tyre, për t’u futur në bashkëpunim me investitorë dhe për të qenë pjesë e asaj perspektive që kërkojmë të gjithë, perspektivës europiane, ku të punojmë të gjithë me standarde ligjore, ekonomike dhe urbanistike.

Gazetari:: Ju mendoni se mjafton që të bëhet drejtësi dhe çështja e pronës zgjidhet, apo duhen ndryshime edhe në legjislacion.

Presidenti Topi: Unë mendoj që legjislacioni ka vënë një realitet të ri në Shqipëri. Pra nuk është një legjislacion që ka dalë para shtatë muajsh, që mund ta ndryshosh kollaj sot. Ky është një legjislacion i përpunuar 15 vjet përpara, 17 vjet përpara dhe në termin mjekësor është lezion organik pra ka lënë një lezion të fortë në organizëm, pra në terren. Çfarë ka mundësi të realizohet në funksion të zgjidhjes së problemit është shumë i mirëpritur të realizohet. Por unë mendoj dhe kjo është një analizë personale që po bëj, mendoj që zyrat e administratës kanë mundësi të jashtëzakonshme që të japin drejtësi sipas ligjit. Pra nuk është ligji ai që ka penguar njerëzit. Vërtet, perceptimi për ligjin 7501 është i ndryshëm, këtu është problemi që është abuzuar në zbatimin e ligjit 7501. Pra janë dy diskutime të ndryshme. Diskutimi bazal, fondamental është: dikush është për ligjin 7501, dikush është kundër këtij ligji. Nuk po diskutojmë këtë, unë nuk diskutoj çështjen a duhet të ndryshojë ligji, apo jo, unë diskutoj çështjet e zbatimit të ligjshmërisë. Si është zbatuar? Ju siguroj që ky është diskutimi i dytë. Sigurisht që në zbatimin e ligjit 7501, sikurse jam shprehur dhe diku tjetër, ka pasur abuzime dhe ju siguroj që ende vazhdohet të abuzohet.

Gazetari:: Zoti President, dëshiroj ta vazhdoj bisedën lidhur me një ndër ngjarjet më të mëdha historike për atë çfarë pritet të ndodhë në Kosovë dhe çfarë ndodh në komunitetin ndërkombëtar në kuadër të definimit të statusit final të Kosovës. Gjatë vizitës së z. Prodi, Kryeministrit të Italisë në Shqipëri, u vu re tendenca që Tirana pranoi sërish një shtyrje të shpalljes së menjëhershme të datës së pavarësisë së Kosovës. A mendoni se kjo u bë si një shkëmbim i një ftese të mundshme për anëtarësimin tonë në NATO?

Presidenti Topi: Absolutisht nuk duhet perceptuar në këtë mënyrë. Ju siguroj që mbi gjysmën e kohës që kemi patur në dispozicion në të gjitha takimet ndërkombëtare, qofshin këto të zhvilluara në institucionet shqiptare, qofshin këto të zhvilluara jashtë, ia kemi kushtuar çështjes së Kosovës me shumë preokupacion dhe motivacion. Dhe nuk mund të ketë asnjë lloj elementi tjetër që kompenson qëndrimin ndaj pavarësinë e Kosovës. Ky është një proces historik, është një proces historik, i cili jo vetëm do të ndodhë, por do të ndodhë shumë shpejt. Por do të ndodhë në harmoni të plotë me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, i cili fatmirësisht, gjatë ditëve të fundit, ka bërë një progres të jashtëzakonshëm të paimagjinueshëm edhe për skeptikët, edhe për optimistët më të mëdhenj. Do të thotë që Bashkimi Europian sot është afër sinkronizimit dhe vendosjes në bllok të një qëndrimi për pavarësinë e Kosovës. Pra, sot pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme. Dikush thotë se është çështje javësh, dikush thotë që është çështje ditësh, ju siguroj që në termat relativë të asaj kohe të gjatë që ka kaluar, me vite e me dekada, ju siguroj që është çështje ditësh. Çështja e Kosovës po shkon në rrugën e dëshiruar, fakti që Presidenti Sejdiu është sot në Këshillin e Sigurimit, si një zë që dëgjohet, ky është momenti paralajmërues, është një element tjetër që Kosova po dëgjohet si një zë institucional edhe në Këshillin e Sigurimit. Pra, statusi i pavarësisë së Kosovës është i projektuar. E rëndësishme është që liderit kosovarë po sillen në mënyrë shumë të qytetëruar dhe janë protagonistë kryesorë dhe interlokutorë të partnerëve të perëndimit, të cilët janë shprehur drejtëpërdrejtë. Pra, unë personalisht e kam admiruar mënyrën se si ka vepruar klasa politike kosovare, shoqëria kosovare me zgjedhjen e 17 nëntorit, duke i treguar perëndimit standardet e institucionit më të rëndësishëm që është institucioni i zgjedhjeve. E kanë bërë në një mënyrë shumë të qetë, kanë lexuar rezultatin në mënyrë shumë korrekte, janë sjellë pas zgjedhjeve në mënyrë shumë qytetare dhe sot kanë të drejtën legjitime që të vlerësohen edhe për këtë akt. I kanë bërë thirrje edhe pakicave për të marrë pjesë në qeverisje, ç’ka do të thotë që janë në respekt të standardeve që ka sot gjithë bota demokratike e përparuar për minoritetet, institucionet e kultit, për të bërë një shtet demokratik, multietnik, sikurse kanë deklaruar të gjithë liderët kosovarë. Kështu që unë mendoj që realisht është çështje ditësh kur Kosova do të fitojë me përkrahje të gjerë ndërkombëtare statusin e pavarësisë së saj.

Gazetari:: Ju thatë çështje ditësh dhe të paktën në kanalet diplomatike dhe në mediat ndërkombëtare thuhet se për t’i lejuar Prishtinës që të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë, pritet të përfundojnë zgjedhjet presidenciale në Serbi. Një palë zgjedhje të tjera iu desh shqiptarëve të prisnin, ato të një viti më parë, zgjedhjet e përgjithshme. A mendoni që zgjedhje pas zgjedhjesh po shkohet në një gjendje stanjative që do të eksplodojë më pas?

Presidenti Topi: Nuk mendoj që çështjet që kanë të bëjnë me janarin janë çështje vitesh, janë çështje ditësh. Duke parë dinamikën e evoluimit të situatës në sensin pozitiv, po ju them që ka një progres të jashtëzakonshëm dhe gati – gati një qëndrim deklarativ për statusin e pavarësisë së Kosovës. Nuk ka absolutisht asnjë lloj simptome negative që të bën të mendosh për të kundërtën. Edhe ata zëra të izoluar sot konsiderohen zëra të sfumuar, ç’ka do të thotë që parashikimi është se shumë shpejt do të kemi Kosovën me statusin e pavarësisë.

Gazetari:: Duke e shpallur në mënyrë të njëanshme...

Presidenti Topi: Unë do të shpresoja shumë. Fakti që patëm bisedë 120 ditore shtesë, pala serber nuk lëshoi për asnjë gjë në tryezë, tregon që në esencë nuk ka asnjë lloj shansi që të ketë një mirëkuptim midis tyre. Qëndrimi i Rusisë ka qenë një qëndrim i ashpër në favor të Serbisë, por mendoj që fakti që iu dha shansi zotit Sejdiu edhe me miratimin e Rusisë që të shpalosë idetë e tij në Këshillin e Sigurimit, tregon që ky proces praktikisht po shkon në sensin më pozitiv të mundshëm.

Gazetari:: Nga informacioni që keni ju zoti President si Kryetar i Shtetit, sa vende të Bashkimit Europian do ta njohin pavarësinë?

Presidenti Topi: Ka pasur një grup të vogël shtetesh, të cilët patën fillimisht një pozicion strikt për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Pa i përmendur si emra, janë edhe shtete që kanë probleme, por kurrësesi nuk mund të jenë probleme si në Kosovë, sepse rasti i Kosovës është një rast “sui generis”, është një rast shumë specifik dhe dita ditës këto vende po e modifikojnë qëndrimin e tyre dhe së fundi ka pasur një pozicion, i cili qëndron konstant, ka qenë pozicioni i Qipros dhe, besoj që në mekanizmat që ka Bashkimi Europian, nëse përgjithësisht vendet e Bashkimit Europian do të mbajnë një qëndrim, sikurse janë shprehur, shpresoj të ketë mekanizma të tilla abstenimi që do të bënin që politika e BE-së të ishte në politikë në bllok dhe kjo do të ishte shumë e mirëpritur, shumë e admirueshme dhe besoj do të ishte një sinjal i qartë që BE e konsideron çështjen e Kosovës si një çështje, apo pjesë organike të saj dhe besoj që do t’i kontribuojë stabilitetit në rajonin ballkanik, por edhe ëndrrës që kanë shtetet e Ballkanit për të qenë pjesë e familjes europiane në të ardhmen.

Gazetari:: Zoti President, ju falenderoj që ishit në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”!

Presidenti Topi: Faleminderit juve!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›