E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti studentë të dalluar të universiteteve shqiptare.

19 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur me rastin e festave të fundvitit një përfaqësi studentësh të dalluar nga universitetet publike e private të kryeqytetit nga Universiteti i Tiranës, Universiteti “Zonja e Këshillit të mirë”, Akademia e Arteve, Akademia Vojo Kushi, Universiteti Politeknik, Universiteti i Nju Jorkut, Universiteti Luarasi, Universiteti Europian i Tiranës, Akademia e Filmit dhe e Multimedias ”Marubi”, Universiteti "Polis" dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Kryetari i shtetit ka bashkëbiseduar me studentët për ecurinë e tyre arsimore dhe sfidat e gjithsecilit për të ardhmen. Pasi përgëzoi studentët për rezultatet e shkëlqyera të arritura në mësim, Presidenti i Republikës iu drejtua të pranishmëve me një fjalë të shkurtër përshëndetëse:

“Është një kënaqësi e veçantë për mua sot që në Presidencë jo thjesht për të vendosur gurin e një tradite ku në pragun e festave Presidenti duhet të takojë kategori të ndryshme shoqërore, por e quaj shumë të rëndësishme e të qënësishme që të takojë përfaqësinë e studentëve më cilësorë që vijnë nga universitetet publike dhe ato private, pikërisht për t’i përgëzuar ata për rezultatet që kanë arritur dhe për t’iu dhënë një mesazh kurajoje dhe suporti dhe mbështetjeje për të ardhmen et yre duke dhënë një mesazh për të gjithë, jo vetëm për universitetet të cilat duhet të rrisin vëmendjen ndaj jush, të rrisin kualitetin, por edhe institucionet dhe mesazhi që mund të jepet është jo thjesht për ato shtetërore, por një mesazh mund të jepet dhe për institucionet që konsiderohen private. Ky është thjesht një mesazh, sepse Institucioni i Presidentit e ka kornizën e vet të funksionimit, por Presidenti i Republikës ka të drejtën e tij të interesohet edhe për të ardhmen e këtij brezi, i cili do t’i shërbejë Shqipërisë, do t’i shërbejë institucioneve dhe kuptohet, kur i shërben mirë institucioneve, kur i shërben me njerëz të kualifikuar, me njerëz cilësore, kur jep garanci që kjo kategori që mund të cilësohet edhe si fondi i ekselencës të kenë të qartë edhe perspektivën e tyre, sepse duhet të shkojnë bashkarisht, edhe dëshira e studentëve, mundi i tyre për të arritur rezultate të larta me mundësinë dhe aksesin që duhet të kenë ata për t’u integruar sa më shpejt në jetën e institucioneve dhe të shoqërisë. Kështu që për mua merr një kuptim të veçantë ky takim, duke dashur të them që krahas studentëvë që studiojnë këtu ne japim mesazh edhe për studentët e shumtë që studiojnë jashtë. Janë një numër i konsiderueshëm, por unë mendoj se pavarësisht se ku studion, nëse studion në universitetet shqiptare, apo shkon në universitetet e huaja, sigurisht që vërehet një lloj ndryshimi ndoshta në emrin, apo kualitetin, por ju siguroj që në eksperiencën time studenti është njësoj kudo, sepse ka të bëjë me vetëdijen e studentit, ka të bëjë me dëshirën e tij, me punën e tij, me angazhimin, ç’ka do të thotë që pikërisht studenti e ka në dorë veten e tij. Sa kohë i kushton ai mësimit, si motivohet ai për të mësuar, por nga ana tjetër, ajo që nuk ka të bëjë me ju është rritja sikurse thashë e cilësisë, e kualitetit të universiteteve. Ju e keni parë që kanë qenë pjesë e angazhimeve të institucioneve debati për universitetet, në mënyrë që universiteti jo vetëm të jetë një mjedis ku zhvillojnë aktivitetin pedagogët, por në radhë të parë të jetë mjedisi ku pedagogët realizojnë lidhje të qënësishme me studentët, sepse universiteti pa studentët dhe sidomos pa studentët cilësorë do të ishte një mjedis i ftohtë dhe nuk do të jepte asnjë lloj shansi për të qenë optimist për të ardhmen. Fatmirësisht, ajo që ne konstatojmë sot pavarësisht që ka shumë problemet që janë probleme të rritjes dhe të konsolidimit të institucioneve shqiptare, shikojmë që ka një rritje të ndjeshme të dëshirës për arsimim. Njerëzit janë sipas mundësive ekonomike në diferenca: ka familje që janë në gjendje, ka familje që janë mesatare, apo dobët nga pikëpamja ekonomike. Ju duhet t’i jeni shumë mirënjohës prindërve, familjeve tuaja që shpeshherë me shumë sakrifica heqin gjithçka, shpeshherë edhe privohen nga momentet më të rëndësishme të një familje pikërisht për t’iu shkolluar. Ajo që i shpërblehet familjes është kur dilni me rezultate shumë të mira. Kjo është lidhja me familjen.

Lidhja tjetër sigurisht që duhet të jetë me vëmendjen që duhet të ketë shteti. Nisur nga eksperiencat e vendeve që kanë dekada që janë futur në rrugën e ekonomisë së tregut, që kanë shoqëri të përparuara, që funksionojnë mbi bazën e rregullave të konsoliduara të demokracisë dhe të shoqërisë edhe mbi bazën e kompeticionit të ekonomisë së tregut ka eksperienca ku kompeticioni midis kompanive dhe strukturave të shtetit bëhet pikërisht në përzgjedhjen e elementëve cilësorë qysh në momentin kur ato janë në vitet e universitetit. Industri të mëdha shkojnë dhe konkurojnë dhe shpenzojnë që të marrin, të ekstraktojnë, të thithin nxënësit dhe studentët më cilësorë. Ne këtë shans në Shqipëri nuk duhet ta humbim. Nuk duhet ta humbim në radhë të parë këtyre institucioneve që të rinovojnë pa asnjë lloj konservatorizmi qysh në hapat e para kur studentët dalin në jetë të rinovojnë strukturat e tyre me studentë shumë cilësorë që janë ekselentë, në mënyrë që studentët kur dalin, ose dhe përpara se të dalin nga universitetet të kenë një motivim, të studiojnë duke bërë në radhë të parë detyrën për veten, por të dalin me rezultate të larta, sepse e kanë një mundësi. Pra mos të rrinë në ankthin e pritjes për vite e vite duke harruar edhe atë ç’ka kanë mësuar, për të hyrë në një shoqëri me rregulla në mënyrë që t’i shmangemi edhe atyre preferencave që vinë nga miqtë e miqve, nga rrethi i miqve, e për të shkuar pastaj në administrata që konsiderohen preferenciale për miqtë. Kështu që jemi këtu jo vetëm në pragun e festave për t’iu uruar festat, për t’iu uruar për rezultate të larta, por nga ana tjetër edhe për të dhënë disa mesazhe inkurajimi dhe sensibilizimi në këtë linjë. Ju keni shanse shumë të mëdha, sepse ne jemi në momente shumë të rëndësishme për shoqërinë dhe institucionet tona, ne shpresojmë që jemi në momente historike për kombin shqiptar, qoftë për sfidat e integrimit, qoftë edhe momente që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës. Këto nuk janë evenimente që ezaurohen në një ditë për t’i festuar. Këto hapin mundësi të mëdha për zhvillimin e rajonit tonë, të vendit tonë për të hapur tregun e punës dhe kjo duhet t’ju bëjë ju të jeni kurajozë, më të inkurajuar në studimet tuaja, të jeni shumë të përgatitur, jo thjesht për të mbuluar ato detyrimet e shkollës, për të mësuar gjuhë të huaja e për të qenë kompetitivë dhe unë jam i bindur që hapësira që është krijuar sot qoftë me universitete publike, qoftë me universitete private do t’ju bëjë ju që të shkoni me një vizion përtej afatit kur mbarojnë studimet universitare. Unë ju falenderoj shumë që keni ardhur dhe dëshiroj t’ju them që ky komunikim duhet të konsiderohet si një komunikim i natyrshëm, jo thjesht për të dhënë një mesazh për festat, por për t’ju inkurajuar realisht dhe për të vendosur edhe një lloj marrëdhënieve, e cila nuk fillon dhe nuk mbaron në pragun e festave, por duhet të jetë një marrëdhënie, ku institucioni i Presidentit të jetë në kontakt me ju për të gjitha problemet e rritjes që keni dhe ç’ka është më e rëndësishme për me hapur atë vizion që ka të bëjë me perspektivën tuaj, në mënyrë që njerëzit më cilësorë, njerëzit më kualitativë që vijnë nga radhët e universiteteve të kenë aksesin, të kenë përqindjen e tyre për të hyrë në institucione. Pastaj është përzgjedhja juaj, nëse do të punoni në sektorin shtetëror, apo do të punonin në sektorin privat. Unë edhe një herë dëshiroj t’ju uroj nga zemra “Gëzuar Festat!”, sepse edhe fjalimet e gjata në prag festash janë të tepërta dhe të ngremë një gotë për shëndetin e gjithësecilit, për shëndetin e familjeve tuaja dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Faleminderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›