E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Naser Mohamed Al Ahmad Al Sabah.

13 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Naser Mohamed Al Ahmad Al Sabah dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi çmoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të hershme mes dy vendeve tona, vuri në pah se shkëmbime vizitash të niveleve të larta politike jo vetëm i forcojnë ato edhe më tej, por ofrojnë mundësi të reja edhe për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në ekonomi, energjitikë, turizëm, etj.

Presidenti Topi përshkroi reformat e ndërmara nga vendi ynë për fuqizimin e shtetit të së drejtës, thellimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore si edhe për përmbushjen e standarteve që do të mundësojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri kuvaitjan, pasi falenderoi Kreun dhe shtetin shqiptar për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën vëllazore me të cilën u përcoll vizita e tij zyrtare, theksoi nivelin shumë të mire të marrëdhënieve dypalëshe, vuri në pah gatishmërinë e shtetit të tij për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe i përcolli përshëndetjet e përzemërta të Madhërisë së Tij, Emirit të Kuvajtit, Sabah Al-Ahmad Al-Xhaber Al-Sabah, së bashku me ftesën për të vizituar Kuvajtin, ftesë që u mirëprit me kënaqësi nga Presidenti Topi.

Duke folur për statusin e ardhshëm të Kosovës si çështja më aktuale e rajonit, Presidenti Topi rikonfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë në mbështetje të Planit Ahtisari, por edhe besimin në pavarësimin e shpejtë të Kosovës si zgjidhja më e drejtë që do sigurojë stabilitetin dhe të ardhmen europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Kryeministri Naser Mohamed Al Ahmad Al Sabah duke shprehur mbështetjen për pavarësinë e Kosovës është deklaruar optimist për të ardhmen e saj.

Në takim morën pjesë edhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ai i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›