E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD nën kujdesin e Presidentit Topi hap fushatën publike kombëtare për strategjinë e reformës në drejtësi.

12 dhjetor 2007

Këshilli i Lartë i Drejtësisë organizoi sot debatin e hapur publik mbi strategjinë e reformës në drejtësi. Iniciativa e KLD-së është e para në llojin e saj dhe zhvillohet nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, tre muaj pas tryezës që Kryetari i Shtetit inicioi me kryetarët e partive parlamentare në vend ku u shpreh vullneti i përbashkët politik për domosodshmërinë e realizimit të reformës në drejtësi.

Në takim morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik e të organizatave të huaja që asistojnë vendin tonë në fushën e drejtësisë, deputetë etj.

Presidenti Topi, në mesazhin e tij drejtuar të pranishmëve theksoi se “debati mbi reformën në drejtësi është i rëndësishëm dhe jetik për integrimin e Shqipërisë”. Ndër të tjera, Presidenti i Republikës i bëri thirrje “të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve të pranishëm që të bëhen pjesë aktive e këtij debati, duke dhënë ekspertizën e tyre për reformën”. Presidenti shtoi se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë po punon për një vizion dhe imazh të ri në të ardhmen”.

Zv/Kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu prezantoi strategjinë mbi reformën dhe platformën për të ardhmen e drejtësisë shqiptare dhe theksoi se “KLD po i hap dyert dhe po përgatitet për fushatën juridike në mbarë Shqipërinë, si formë për të mbështetur reformat në gjyqësor”.

Gjatë tre orëve të kohëzgjatjes së takimit kanë përcjellë mendimet, propozimet konkrete dhe mesazhet e tyre Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, z. Helmut Lohan, Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio de Balance, znj. Melisa Schreibeman, Drejtore e Programit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër krimit dhe shtetin ligjor (OPDAT), Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deputetët Spartak Ngjela, Neritan Ceka, Pëllumb Xhufi, Dashnor Sula, politikanët Sabri Godo e Dashamir Shehi, përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor Dritan Broci, Ardian Leka, Shkëlzen Hajdari, Aldo Shala, Aleksandër Mushaj, eksperti ligjor i PS-së, Ylli Manjani dhe kryetarja e ILDP, Fatmira Laskaj.

Në mbyllje të takimit Presidenti Topi ka bërë të ditur se kjo fushatë e KLD-së do të zhvillohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe synon të bëjë për herë të parë pjesë të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për drejtësinë vetë gjyqtarët e prokurorët, si dhe partnerët ndërkombëtarë. Të gjitha debatet dhe tryezat do të realizohen nën transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut dhe të medias.

Në përfundim të kësaj fushate, Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një platformë dhe qëndrim të përbashkët juridik të të gjithë komunitetit të gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për reformën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›