Investimet e huaja direkte arrijnë 404 milionë euro në 3-mujorin e parë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në 404 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 11,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit të bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte vijojnë të mbeten të përqendruara në pasuri të paluajtshme, që zënë 43% të totalit, ose rreth 174 milionë euro.
Pas këtij sektori renditen ndërmjetësimi financiar me 17%, energjetika me 9%, komunikacioni me 5% dhe industria nxjerrëse e hidrokarbureve me 4%.
Struktura e investimeve tregon se 206 milionë euro, ose 51% e totalit, kanë ardhur nga fitimet e riinvestuara të kompanive me kapital të huaj, duke shënuar një ulje të lehtë prej 3,7% në bazë vjetore.
Ndërkohë, kapitalet e reja të investuara arritën në 183 milionë euro, me rritje prej 25,3% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar rritje të interesit për investime të reja në ekonomi.
Në të njëjtën kohë, investimet në instrumente borxhi kanë shfaqur luhatje gjatë periudhës, duke mbetur me peshë më të kufizuar në strukturën e përgjithshme të investimeve të huaja direkte, në rreth 14 milionë euro në fund të tremujorit. /j.p/