Raporti i kredive me probleme zbriti në 3,75% në prill

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar vijoi trendin rënës duke zbritur në 3,75% në muajin prill.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ra në 3,75% në muajin prill, nga 3,85% që ishte në mars. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është ulur me 0,28 pikë përqindje, nga 4,03% në prill 2025
Raporti i kredive me probleme ndodhet aktualisht në nivelin më të ulët të regjistruar në gati 2 dekadat e fundit, duke reflektuar përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë në sektorin bankar.
Në fund të muajit prill, stoku i kredive me probleme vlerësohej në rreth 36,3 miliardë lekë. Ndërkohë, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 968,2 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat tregojnë se zgjerimi i kreditimit ka vijuar edhe gjatë muajve të parë të vitit, i mbështetur nga rritja e financimit për bizneset dhe kreditë konsumatore. /j.p/