Irak, "Ali kimiku" në litar
"Ali kimiku", kushëriri dhe bashkëpunëtori i Sadam Hyseinit, dikur njeriu më i frikshëm në Irak, do të varet brenda disa ditësh, pasi edhe pengesa e fundit ligjore që mbante pezull ekzekutimin e tij është rrëzuar. Ekzekutimi i tij është miratuar nga presidenca irakiane. "Ali Kimiku" ishte dënuar me vdekje, pasi u shpall fajtor për akuzat për gjenocid, për vrasjen e 100 mijë kurdëve gjatë fushatës së Anfalit në 1988-ën, në Irakun e Veriut. "Ali kimiku", emri i vërtetë i të cilit është Hasan Al Maxhid, është dënuar me vdekje qershorin e vitit të shkuar, por pengesat ligjore kishin mbajtur pezull deri më tani ekzekutimin. Sipas ligjit, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 30 ditësh. Ai ishte dënuar bashkë me dy zyrtarë të tjerë të lartë, Hysein Rashid al-Tikriti, një shef i lartë i ushtrisë dhe ish-ministrin e mbrojtjes, Sulltan Hashem. Presidenca, që përbëhet nga Presidenti Xhalal Talabani dhe dy zëvendëspresidentët, nuk kanë miratuar ende varjen e al-Tikritit dhe Hashemit. Treshja, që është nën ruajtjen e forcave amerikane, duhej të ishte varur në tetor. Por, ekzekutimet ishin shtyrë për shkak se Hashemi u bë një kauzë për politikanët sunitë. Liderë të regjimit të rrëzuar, përfshirë edhe vetë Sadam Hyseinin dhe gjysmëvëllain e tij Barzan al-Tikriti, ishin dorëzuar nga amerikanët dhe varur nga qeveria irakiane pa ndonjë pasojë të rëndësishme në opinionin publik apo në politikë. Reputacioni i Maxhidit për përdorim të egër të dhunës ndaj kundërshtarëve e bëri atë shumë të njohur gjatë sundimit të Sadamit e madje shumë irakianë i druheshin më shumë atij se sa vetë liderit Hysein. I pyetur se kur do të varej Maxhidi, një këshilltar i Kryeministrit Nuri al-Maliki, tha: "Do të jetë një çështje ditësh". Zyrtarët thonë se do t‘i takojë qeverisë së Malikit të përcaktojë një datë për ekzekutimin. Ushtria amerikane ndërkohë ka thënë se nuk ka marrë një kërkesë për ta dorëzuar atë nga ana e autoriteteve irakiane, çka edhe do të sinjalizonte që ekzekutimi i tij është i afërt. Dënimi me vdekje i Maxhidit, qershorin e shkuar, u përshëndet nga shumë irakianë, por Talabani dhe zëvendëspresidenti Tarek al-Hashemi, një arab sunit, kundërshtuan ekzekutimin, duke argumentuar se njerëzit e ushtrisë nuk duhet t‘u nënshtroheshin dënimeve të tilla për shkak se kishin ndjekur urdhrat e drejtuesve të tyre politikë. Kjo i vuri ata përballë Kryeministrit Maliki, një islamik shiit, bashkëqytetarët e të cilit kishin vuajtur tmerrësisht shumë nën sundimin e Sadamit, kur minoranca arabo-sunite dominonte. Maliki kërkonte që ekzekutimet të kryheshin shpejt. Maxhidi u dënua për drejtimin e fushatës ushtarake të Anfalit, në 1988-ën, ku sipas prokurorëve janë vrarë deri në 180 mijë kurdë. Varja e tij në fakt pritej prej kohësh nga kurdët. "Sot, ne nuk kemi fjalë për të përshkruar kënaqësinë. Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të ndjej këtë kënaqësi të madhe brenda meje, pasi nuk kam me kë ta ndaj", thotë Nuri Abdul-Rahman, një 65-vjeçar, që ka humbur pesë djemtë e tij dhe një nip, gjatë fushatës së Anfalit.