Ishin shpallur në kërkim për plagosje, arrestohen në Tiranë tre persona

Tre persona, të shpallur në kërkim për plagosje, janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës këtë të shtunë. Përmes një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se është arrestuar M. H., 31 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe E. F., 29 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.
Personi i tretë i arrestuar është K. Dh., 35 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Elbasanit, me masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai iu dorëzua DVP Elbasan për veprime të mëtejshme.
Operacioni u realizua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara në informacionet e siguruara në rrugë operative, si dhe nga bashkëpunimi i komisariateve dhe seksioneve për hetimin e krimeve.
/rtsh.al/