ZAGREB – Milanoviç: Po punoj për anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe MV në BE sa më shpejt të jetë e mundur

ZAGREB, 7 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti kroat, Zoran Milanoviç është i mendimit se disa vende të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë mbajtur në paradhomën e BE-së për shumë vite dhe pa arsye të vlefshme dhe se ai po punon për anëtarësimin e tyre të plotë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Pë sa i përket Kroacisë dhe Italisë, për bashkëpunimin tonë, jetën në përgjithësi, Bashkimi Evropian padyshim ka qenë i frytshëm dhe i dobishëm”, shtoi Milanoviç, pas një takimi me homologun e tij italian, Seriog Mattarella në Zagreb.
“Bashkimi Evropian ka qenë vërtet një projekt konkret paqeje për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Italisë dhe do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdonte të vepronte në këtë drejtim në një shkallë më të gjerë”, deklaroi Milanoviç për median, pas takimit me presidentin Sergio Mattarella, në një vizitë zyrtare në Zagreb sot.
”Gjatë shekujve, dy popujt tanë kanë pasur një histori komplekse, të ndërthurur, me shumë antagonizma, i kemi parë të gjitha”, tha Milanoviç duke shpjeguar se sot “shembulli i marrëdhënies midis dy vendeve, atij kroat dhe atij italian, tregon se në ”rastin tonë Bashkimi Evropian ka qenë vërtet një projekt konkret paqeje”.
“Por, për vendet e tjera, sot është shumë më pak sesa ishte në të kaluarën, dhe pikërisht në këtë pikë ka ende çështje të paqarta, shumë pikëpyetje”, tha ai.
Deklarata e Milanoviçit është në përputhje me qëndrimin e tij të fortë kritik ndaj politikës aktuale të jashtme dhe të zgjerimit të BE-së.
Milanoviç ka shprehur vazhdimisht rezerva në lidhje me linjën e mbështetjes së plotë të Perëndimit dhe BE-së ndaj Ukrainës, veçanërisht në lidhje me premtimet për një anëtarësim të mundshëm të Kievit në BE, të cilat ai i konsideron jorealiste.
Për më tepër, presidenti kroat është i mendimit se disa vende të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë mbajtur në paradhomën e BE-së për shumë vite dhe pa arsye të vlefshme, dhe ai po punon për anëtarësimin e tyre të plotë sa më shpejt të jetë e mundur./ a.jor.