E Premte, 6 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen prokurori federal që hetoi çështjet e Donald Trump, largimi i dytë nga Departamenti i Drejtësisë pas zgjedhjeve

Prokurori federal i Distriktit Jugor të Floridës, Jason Redding Quiñones, i cili mbikëqyri hetimet lidhur me çështjet e mëparshme penale të presidentit amerikan Donald Trump, në cilësinë e prokurorit më të lartë federal në Majami, ka paraqitur dorëheqjen. Lajmi u bë i ditur sot nga ministri i Drejtësisë, Todd Blanche.

shba

Në cilësinë e prokurorit federal për Distriktin Jugor të Floridës, Quiñones ishte në qendër të përpjekjeve të Trumpit për ta përdorur Departamentin e Drejtësisë si instrument për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Zyra e tij ishte ngarkuar me hetimin e çështjeve penale që lidhen me mënyrën se si Trump kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara pas largimit nga posti i presidentit në vitin 2021, si dhe me kontaktet e fushatës së tij zgjedhore me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, mes çështjeve të tjera. Deri më tani, këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultate konkrete.

Dorëheqja shënon largimin e zyrtarit të dytë të lartë të Departamentit të Drejtësisë pas humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Nuk është bërë ende e qartë se përse Quiñones vendosi të largohej nga detyra. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, ai bëri të ditur se dorëheqja e tij hyn në fuqi që nga dita e sotme, e premte, duke theksuar se kishte qenë nder për të të shërbente në këtë pozicion.

“Jemi mirënjohës për drejtimin e Jasonit në luftën kundër krimit të dhunshëm, trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe krimit ndërkombëtar, përfshirë edhe ndjekjen penale të Raul Castros”, deklaroi Blanche në një postim në X, duke iu referuar ish-presidentit të Kubës.

Zyra e Quiñones kishte ngritur gjithashtu akuza penale ndaj Castros, në kuadër të një përshkallëzimi të rëndësishëm të fushatës së presionit që administrata Trump ushtronte ndaj shtetit komunist.

Departamenti i Drejtësisë tashmë ka mbetur pa drejtues në dy prej nismave të tij kryesore: rishikimin e hetimeve të mëparshme dhe vënien në shënjestër të arsimit të lartë.

Harmit Dhillon, zëvendësprokurorja e përgjithshme përgjegjëse për Divizionin e të Drejtave Civile në Departamentin e Drejtësisë, dha dorëheqjen një ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›