Kaja Kallas: Putini nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë e Evropës, Ukraina duhet të bëhet pjesë e arkitekturës tonë të sigurisë
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka të drejtë të vendosë veto mbi çështjet e sigurisë së Evropës, ndërsa Ukraina duhet të integrohet plotësisht në arkitekturën evropiane të sigurisë. Kështu deklaroi sot shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Gjatë një deklarate në Varshavë, ku ishte e pranishme së bashku me ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, dhe homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, Kallas theksoi se Evropa ka tashmë një strukturë të përbashkët sigurie, në të cilën NATO dhe Bashkimi Evropian kanë rolet e tyre përkatëse.
“Ne kemi tashmë një arkitekturë evropiane të sigurisë. Si NATO, ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë rolet e tyre përkatëse. Duhet të sigurohemi që Ukraina të integrohet në këtë arkitekturë”, u shpreh Kallas.
Ajo nënvizoi gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol të rëndësishëm në arritjen e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje.
Në të njëjtën kohë, shefja e diplomacisë evropiane kërkoi ndalimin e veprimeve sabotuese të Rusisë kundër vendeve evropiane, duke theksuar se këto akte duhet të marrin fund.
Deklaratat e Kallas vijnë në një moment kur çështja e sigurisë së kontinentit dhe pozicioni i Ukrainës në rendin e ardhshëm evropian mbeten ndër temat kryesore të diskutimeve mes vendeve të BE-së dhe aleatëve të tyre.