E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ju rrëfej për bacën Adem dhe Jasharët"

Plot 10 vjet më parë, në marsin e 1998-ës, në fshatin Prekaz të Kosovës, gjatë një përpjekje të armatosur, e cila zgjati për tri ditë me radhë, mbeti i vrarë nga trupat e ushtrisë serbe të Sllobodan Millosheviçit, njëri nga komandantët dhe udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, së bashku me 27 pjesëtarë të asaj familje. Që nga ajo ditë dhe më pas, sidomos gjatë periudhës së luftës së Kosovës, emri dhe figura e Adem Jasharit, do të kthehej në një mit dhe legjendë të vërtetë, i cili do të frymëzonte edhe shumë të rinj e të reja kosovare, kudo që ndodheshin, për të kapur armët dhe për t‘u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për legjendën e Kosovës, Adem Jasharin, apo siç njihet tashmë prej të gjithëve, baca Adem, janë thënë dhe shkruar shumë gjëra. Në këtë përvjetor të dhjetë të rënies së tij, gazeta "Shqip", ka realizuar një intervistë ekskluzive me publicistin, gazetarin dhe shkrimtarin e njohur, Bedri Islami, i cili ka qenë dhe një nga drejtuesit kryesorë të organizatës "Lëvizja Popullore e Kosovës", e cila e drejtonte edhe politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku Adem Jashari, ishte një nga komandantët dhe udhëheqësit më të shquar të saj. Nisur nga fakti se zoti Islami, veç të tjerash ka qenë dhe një mik i afërt i familjes Jashari, në intervistën e tij, që po botojmë në këtë shkrim, ai rrëfen shumë ndodhi dhe ngjarje të panjohura nga jeta e Adem Jasharit, si dhe një letër të gjatë, e cila publikohet për herë të parë ekskluzivisht për gazetën "Shqip".

Zoti Islami, plot dhjetë vite më parë, pikërisht në marsin e 1998-ës, do të bëhej i njohur për të gjithë shqiptarët emri i Adem Jasharit dhe i familjes së tij. Ky emër që nga ajo ditë dhe më pas, në përfytyrimin e shqiptarëve kudo ndodhen, do të ngrihej në mit dhe do të bëhej një nga figurat më legjendare të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju zoti Islami hyni në radhën e bashkëpunëtorëve të tij, por më shumë, me sa kemi dijeni, ju jeni i njohur edhe si mik i familjes Jashari. Nisur nga kjo, fillimisht a mund të na thoni diçka se si e keni njohur Adem Jasharin?

Pa as më të voglin dyshim që emri i Adem Jasharit është ndër më të njohurit dhe më të respektuarit në të gjitha trevat shqipfolëse dhe te bashkëkombësit e tij. Është ndër rastet e rralla të historisë njerëzore, jo vetëm të kombit tonë, kur emri i njeriut, në fare pak kohë, i dalë si nga legjenda, bëhet simboli i popullit të tij. Tashmë, ndryshe nga dhjetë vite më parë, kur ishte e zakonshme të pyetej se "kush është Adem Jashari", rreth emrit të tij është ngritur miti, legjenda dhe e vërteta. Sa lidhje kanë ato me njëra-tjetrën, ku është fillesa e njërit dhe vazhdimi i tjetrës, në cilin kufi ndahen ato nga njëra-tjetra, apo të tria së bashku, duke mos qenë, veçse vazhdim i njëra-tjetrës, përbëjnë atë që sot mund të quhet "çmimi ‘Nobel‘ i lirisë", siç është shprehur në ditët e para të pasluftës ministri i sotëm i Jashtëm francez, Bernard Kushner.

Përse ndodhi, menjëherë pas rënies, mitizimi i Adem Jasharit dhe ngritja e legjendës së tij? Ishte një rastësi, një thirrje e kohës, pasi populli kishte nevojë për një mit dhe një legjendë, ishte kërkesë apo gjithçka ishte e vërtetë dhe kjo po fillonte të bëhej qartësisht e lexueshme për të gjithë, për pasuesit e tij, por edhe për mohuesit e tij?

Adem Jashari është njëri ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandanti i parë i përgjithshëm i saj. Në ditën që u vra kishte më shumë se njëzet vite aktivitet ilegal, ishte dënuar tri herë në mungesë nga pushteti serb, dhe të tria herët me nga 20 vite, kishte më shumë se 10 vite që ishte i përfshirë në strukturat ilegale të luftës. Që pas 8 marsit të vitit 1998, emri i Adem Jasharit, të atit, bacës Shaban, vëllait, Hamzës, dajës Osman dhe i të gjithë atyre që luftuan në atë fillim marsi, i kullave që u shkrumbuan, i 57 jetëve që u dhanë, i pushkëve që u ngritën, i luftës deri në sublimitet, u bënë fillesa e simbolit të popullit që i takonin. Për këtë nuk u desh asnjë dekret dhe si të tillë askush nuk mund ta nxirrte, nuk u mor asnjë vendim, nuk u bë asnjë mbledhje e veçantë, gjithçka rrodhi krejt natyrshëm, tepër njerëzore, sublime do të thosha, deri në atë kufi ku kufiri mes mitit, legjendës dhe së vërtetës nuk është kurrë qartësisht i përcaktuar, sidomos në ditët e para.

A kishte një shkak tjetër, po ashtu aq madhor dhe sublim, sa edhe rënia e tyre, që solli mitizimin e menjëhershëm të Adem Jasharit?

Sigurisht që po. Në ditët e para, pas rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e natyrshme që ana figurative, emocionale, e prekshme, e dhimbshme, më e kapshme, lufta, qëndresa dhe sakrifica, të ishin më evidentet. Por emri i Adem Jasharit ishte i njohur. Në marsin e vitit 1998, ai ishte tashmë emri i njeriut luftëtar, i cili i kishte thyer forcat policore serbe dy herë radhazi. Po ashtu, me emrin e tij lidhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk duhet harruar se tre muaj më parë, pikërisht më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte bërë paraqitjen e parë publike. Nga ana tjetër, është një rastësi e bukur që Adem Jashari ka lindur pikërisht më 28 nëntor.

Mirëpo këto nuk mjaftojnë për të bërë një mit, ata shumë-shumë mund të bëjnë një shembull, një prijës të ditës, një emër për t‘u ndjekur, ata mund të bëjnë një këngë ose shumë këngë, por nuk mund të bëjnë mitin Njeri, nuk mund të hedhin bazamentin e legjendës, e cila në këtë rast, nuk është asgjë tjetër, veçse e vërteta?!

Për të kaluar nga emri i njeriut luftëtar në mit, Adem Jasharit nuk iu deshën më shumë se 48 orë. Që nga dita kur kishte vendosur të zgjidhte çështjen e Kosovës përmes pushkës dhe deri në ditën e rënies së tij, ishin më shumë se dy dekada, mirëpo edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të shpjeguar mitin e jashtëzakonshëm të Jasharëve. Që nga dita kur ishin hedhur themelet e para të fisit të Jasharëve në Prekaz dhe deri në ditën kur do të digjeshin për herë të fundit kullat e tyre, do të kishin kaluar treqind vite, mirëpo edhe ky autoktonitet, nuk i ka të gjitha në vete.

Në cilën ditë ose në çfarë demonstrimi është bërë për herë të parë i njohur publikisht emri Adem Jasharit?

Kjo ka ndodhur më 9 mars 1998, dy ditë pas përfundimit të luftës në Prekaz, në qytetin e Shtutgartit. Lëvizja Popullore e Kosovës do të organizonte një manifestim të madh kundër dhunës dhe pushtimit serb të Kosovës. Ishte manifestimi dhe njëkohësisht demonstrata e parë e madhe që bëhej. Së bashku me profesor Hasan Ukhaxhajn, ishim ftuar si drejtues të lëvizjes, për të folur në këtë manifestim. Në sheshin e madh ishin më shumë se njëzet mijë vetë. Më takoi të kisha fjalën e rastit. Ende nuk dihej saktësisht se çfarë kishte ndodhur në Prekaz, lajmet vinin të paqarta deri në fund, as në familjen Jashari që jetonte në Mynih ende asgjë nuk ishte e qartë. Pikërisht në këtë shesh, për herë të parë, pa kaluar as 48 orë nga vrasja e tyre, emri i Adem Jasharit gjëmoi. Kam parë njerëz që thërrisnin emrin e tij me gjithë shpirt, duke valëvitur flamurin kombëtar, sikur shpirti i tij ishte tashmë në palët e flamurit. Ishte një thirrje e re, krejt e veçantë, nga askush e orientuar, e dalë nga thellësia e shpirtit, megjithëse ende kishte shumë e shumë njerëz që pyesin se "kush është Adem Jashari?".

Po kthehem edhe një herë te pyetja që ju bëra më parë: ishte rastësi, kërkesë e kohës, apo ishte gjithçka e natyrshme, njerëzore dhe saktësisht e merituar mitizimi i figurës së Adem Jasharit?

Ne jemi mësuar ta shohim në fotografi të ndryshme Adem Jasharin, gjithnjë me armë në dorë, me pelerinën e luftës hedhur krahëve, me mjekrën e derdhur si ujëvarat e Bjeshkëve të Sharrit, me shikimin e tij të papërsëritshëm. Sytë e tij flasin më shumë se qindra deklarata, jemi mësuar edhe ta përfytyrojmë një njeri që vetëm ka luftuar, ka organizuar aksione, ka qëndruar, ka mposhtur armiqtë, ka ngrohur zemrat e njerëzve. Kështu jemi mësuar dhe të gjitha këto, duke qenë të vërteta, janë njëkohësisht edhe të paplota. Adem Jashari nuk është vetëm fotografia që njohim, vetëm thelbi i asaj që besojmë, nuk është vetëm streha nga e cila, domosdo kanë shkuar të gjithë ata që donin të luftonin, ai është shumë më tepër se kaq. Edhe shumë vite pas rënies së tij, shumë njerëz që kishin pozicione drejtuese në strukturat e luftës, kur duan të dëshmojnë një qëndrim apo të kenë një mbështetje, krejt natyrshëm i drejtohen Adem Jasharit apo faktit se kanë qenë në lidhje me të, se kanë bujtur te Jasharët, se kanë pasur kontakte ose se u kanë ndihmuar atyre. Në fund të fundit kjo është forca që ngjall emri i Jasharëve, sidomos i Ademit, bacës Shaban dhe Hamzës, dhe ne duhet ta pranojmë si të tillë. Jasharët, duan apo nuk duan, nuk do të mund t‘i shmangen kurrë mbështetjes që kërkojnë të tjerët tek emri i tyre.

Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot e kësaj dite Adem Jasharin krejt të veçantë në historinë e kombit tonë? Cila është rrjedha përmes së cilës ka ecur e vazhdon të ecë emri i tij? A ishte ai thjesht luftëtari, njeriu me pushkën hedhur krahëve, i hekurt dhe i ftohtë, i pafjalë dhe serioz, apo kishte shumë më tepër se kaq?

Personalisht, dua të them fizikisht, nuk e kam takuar asnjëherë Adem Jasharin. Nuk futem në radhën e njerëzve që e kanë pasur një fat të tillë në jetën e tyre. E kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij nga Fehmi Lladrovci, figurë tjetër e shquar e luftës në Kosovë, i cili u vra së bashku me gruan e tij, Xhevën, më 22 shtator 1998. Fehmiu kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të dhe mendoj se Adem Jashari ishte i vetmi njeri para të cilit përkulej Fehmi Lladrovci. Më pas do të mësoja se edhe Adem Jashari, kur i kishin kërkuar të kishte një ndarje me Fehmiun, do të thoshte se "vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci". Kjo ka qenë njohja ime e parë me të, përmes figurave që ishin të afërta me Adem Jasharin, por, thënë sinqerisht, nuk e kam menduar se po flisnim për njeriun që shpejt, shumë shpejt do të bëhej figura mitike e shqiptarëve. Ishte koha kur ai sapo ishte dënuar me njëzet vite në mungesë, në gjyqin e njohur ndaj Grupit të Drenicës. Më pas e pash fotografinë e tij dhe më bënë përshtypje sytë e tij, të cilët, kushdo që i sheh me vërejtje, e ndjen se kanë ngjashmëri të jashtëzakonshme me të shqiponjës. Por unë kam pasur një fat tjetër të dyfishtë: kam njohur nga afër, si mik i tyre, familjen e jashtëzakonshme të Jasharëve, të cilët kanë hisen e tyre të papërsëritshme në luftën që është zhvilluar në Kosovë. Unë mund të them me bindje se, nëse nuk do të kishte qenë mbështetja e tyre e hapur dhe angazhimi në strukturat e luftës, shumë gjëra nuk do të shkonin ashtu si do të rridhnin punët më tej. Në familjen e tyre, shumë herë, më ka takuar të shoh incizimet e ndryshme familjare, krejt të zakonshme, të shoh Ademin dhe Hamzën mes familjeve të tyre, të ndjek rrjedhën e jetës që ata kanë bërë, punët e hallet e përditshme, të dëgjoj se si e kanë konceptuar jetën dhe si kanë menduar për të ardhmen e Kosovës, duke folur krejt natyrshëm, i kam parë të luanin me fëmijët në një ditë të zakonshme, si silleshin me prindërit, atë aktin e veçantë kur i merrnin mes duarve të tyre dorën e nënës plakë dhe e përkëdhelnin butësisht, hyrjen pa bujë e zhurmë në dhomën e miqve, deri në një ditë të zakonshme kur merreshin me punët e përditshme, si do të ishte krasitja e pemëve apo çarja e drurëve në oborrin e shtëpisë. Nga familja e Jasharëve unë kam biseduar me shokët që ishin në Drenicë. Fati tjetër i imi lidhet me faktin se në vitet e luftës isha i zgjedhur drejtuesi kryesor i "Lëvizjes Popullore të Kosovës", organizatë së cilës i kishte takuar edhe Adem Jasharit, që nga mesi i viteve ‘80-të. Në arkivin e saj ndodheshin dhe mora më pas shumë kaseta, në të cilat ishin të regjistruara porositë e Adem Jasharit, mendimet e tij, qëndrimin e tij për njerëz, ngjarje dhe pozicione të ndryshme, kam dëgjuar vizionin e tij, i cili, kishte po të njëjtën peshë dhe po të njëjtën forcë si edhe lufta. Ndodheshin letra, të cilat ruhen edhe sot si thesar i jashtëzakonshëm dhe përmes tyre, mund të dallosh qartësisht se pas tij nuk është vetëm njeriu i luftës, por edhe i mendimit vizionar; nuk është vetëm luftëtari, por edhe prijësi; nuk është vetëm e tashmja, por edhe përvoja që kishte shkuar; nuk është vetëm Drenica, por edhe Kosova, nuk është vetëm Kosova, por edhe kufijtë më skajorë të Shqipërisë londineze. Adem Jasharin unë nuk e kam parë kurrë thjeshtë e vetëm si luftëtar, si dalëzotës i zakonshëm i Kosovës, por shumë më tepër se kaq. Përfytyrimi i Adem Jasharit thjesht e vetëm si një luftëtar, prijës apo edhe diçka më tepër, asnjëherë nuk ka qenë i saktë. Sepse ka qenë i paplotë. Kjo është thelbësorja. Sepse ka qenë vetëm njëra anë e shfaqjes së tij, ajo më e dukshmja, më e përfytyrueshmja, më e kapshmja. Ajo për të cilën është edhe më e lehtë të flitet, por që jo gjithmonë është e gjithë e vërteta. Adem Jasharin ne duhet të mësohemi ta shohim përtej këtij përfytyrimi, duhet të mësohemi ta shohim në ato përmasa që janë e vërteta e jetës dhe e mendimit të tij politik, perceptimit vizionar dhe e shfaqjes së tyre në kapërcyellin e shekullit që shkoi.

Cilat ishin disa nga çastet më themelore të mendimit politik të Adem Jasharit dhe të vizionit të tij?

Pas arrestimeve të mëdha që ndodhën në Kosovë, qeveria e asaj kohe i propozoi atij, si shumë të tjerëve, të ikte nga Kosova. Ai nuk pranoi. Adem Jashari e kishte mendimin e tij të pjekur politik dhe ky është guri i parë themeltar i çdo qëndrese: për vendin tonë duhet të luftojmë në vendin tonë. Nuk na bën mirë as buka e të huajit, as ngrohja e të huajit, as fjala e të huajit. Ai pra mund të rrinte, ta zëmë në Gjermani, mirëpo është nga gjërat e para që nuk i shkon ndër mend. Vizioni i qartë politik se lufta duhet filluar që nga vetvetja e duhet bërë në Kosovë, do të ishte ndër vendimtarët në politikën e fundit të shekullit të shkuar. Adem Jashari, krahas tij edhe figura të tjera madhore, si Zahir Pajaziti, do të kishin meritën e jashtëzakonshme, të papërsëritshme do të thosha, që pasi përcaktuan qartësisht vizionin e tyre u bënë njëkohësisht edhe mishërues të këtij vizioni. Në librin e shenjtë kristian, "Biblën", është edhe thënia e njohur e Jezus Krishtit se: "Nuk mund të jesh profet në vendlindjen tënde". Shembulli i Adem Jasharit dëshmoi se mund të ndodhte edhe ndryshe. Mund të ishte profet edhe aty ku kishe lindur. Kjo do të ndodhte nëse nuk do të shkëputeshe kurrë nga vendi yt, nëse nuk do t‘i humbisje ato lidhje të veçanta që të mbajnë fuqishëm pas saj. Së dyti, Adem Jashari do të krijonte, fillimisht në kujtesën e tij, e pastaj në konfiguracionin politik të strukturave të luftës, idenë e saktë se lufta do të mund të fitohej, nëse shteti amë, Shqipëria, do të ishte streha e dytë e luftës. Për të bërë sa më të qartë këtë vizion brenda vetes, ai rikrijon mitin e Çerçiz Topullit dhe bashkë me të vëllain, Hamzën, mitin e Mihal Gramenos. Ai mund të ngrinte brenda vetes një mit tjetër. Kishte mjaft të tillë, mirëpo ai e kërkon deri atje ku mendon se mund të jetë shembulli më i skajshëm, në Gjirokastër dhe ku është edhe njëkohësisht më domethënës: një toskë, luftëtar i vrarë nga sllavët në daljen buzë liqenit të Shkodrës. Në ditët e netët e luftës së njohur të 5, 6 dhe 7 marsit, Adem Jashari do t‘i kthehej edhe një herë mitit të tij: gjatë gjithë kohës ai do të këndonte këngën e njohur të Çerçiz Topullit. Do ta përsëriste dhe ripërsëriste, do ta kthente në thirrje e forcë, dhe më pas, pak kohë pas përfundimit të luftës, Besarta, e vetmja mbesë e fisit që mbijetoi do të thoshte se: "Sa kam dëgjuar bacin Adem që këndonte, hiç nuk kam pasë frikë...". Vizioni i Adem Jasharit se lufta duhej kaluar përmes të gjithë kombit do të ishte më se i saktë dhe jetik. Ai, në shumë raste, do të ishte ndër faktorët më përcaktues dhe njeriu i heshtur, Adem Jashari e kishte ditur dhe e kishte paraprirë këtë. Vizioni politik i Adem Jasharit, ndërsa është i mbështjellë me konfigurimin e armës, ka në thellësinë e vetë mendimin e qartë se lufta ishte e domosdoshme, pasi nuk do të kishte rrugë tjetër dhe, së dyti, kjo luftë nuk duhet bërë, ashtu kaçakçe, si kishte ndodhur jo rrallë në historinë e kombit tonë. Ai kërkonte shumë më tepër se kaq, dhe për të ngritur një gjë të tillë ai kishte aftësinë që të priste, të ecte në drejtëvizimin e duhur, të mos ngutej dhe të mos krijonte rreth vetes një rreth të mbyllur. Më shumë se gjithçka kjo do të ishte një luftë politike që kërkonte një drejtim politik. Në fillimet e vitit 1989 dhe më pas, Adem Jashari do të ishte një ndër anëtarët e strukturave ilegale që do të kërkonin ngritjen e ushtrisë së shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Grupi i Drenicës, mes të cilëve spikaste roli dhe figura e Adem Jasharit, do të thoshte qartësisht: "Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por dikush duhet t‘u dalë zot aksioneve tona. Jo vetëm t‘i mbështesë, por edhe të ketë përfaqësimin politik, mbështetjen politike". Kjo do të ndodhte për herë të parë pas shumë e shumë viteve. Deri atëherë lëvizjet spontane apo të organizuara të qëndresës shqiptare në Kosovë nuk e kishin pasur këtë element thelbësor, tani forcat politike ilegale e kërkonin këtë, ndoshta edhe duke pasur parasysh përvojat e deriatëhershme. Adem Jashari do të ishte njëri nga të parët që do ta kërkonte këtë, si forcë madhore për të krijuar qëndresën e armatosur dhe luftën deri në fitore.

A ka qenë e mundshme që lufta të niste më herët dhe rolin prijës, që asaj kohe, ta merrte Adem Jashari?

Sigurisht që po. Është i njohur fakti se rrethimi i parë i kullave të Jasharëve ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991. Në shtëpi ishin të tre djemtë, Rifati, Hamza dhe Ademi, ishte i ati i tyre, baca Shaban, ishin pjesëtarët e tjerë. Rrethimi kishte filluar që në orët e vona të mbrëmjes dhe, si do të dëshmonin më vonë pjesëtarët e familjes Jashari, ka qenë i pritur prej tyre. Ishte piku i dimrit, ftohtë i jashtëzakonshëm, gjithkah ishte mbuluar nga dëbora. Tre burrat e familjes Jashari, pas përleshjeve të forta, do të çajnë rrethimin dhe do të dalin në kahe të ndryshme, nga ku ndezën edhe një herë zjarrin e luftës. Policia morri peng 27 anëtarët e familjes Jashari, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra ata që i kishin mbi 13 vite, i nxorën me duar të lidhura, në borë, para tankut. Policët e nxorën po ashtu edhe nënën e Jasharëve si mburojë përpara, duke dashur të hynin në shtëpi, gjithnjë me mendimin se Ademi ishte brenda. Ndërkohë Grupi i Drenicës ishte mbledhur. Me orët që shkonin, filluan të shkojnë në ndihmë të Jasharëve njerëz të armatosur nga Prekazi, nga të gjitha anët e Drenicës, por edhe me gjerë se kaq. Mali përballë kullave ishte mbushur me njerëz. Secili e kishte nga një armë me vete. Aty u mblodhën për të gjykuar dhe u kanë thënë Jasharëve: "Merrni komandën dhe udhëhiqeni luftën".

(vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›