Mesuesi, ky Feniks i diturise
"Feniks"… Këtë metaforë të spikatur kishte zgjedhur për mësuesin, profesori ynë i nderuar Muzafer Xhaxhiu, kohë më parë, në bashkëbisedim me një gazetë javore. Ka sigurisht plot ofiqe për profesionistë të tjerë e deri burra shteti, por shpesh ato bien me kalimin e kohës, kurse "mësues" është si një emër i dytë për njeriun që hyn në klasë nën urdhrin e ziles. Asnjë emërtim nuk ngjan më pikant se ky, që ta blatojnë si me magji vogëlushët e klasës së parë. Është, si të thuash, i vetmi kult i çdo kohe, ku ai që ke mësuar dikur, mbetet përjetësisht i "vogël" para teje. Ndaj, vërtet mësuesi i shëmbëllen një Feniksi, rilindësi, si atëherë kur shkruheshin abetaret e para shqipe, si tash që ka hyrë epoka e internetit, sepse po pushoi iluminizmi brenda tij, pushon dhe ai së qeni… Dhe na shkon mendja së pari te vetë profesori i letërsisë antike greke-romake dhe plejada e tij themeluese universitare, që tash 85-vjeçar pret urimet e ish-studentëve të tij të shumtë. Do të donim dhe ne të thoshim ndonjë mbresë personale rreth figurës së këtij pedagogu fisnik (gjatë mbrojtjes së diplomës pasuniversitare, në kursin e kritikës letrare, njëzet vjet më parë), por kjo është një festë ku dhe të tjerë duan të thonë atë diçka-në e tyre të veçantë e të përzemërt lidhur me të, kështu që rezervohemi, për të mos e personalizuar shkrimin. Mjafton që, në mungesë të një buqete me lule për profesorin e moshuar diturak, gjejmë rastin fatlum t‘i themi dy fjalë uruese njeriut që për gjysmë shekulli, për tempull kishte auditorët e Fakultetit të Filologjisë së UT-së. Sa herë na duhet të rikthehemi tek ajo letërsi, tek ato mite e heronj homerikë, edhe nëse nuk mund të trokasim në derën e profesorit si dikur, vemi te rafti i librave dhe aty me siguri do të jetë ndonjëri prej librave të tij. Profesori sërish nuk na lë të gabojmë, pasi janë aty mësimet e tij të vyera, por dhe këshillat për autorët të rinj që duan të hyjnë në fushën e letrave. Gjithherë ka pasur profesorë karriere, manualet mësimore universitare të të cilëve janë shndërruar dalëngadalë në "bibël" e profesionit, në letërsi, gjuhësi, estetikë, pedagogji etj., ashtu si përvoja e tyre shkencore apo krijuese ka udhëhequr pasardhësit.
Një "patriark" i dijes…
Ata, ish-nxënësit, tashmë janë miqtë e tij dhe do të venë ta urojnë dhe këtë 7 Mars. Madje janë ata që ia kanë vënë titullin "patriark" i arsimit. Kishte pasur një histori të çuditshme dashurie mësuesi i tyre, e denjë për ndonjë roman. Ai, pra, drejtori i atij gjimnazi të sapokrijuar, në fund të viteve ‘50, atëherë djalosh, që sapo kishte kryer studimet, i kishte shfaqur dashurinë njërës prej mësueseve. Zonjusha, mbase nga droja (ngase ai që i kishte propozuar për martesë ishte drejtori), kishte gjetur një mënyrë disi klasike për t‘ia kthyer përgjigjen. Kishte shkruar një copë letër dhe ia kishte lënë atij në tavolinë, brenda një libri. Dhe kishte pritur ajo… (Por ai libër, nga rutina e punëve në shkollë, ishte mbyllur padashur, duke kyçur aty një dashuri që do të priste shumë gjatë). Shiheshin përditë ata të dy, drejtori dhe mësuesja, flisnin për shkollën dhe nxënësit, por asnjë fjalë më tepër… (Kishte menduar ajo se ai kishte ndërruar mendje, dhe pse vazhdonte ta donte. Kurse ai kishte menduar se ajo nuk e kishte dashur, ndaj dhe nuk kishte pasur se ç‘përgjigje t‘i kthente).
Po kalonin vitet për të dy, pa e ditur se "incidenti" me atë librin kishte qenë si me thënë fatal. Kur ja që një ditë, drejtori, tashmë burrë në moshë dhe studiues i njohur, rastësisht e kishte hapur atë libër të zverdhur aty në bibliotekën vetjake, kishte nisur ta shfletonte si për nostalgji, kur befas… një fletë delikate kishte rrëshqitur nëpër duart e tij dhe kishte rënë në divan… Nuk ishte një skedë me shënime pedagogjike, por ajo "po"-ja e dashurisë së asaj, që nuk ishte martuar as pas njëzet vjetësh, ashtu si dhe ai… Dhe qenë lidhur pastaj ata të dy në martesë, por nuk do të kishin fëmijë. Në qytetin verior, të gjithë e dinë historinë e tyre të pazakontë, që ai e pati zbuluar vetëm atë ditë që ajo mbylli sytë… Por ata të dy, ai një mjeshtër i arsimit, kurse ajo një mësuese e shquar, do të kishin një botë me "fëmijë", që do të ishin nxënësit dhe studentët e tyre të një gjysmë shekulli. Ai po shtegton drejt të ‘80-ve, si gjithnjë i paepur, duke shkruar libra pedagogjikë e duke pritur urimin e dyfishtë, për vete dhe për kujtimin e ish-mësueses së fizikës…
"Ora" e parë e historisë së Kosovës së pavarur
Njëqind vjet mësuesit e Kosovës ishin rrekur t‘u thoshin nxënësve, më sot e më nesër, se vendi i tyre ishte bërë shtet i pavarur, por nuk kishin mundur, pasi kjo nuk kishte ndodhur. Rasti do ta sillte që këtë shkurt "mësuesi" i parë i historisë së re të Kosovës të ishte, jo një shqiptar, por një francez, për më tepër Presidenti i Francës, Nikola Sarkozy. Do t‘u thoshte dy ditë para se të shpallej pavarësia nxënësve të një klase në vendin e tij, që ata të mësoheshin tashmë me hartën e re të Evropës, duke vënë dorën në hartën e shtetit më të ri të saj, mbi Kosovë. Ky gjest më solli para sysh miq të mi mësues kosovarë, Ismet Begajn në Malishevë, apo Prend Buzhalën në Klinë. Kisha bujtur në shtëpinë e të parit, një natë paslufte, ku gjurmët dhe plagët e bombardimeve me napalm ishin ende në tavan. Të nesërmen kishim marrë pjesë në një festë arsimore së bashku me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së vogël të Banjës, ku Ismeti ishte arsimtar. Kishte qenë vite më vonë në qytetin tim me librat e tij, i dyti, Prendi, njëherësh studiues letërsie. Të dy kishin provuar shijen e hidhur të burgjeve serbe, pikërisht për Kosovën e pavarur. Tani ata janë prapë në ato shkolla, duke shqiptuar Kosovën shtet në klasat e tyre…
Ora e re e historisë së Kosovës tashmë është një fakt për të gjithë mësuesit e rruzullit, të cilët do të afrohen te harta e Evropës, ashtu si zoti Sarkozy, dhe do të kumtojnë: Kjo është Kosova, shteti më i ri i Evropës, që më 17 shkurt 2008 shpalli Pavarësinë, të cilën e njohën shtetet më të fuqishme e më demokratike të botës, SHBA, BE… Pastaj ata mësuesit, që flasin në të gjitha gjuhët e globit, do t‘u shpjegojnë nxënësve të tyre, si kishte qenë më parë historia e këtij vendi, që u bë shtet pas 100 vjetësh lufte dhe diplomacie.
"Nderi i Kombit", apo...
Në festën e tyre, mësuesit ndihen ndryshe nga ditët e tjera, më të ledhatuar në sedër, për shkak të profesionit. Rituali mbase dhe këtë vit do të jetë brenda kortesë së njohur, luleve, vizitave, urimeve. Por a do të ketë diçka më shumë, diçka ndryshe në këtë ditë? A do të ketë ndonjë mësues që do të marrë "Nderi i Kombit" këtë 7 mars? Nuk di ndonjë arsimtar që ta ketë marrë këtë titull të lartë për kontributin e tij pedagogjik. Mund të ishte Mirash Ivanaj apo Bedri Dedja. Mund të ishte… Emrat do të ishin punë e të tjerëve, ama arsimi do ta meritonte këtë titull, se në një ditë të tillë për nderim mund të flitet, sado që do të ishte mirë të kishte dhe stimuj të tjerë. Jo vetëm në Tiranë, por dhe në shkollën më të largët në bjeshkë, që e mban në këmbë vetëm një mësues… Vite më parë kishte ca tituj, si "Mësues i Popullit", "Mësues i Merituar", dhe meqë nuk mund të kishte kaq shumë të tillë, atëherë qe sajuar një dykapakësh me shënimin "Mësues i dalluar", si një fletë mirënjohjeje, që nuk thoshte thuajse asgjë. M‘u kujtua ky fakt këto ditë, me një mësues veteran, të cilin kur e pyeta se ç‘tituj mbante, më vuri mbi tryezë bash atë dykapakëshin ("Mësues i Dalluar"), një fletë-nderi tipike moniste, që zor të jenë të regjistruar ndokund në arkivat e arsimit... Kurse sot, mirë që nuk jepen më nga ata distinktivët e dikurshëm apo dykapakshit e "nderit", po nuk jepet ndërkohë asnjë lloj medalje, titulli, çmimi në lëmin e mësuesisë. Vetëm 3-4 shkallët e kualifikimit (si me thënë kategoritë) e dallojnë një mësues nga një tjetër, dhe ato, më tepër "stacione" moshore, se sa profesionale, në karrierën e një mësuesi, përderisa jepen pas 5, 10 dhe 20 vjetësh pune…
…"Sokrat i vuejtun"?
Nëse profesor Xhaxhiu gjeti për arsimtarin metaforën e Feniksit, nuk mund të mos na shkojë mendja dhe te një tjetër metaforë, ajo e "Sokratit të vuejtun", që e kemi nga Migjeni mësues dhe poet… Ditë më parë, bashkë me disa specialistë të Drejtorisë rajonale të Arsimit Lezhë, po flisnim si gjithnjë për fushën tonë të preferuar, pasi vështirë që në mjedise mësuesish të mos flitet për nxënësit, shkollën. Duhet thënë se mësuesit janë të "sëmurë" nga kjo dhe ky është i vetmi "ves" i tyre, një si sëmundje profesionale. Nuk është ky aspak një teprim, por një e vërtetë e përditshme, që e njohin më e pakta të gjithë ata që kanë në shtëpi mësues… Po a është i përligjur ky idealizëm në këto kohëra? Sigurisht që pa idealitet nuk mund të ketë mësuesi, po kur vjen puna për shpërblimin, mbase rrallë ndonjë mësues nuk do ta ndërronte vendin e punës me një tjetër, në këmbim të një page më të lartë, pra dhe të një statusi tjetër social. Një mësues i vjetër thoshte si me humor, se vetëm ministër i Arsimit dhe zv/drejtor shkolle ishte mirë në arsim, pasi nuk ishe i detyruar të hyje në klasë me zile. Kjo shaka e kripur është një nga ato mijëra grishje që e ftojnë shoqërinë, strukturat shtetërore, që mësuesit t‘i jepet një status social e profesional i merituar, përtej atij statusit moral tradicional, që për hir të së vërtetës, jo pak është cenuar dhe ai në këtë tranzicion. Kemi dëgjuar mjaft se si e do shteti dhe shoqëria mësuesin, së fundi dhe me uniformë, ku ai mund ta përzgjedhë atë bluzën e tij përmes katalogëve të modës etj., ani se kjo gjë ende nuk është arritur për nxënësin plotësisht… Nuk na shkon, sidoqoftë, në këtë ditë, të flasim me fjalë të "mëdha", të themi se nëse vërtet kërkojmë integrim evropian, ky nuk bie nga qielli, këtë do ta mbërrijmë vetëm përmes shkollës dhe mësuesve që e flasin shqip shqipen para nxënësve të tyre, ndryshe nga ca politikanë që recitojnë për integrimin, duke përzier aq shumë fjalë të huaja në ligjërimet e tyre, edhe pse satira e mprehtë fishtiane përgjon atypari…