Realpolitika dhe partite e vogla
Fushata elektorale në SHBA ia vlen
të komentohet dhe diskutohet
gjerë e gjatë, por hë për hë do
tërheq vetëm një aspekt të saj për
ta lidhur me realitetin shqiptar të partive
të vogla e të mëdha. Sistemi amerikan është
një sistem dypartiak, ku secili krah ka
grupimet dhe nuancat e tij brenda vetes.
Të dyja partitë qëndrojnë në skaje të ndryshme
ideologjike, programore dhe demografike.
Interesante është që jo vetëm
nga partia në parti ka ndryshime rrënjësore
në lidhje me ekonominë, shëndetësinë,
taksat, shërbimet publike e lista vazhdon
pa fund, por programi i së njëjtës parti
ka shpesh prioritete të ndryshme nga
njëri shtet në tjetrin, sipas kushteve
ekonomike dhe demografike.
Në Shqipëri kushtet specifike të një
vendi të varfër dhe të papunë i kanë bërë
lëmsh ideologjitë dhe programet, ku të
djathtët sillen si populistë të tërbuar dhe
ka pasur raste kur të majtët janë sjellë si
moderatorë të pasur. Duke mos pasur një
spektër të qartë mes dy partive të mëdha,
në hapësirën mes tyre është krijuar një
grup partish të vogla, që nuk i kupton dot
nga programi se çfarë janë, të majta apo të
djathta, por më e keqja, nuk kupton dot
se çfarë elektorati përfaqësojnë.
Për herë të parë në politikën shqiptare
ndodhi diçka e rrallë, kur thelbit ideologjik
të një partie, i shkoi përshtat një lëvizje e
quajtur "lëvizja Rama", që nuk kaloi pa
kritika gati absurde lart e poshtë. Në fakt
ky tur i liderit socialist, edhe sikur të ishte
për arsye pragmatiste të llojit: meqë humbëm
fshatin në zgjedhjet lokale, duhet ta
rifitojmë në ato të përgjithshme, nuk kishte
pse habiste kënd. Skutat dhe zonat ku
shkeli Rama janë ndër zonat më të varfra
të Shqipërisë, që ku tjetër veçse në PS
duhet ta gjenin veten të përfaqësuar. Në
këtë kuptim, një lider i majtë aty ka elektoratin
dhe aty duhet të shtrijë programin
e partisë së tij. Tjetër punë se në Shqipëri,
për shkak të mungesës apo mosdallimeve
programore mes partive, zonat elektorale
nuk shkojnë sipas ideologjisë dhe interesave
të përfaqësuara, por thjesht dhe
puro sipas një militantizmi pa shkak, që
për më shumë se një dekadë, është lidhur
thjesht dhe vetëm me emrin e një apo dy
liderëve. Kjo lëvizje e Ramës është në
mënyrën dhe kohën e duhur që duhet të
konkludohet me një program të qartë për
një parti të majtë.
Analiza rreth partive të mëdha dhe
çfarë përfaqësojnë ato sot, të nxjerr automatikisht
te partitë e vogla dhe konflikti
i tyre i fundit, as i papritur dhe as i vetmi
i këtij lloji. Ta fillojmë nga LSI-ja dhe koalicioni
që po mundohet të formësojë. Duket
qartë që kjo parti po kërkon të dalë nga ai
pozicion ku menduan se do të ishin përkohësisht,
por që zgjedhjet e fundit lokale
dhe koha pas tyre po tregojnë që është një
pozicion permanent dhe që nuk e lejon
këtë parti të lëvizë më shumë se aq. Duke
kërkuar më shumë hapësira në spektrin e
politikës shqiptare, LSI-ja po mundohet
të krijojë imazhin në opinion se ajo mund
të jetë një parti që mund të krijojë një koalicion
të majtë dhe të tejkalojë apo rrëmbejë
rolin e partisë më të madhe opozitare
sot, PS-së. Deri këtu s‘ka asgjë të keqe,
përkundrazi ka të bëjë me konkurrencën
dhe ambiciet, pa të cilat politika s‘do kishte
kuptim. Por kur vjen momenti për të
analizuar koalicionin, ky moralisht po shkon
atje ku asnjëri nga idealistët e kësaj
lëvizjeje nuk do ta kishte dëshiruar. Partia
e Cekës, që në fakt gjithmonë e më pak i
përmendet emri i saj i vërtetë, Aleanca
Demokratike, të lë hapësirë të analizosh
vetëm lëvizjet e këtij politikani. Ceka është
i njohur për lëvizjet e tij që as konspiracion
nuk e meritojnë të quhen, sepse janë
shumë bajate, si në rastin e zgjedhjes së
Topit. Po dhe për qëndrime të tjera të
hapura fare dhe të pacipa, megjithëse e
quan veten pjesë e koalicionit të majtë. Ai
ka pritur me gojë hapur çdo ftesë që mund
t‘i bënte Berisha dhe menjëherë do ndërronte
krahun. Arsyeja pse nuk e ka bërë
është vetëm pse Berisha nuk e ka afruar,
por kjo nuk e bën Cekën më të ndryshëm
nga Xhuveli. Kjo është njëra anë e medaljes,
tjetra ka të bëjë me elektoratin. Sa
përfaqëson kjo parti, a e kalon 1 përqindëshin
apo edhe më keq se kaq.
Përgjigjja vjen vetëm nga një fakt i thjeshtë
dhe i njohur, Ceka nuk ka arritur të fitojë
dot si deputet i drejtpërdrejtë, as në
zonën e tij. Ka dhe të tjerë si ai, që prej
vitesh janë në Parlament vetëm si rrjedhojë
pazaresh elektorale me partitë e
mëdha. Partia e Paskal Milos është një
degë e një minipartie, hajde bëjeni llogarinë
tani dhe gjeni cili është programi apo
elektorati i tij përveç ndonjë njeriu të
punësuar nga ai, si rrjedhojë e të qenit
deputet pas pazareve elektorale. Parë në
këtë kontekst, që është i vetmi dhe reali,
ky koalicion nuk ka moralin që Ilir Meta ka
dashur t‘i jepte. Po ajo që e kompromenton
dhe më shumë këtë bashkim, është
pranimi pothuaj i menjëhershëm i sindromës
PDK , që ndryshe njihet si fenomeni
i trafikimit të deputetëve, një fenomen
nga më të turpshmit dhe më të pamoralshmit
në historinë e Parlamentit shqiptar,
që e ka katandisur atë Parlament
në një mejhane që nuk dihet nga hyhet e
dilet. Ilir Meta, si një politikan me përvojë,
duhej të arrinte të kuptonte që ndaj këtij
fenomeni (edhe pse mund t‘i duket frytdhënës
për momentin) duhej të qëndronte
sa më larg të kishte mundësi. Personazhi
tjetër është Fatos Nano, që normalisht
nuk mendoj se përfaqëson ndonjë
gjë, përveçse fenomenit të presionit, përdorur
nga Berisha me mjeshtri në momente
krizash. Edhe këtë radhë po përdoret
në të njëjtën formë nga Meta kundër
Edi Ramës. Me këtë pozicion Nano ndihet
mirë, pas shuarjes së ëndrrës së tij presidenciale
dhe ëndrrës për të rimarrë PS-në.
Kjo është një panoramë e shpejtë e këtij
koalicioni që na çon në një tjetër analizë,
rreth asaj që quhet reforma zgjedhore. Sot
në shtyp ka një shqetësim legjitim dhe të
drejtë, si ai i Andrea Stefanit, i cili mendon
se me eliminimin e partive të vogla, shqiptarët
kufizojnë lirinë dhe demokracinë
e tyre. Për të qenë politikisht korrekt, pa
partitë e vogla dëmtohet pluralizmi dhe
ato shërbejnë si rregullatorë në një
demokraci të brishtë si ajo e Shqipërisë.
Por realiteti politik shqiptar është krejt
ndryshe. Jo për t‘i futur gjithë partitë e
vogla në një thes, por pjesa dërrmuese e
tyre, me apo pa dëshirë janë bërë pjesë e
shkatërrimit të skemës politike shqiptare,
rregullave të saj të lojës dhe si
rezultat kanë deformuar demokracinë.
Kur flasim për përgjegjësi që kanë forcat
e mëdha politike për çfarë ka ndodhur në
këto 17 vjet në Shqipëri, nuk mund të
lihet jashtë roli i partive të vogla, pa i
hequr asnjë kredi rolit të madh të partive
të mëdha. A është i ndërtuar vërtet spektri
politik shqiptar nga dy parti të mëdha
dhe dhjetëra të vogla, apo kemi dy të
mëdha dhe me përjashtime të vogla, një
grup xhambazësh politikë që nuk janë
futur në këtë spektër për të përfaqësuar
ndonjë shtresë të caktuar të shoqërisë
shqiptare? A e kanë gjetur ata rrugën mes
kësaj zallamahie për të përfituar të mira
personale për fisin dhe farën? Këtu lind
dhe pyetja tejet shqetësuese: a ka realisht
parti të vogla në Shqipëri? Përgjigjja
mund të jetë e ndryshme, varet se kë
pyet. Por ama ka një definacion të pashmangshëm
pas kësaj pyetjeje, shumica
e partive të vogla as që e meritojnë këtë
emër. Mendoj që kjo është arsyeja pse
spektri politik shqiptar duhet të reformohet
një sahat e më parë. Eshtë koha për
një spektër tjetër post-tranzicion, nëse
Shqipëria vërtet dëshiron ta kalojë këtë
fazë. Eshtë nevoja për një spektër të
qartë politik, ku partitë e majta të jenë
majtas, të djathtat djathtas dhe qendra
të quhet qendër. Çdo parti që do vijë në
këtë spektër duhet të vijë me një program
të qartë dhe me një hartë të dukshme
të asaj që do të përfaqësojë në politikën
dhe demografinë shqiptare. Kjo do
ishte mënyra më e mirë e një fillimi të ri në
gjithë jetën shoqërore dhe politike shqiptare.
Duhet ndërruar koncepti i politikanit
të vetëshpallur dhe politika të fillojë
të atraktojë njerëz që duan të sjellin ide
dhe progres në këtë shoqëri që ka vuajtur
shumë nga kjo anomali me pasoja në të
gjitha aspektet. Nuk ka pse të ketë pikë
keqardhjeje që pjesa më e madhe e këtyre
partive të largoheshin përfundimisht
nga zbatimi i një reforme të re, sepse është
e stërprovuar që nuk ka mënyrë tjetër
sesi mund të pastrohej politika shqiptare.
Ky do të ishte një moment kthese, një
moment deciziv pa realizimin e të cilit do
mbetemi po të Dushku dhe derivatet e tij,
siç dhe po përpiqet të mbetet LSI-ja, edhe
pse pa dëshirën e saj. Nuk është e shëndetshme
për demokracinë shqiptare, që
përmes reformës të eliminonte partitë e
vogla, përkundrazi duhen gjetur hapësira
për t‘u inkurajuar lindja e partive të reja,
por me një program të qartë dhe elektorat
specifik. Shenjat e para domethënëse po
i jep Spartak Ngjela. Nuk ka rëndësi nëse
adaptohen modele spanjolle apo gjermane,
e rëndësishme është që një sistem
që do përfaqësonte realisht kontributin
e çdo votuesi shqiptar, të të gjitha llojeve
dhe ngjyrave, do të ishte një sistem i shkëlqyer.
Po të hedhim sytë pas, sistemet
zgjedhore që kemi pasur, kanë lënë korridore
për lindjen e fenomeneve abuzuese
me votën e shqiptareve, e cila duhet
kuptuar njëherë e mirë, që është e shenjtë
dhe themeli i demokracisë. Për aq
kohë sa kjo votë përfaqësohet, respektohet
dhe nuk vidhet, demokracia do të jetë
tërësisht në rregull.