Rama: Brenda gushtit të përcjellim procedurat e legalizimeve të strukturave prodhuese në hapësirat rurale të vendit

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “mund të dalim me një vendim dhe t’i kërkojmë bashkive që bashkë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të bëjnë legalizime të menjëhershme të të gjithë strukturave prodhuese në hapësirat rurale të vendit”.
Në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mes fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi për një urë të re komunikimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE, Rama tha se “duhet ta marrim përsipër dhe duhet që t’ia përcjellim strukturave që brenda muajit gusht të përcjellim në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të gjitha procedurat e legalizimeve, sepse kanë marrë një kompetencë struktura e qeverisë vendore për të kryer procesin përgatitor të legalizimeve”.
“Nuk besoj se fermerët duhet të presin akoma për të legalizuar strukturat e tyre prodhuese që nga stallat, deri tek strukturat e përpunimit. Janë shumë, nga të cilat them se ne mund të dalim me një qasje të re, por duhet të theksoj që është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e qeverisë, e Ministrisë, e pushtetit vendor, e agjencive që të jenë shumë proaktive në këtë proces, jo thjesht e vetëm pritëse e jo thjesht e vetëm t’iu lexojnë fermerëve sipërmarrës në bujqësi ligjin, rregullat dhe t’u thonë: ik, se nuk i ke plotësuar si duhet, e hajde se këtu jemi kur ti plotësosh”, nënvizoi Rama, duke shtuar se strukturat duhet të jenë aktive, t’i nxisin, t’i hapin rrugën e bashkëpunimit.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kështu me radhë do ta strukturojmë në një mënyrë të caktuar duke e nxitur edhe duke i ngarkuar detyrime të caktuara pushtetit vendor”.
Më tej, Rama tha se “një takim i tillë na dha mundësinë që të shikojmë dhe dëgjojmë që problematika e zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe aktivitetit ekonomik në fshat shkon që nga gjërat e mëdha të natyrës konceptuale, deri tek gjërat që nuk duhet të ishin problem, por që janë problem i madh”.
“Çështja e legalizimit të strukturave prodhuese, që është problem për një pjesë dhe është një problem që ka implikime të rënda, pasi bën të pamundur aksesin në kredimarrje, bën të pamundur aksesin, fondet e mbështetjes qoftë nga financimet evropiane, dhe të brendshme, bën të pamundur aksesin në gjithë ato instrumente pa të cilat bëhet shumë e vështirë për ta mbajtur në këmbë sipërmarrjen”, tha Rama.
/k.s//a.f//r.e/