E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky përballet me reagime të ashpra ndërsa ukrainasit protestojnë kundër ligjit të ri

KIEV, 23 korrik /ATSH/- Aktivistët bënë thirrje sot për më shumë protesta kundër ligjit të ri që ata thonë se dobëson organet mbikëqyrëse kundër korrupsionit në Ukrainë, pas demonstratës së parë të madhe antiqeveritare – në më shumë se tre vjet luftë, sipas AP.

Legjislacioni gjithashtu ka tërhequr kritika nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave, si dhe ka ushtruar presion në rritje mbi presidentin Volodymyr Zelensky dhe ka rrezikuar mbështetjen e tij publike në një fazë kritike të luftës.

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen sot pasdite në Stamboll për një raund të tretë bisedimesh të drejtpërdrejta brenda dy muajsh, megjithëse nuk ka shumë shpresa për progres.

Në mëngjes, Zelensky mblodhi krerët e agjencive kryesore kundër korrupsionit dhe të sigurisë të Ukrainës në përgjigje të protestave kundër vendimit të tij për të miratuar ligjin.

“Ne të gjithë dëgjojmë se çfarë thotë shoqëria”, shkroi Zelensky në Telegram pas takimit.

Ai këmbënguli se kuadri i ri ligjor ishte i nevojshëm për të goditur më shumë korrupsionin.

“Çështjet penale nuk duhet të zvarriten me vite pa vendime, dhe ata që punojnë kundër Ukrainës nuk duhet të ndihen rehat ose imunë nga ndëshkimi”, tha ai.

Zelensky tha se të gjitha agjencitë qeveritare kishin rënë dakord për të punuar në mënyrë konstruktive dhe për t’ju përgjigjur pritjeve të publikut për drejtësi dhe efektivitet.

“Një plan i detajuar i përbashkët veprimi pritet brenda dy javësh, që synon adresimin e dobësive institucionale, heqjen e pengesave ligjore dhe sigurimin e drejtësisë në të gjithë sektorin”, tha ai.

Mijëra njerëz u mblodhën dje në kryeqytet dhe qytete të tjera për t’i kërkuar Zelensky të vërë veton ndaj projektligjit të diskutueshëm.

Pasi ai e miratoi atë, aktivistët përdorën mediat sociale për të bërë thirrje për një demonstratë tjetër sot në mbrëmje në qendër të Kievit.

Legjislacioni shtrëngon mbikëqyrjen qeveritare të dy agjencive kryesore kundër korrupsionit. Kritikët thonë se ky hap mund ta dobësojë ndjeshëm pavarësinë e këtyre agjencive dhe t’i japë rrethit të Zelensky ndikim më të madh ndaj hetimeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›