E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçiu: Shqipëria, vendi më i avancuar në negociatat me BE falë dhe rezultateve në luftën ndaj korrupsionit e trafiqeve

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh sot në Kuvend se Shqipëria ka dalë nga çdo listë e zezë e korrupsionit dhe trafiqeve ku ka qenë pjesë të paktën 10 vite më parë.

Koçiu iu referua raportit të prezantuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela sot në Kuvend, kur tha se ky raport flet qartë për progresin e realizuar sa i përket luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

“Faktet e tij, i mbivendosen narrativës politike të opozitës për një vend të pasigurt. Trendi i kriminalitetit në vend është në rënie. Niveli i forcës goditëse, i zbulueshmërisë, hetimit, ndëshkimit është qartësisht në rritje, mbi të gjitha vullneti për të luftuar krimin në çdo formë dhe dimension është edhe më fuqishëm se kurrë më parë”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria ka dalë nga çdo listë e zezë ku ka qenë jo më larg se 10 vjet më parë, përfshirë listën e korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar etj.

“Dalja nga këto lista është jo vetëm arritje, por arsyeja kryesore pse Shqipëria është sot vendi më i avancuar nga të gjitha vendet e tjera në bisedimet në tryezën e BE-së. Gjatë nëntëmujorit të këtij viti, janë evidentuar 29 vrasje me dashje, të cilat janë shumë në raport me objektivin që është zero raste të vrasjeve me dashje, por janë 4-fish më pak se 125 vrasjet e vitit 2012 dhe 41 vrasje më pak se viti i kaluar. Viti 2024 dhe viti paraardhës shënuan rekordin më të ulët të numrit të vrasjeve me dashje në vend dhe ky rezultat është produkt i luftës së pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe grupeve mafioze”, tha Koçiu.

Sipas Koçiut, qytetarët sot ndihen më të sigurt dhe kjo vjen si rezultat i fuqizimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, me prezencë të shtuar në gjithë territorin e vendit.

“Veprat penale kundër jetës dhe pronës janë në rënie. Plagosja e rëndë është në rënie dy herë më pak raste krahasuar me  vitin 2015. Armëmbajtja pa leje si në vitin 2023, dhe 2024-n, ka një rekord sa i përket zbulueshmërisë dhe goditjes. Janë 1221 raste të evidentuara në nëntëmujorin e këtij viti, ndërkohë 1315 raste në vitin 2024”, nënvizoi ajo.

Koçiu tha se siguria në rrugë është rritur në 10 vjet, ndërsa numri i aksidenteve është reduktuar me 40%, pavarësisht se numri i automjeteve në qarkullim është dyfishuar.

“Gjatë vitit 2024 rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara me vlerë të përcaktuar 290 milionë lekë dhe 48 milionë euro vlera e pasurive të sekuestruara”, tha Koçiu.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›