KLP pranon rikandidimin e Abaz Muçës për drejtues të Prokurorisë së Dibrës

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi gjatë ditës së enjte seancën plenare të radhës, në prani të anëtarëve të Këshillit si dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe misionit OPDAT.
Pasi u njoh me relacionin e përgatitur, Këshilli vendosi të pranojë kërkesën e Abaz Muçës për rikandidim në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si dhe të fillojë procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës. Përmes hedhjes së shortit, Zeqir Hoda u caktua relator për vlerësimin e pasurisë dhe figurës, ndërsa Erjon Fejzulla u caktua relator për vlerësimin etik dhe profesional në cilësinë e drejtuesit. Këshilltare përgjegjëse për këtë vlerësim është caktuar prokurorja e komanduar, Armida Moçka.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e prokurorit Petrit Çano për qëndrimin në detyrën e magjistratit deri në mbushjen e moshës 70 vjeç.
Në vijim, Këshilli miratoi kërkesën e prokurorit Arian Muçaj për ushtrimin e veprimtarisë jashtë funksionit, në cilësinë e “Ekspertit kombëtar për zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve trajnuese në fushën e mjedisit për përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, përfshirë Policinë e Shtetit, prokuroritë dhe gjykatat”.
Këshilli miratoi gjithashtu projektraportin e Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Arian Përmeti, i cili është vlerësuar në nivelin “Shkëlqyeshëm”, me 387 pikë.
Në përfundim, Këshilli zhvilloi seancën dëgjimore në ngarkim të magjistrates Albjona Papajani, në kuadër të kërkesës nr. 1294/25 prot., datë 20.07.2026, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pasi dëgjoi dhe u njoh me pretendimet e palëve, Këshilli vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 07.10.2026, ora 10:00.
/e.i/r.e/a.f/