E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Standarde të reja sigurie për operimin e impianteve të vogla të gazit natyror

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nis procedurën për miratimin e licensës-tip për veprimtarinë e operimit në impiantet e Gazit Natyror të Komprimuar (GNK) me përmasa të vogla.

Vendimi u miratua nga Bordi i ERE-së, në zbatim të ligjit “Për sektorin e gazit natyror” dhe akteve rregullatore në fuqi.

Sipas ERE-së, licensa-tip synon të krijojë një kuadër të unifikuar për operimin e impianteve të vogla të GNK-së, duke garantuar standarde teknike, siguri industriale dhe mbrojtje të mjedisit.

Dokumenti përcakton se subjektet e licensuara duhet të projektojnë, ndërtojnë, operojnë dhe mirëmbajnë impiantet sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë normat ISO dhe EN, si dhe kërkesat për pajisjet nën presion dhe mbrojtjen kundër shpërthimit.

ERE sqaron se impiantet duhet të pajisen me sisteme automatike të ndalimit emergjent, sisteme të detektimit të rrjedhjeve të gazit, mbrojtje kundër zjarrit, ventilim teknik dhe sinjalistikë sigurie sipas standardeve ATEX.

Po ashtu, operatorët do të duhet të përdorin personel të trajnuar dhe të certifikuar, të hartojnë plane emergjence dhe procedura evakuimi, si dhe të kryejnë kontrolle periodike teknike të pajisjeve dhe infrastrukturës.

Licensa-tip parashikon gjithashtu mbajtjen e llogarive të ndara për aktivitetin e licensuar, raportimin periodik të të dhënave financiare dhe operative pranë ERE-s, si dhe garantimin e aksesit objektiv dhe jodiskriminues për përdoruesit e shërbimeve.

ERE thekson se do të ketë të drejtë të kryejë inspektime dhe auditime teknike apo financiare për monitorimin e zbatimit të kushteve të licencës.

Në rast të shkeljes së kushteve të sigurisë, detyrimeve mjedisore apo mospërmbushjes së kërkesave ligjore, ERE mund të vendosë masa administrative deri në heqjen e licensës.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.

Siguria energjetike është në qendër të politikave të Qeverisë shqiptare për të siguruar stabilitet dhe qëndrueshmëri.

Në fund të muajit prill u nënshkrua memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›