E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Të ndiqet penalisht kreu i zyrës së pasurive të patundshme

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar ndjekje penale për ish kreun e Zyrës së Kontrollit të Lartë të Shtetit Alket Shpendi, pasi gjatë kontrolleve të bëra, janë zbuluar shkelje të rënda në dhënien e titujve të pronësisë. Padia është ngritur nga KLSH, pas disa dokumenteve fallco të bëra për disa toka në Dajt, Farkë e Kashar. KLSH ka ngritur padi edhe për disa drejtues të tatimeve, të cilët mendohet të kenë shkaktuar një dëm prej 630 milionë lekësh në vitet 2005-07.

Pak minuta pas deklaratës së KLSH-së, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë të ditur se raporti është bazuar në kontrollet që ka ushtruar Sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor pranë Zyrës Qendrore. Sipas zyrtarëve të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, prej kohësh janë marrë masat përkatëse, që nga pezullimi i regjistrimeve të paligjshme, pushimi nga puna i punonjësve që kanë kryer këto shkelje, denoncimi i praktikave të paligjshme në prokurori si dhe marrja e nismave ligjore për të penguar në të ardhmen regjistrimin dhe dhënien e titujve të pronësisë, të cilët shfaqnin probleme ligjore.  ZQRPP vëren se KLSH, megjithëse e ka bazuar raportin në shkeljet e konstatuara më parë nga ana e jonë, nuk e ka pasqyruar të plotë kontrollin e ushtruar nga sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor pranë ZQRPP-së, duke servirur një raport të mangët. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar dhe veprimtarinë e Tatimeve dhe drejtorisë së Shërbimeve qeveritare. Në këto dy institucione janë rekomanduar masa disiplinore dhe largime nga Shërbimi Civil. Skandali me tokat në Kashar

Skandali i abuzimit me tokat është “shtrirë” në 178 mijë metra katrorë në zonën e Kasharit. Në këtë përfundim ka arritur Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka mbyllur hetimet për kryekomunarët e arrestuar dhe i ka dorëzuar dosjen gjykatës. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 10 shtetas, punonjës të komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, të cilët kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona u janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. “Nga hetimet gjashtë mujore ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme por në mënyrë të njëjtë kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katror truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre i takonin fshatarëve të Kasharit”,-thuhet në kërkesën që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë.

***

Nga vitit 2000 e deri më sot, drejtuesit e kësaj komune, në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente, hartën topografike dhe shumë dokumente të tjera ia kaluan këto prona të njohurve të tyre, të cilët më pas i shisnin. Pas shitjes, përvetësuesit me letra, të ardhurat materiale të shitjes i ndanin së bashku me të tjerët, duke fituar kështu shuma të majme parash, që mendohet se kapin shifrën e 20 milionë eurove”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje janë ngritur një sërë veprash penale, si “falsifikim të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre në 34 raste; “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni pasiv i funksionarit të lartë shtetëror ose të zgjedhurit vendor”; “mashtrimit me pasoja të rënda”, të gjitha këto në bashkëpunim dhe kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në katër raste. Sipas kërkesës për gjykim, Alfred Sula, në cilësinë ekryetarit të komunës së Kasharit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka falsifikuar dokumentet zyrtare për përvetësimin pronave të ndryshme në 13 raste dhe mban mbi supe më shumë akuza se bashkëpunëtorët e tij. Sipas kërkesës për gjykim, 177.592 metra katror truall janë përfituar në mënyrë abuzive nga 15 persona, në sipërfaqe të ndryshme.

***

“Nga hetimet 6- mujore, ku janë marrë në pyetje më shumë se 50 persona, janë kryer shumë sekuestrime dhe verifikime dokumentesh. Personi që ka përfituar më shumë nga këto “grabitje” pronash është i pandehuri Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të komunës së Kasharit, Alfred Sula i zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurt të 2007 në këtë komunë. Më pas, lista e përfituesit ndiqet nga i afërmi tjetër i kryetarit të komunës, Ismail Sula, me katër raste, duke u ndjekur më pas me të pandehurin Ruhi Valisi i cili ka përfituar prona me anë të falsifikimit në tre raste, duke vazhduar me përfituesin në 2 raste nga i pandehuri Ismet Bakalli”,-thuhet nga burimet zyrtare të prokurorisë. Gjithashtu në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi është evidentuar si përfitues në mënyrë të padrejtë, me dokumente të falsifikuara edhe babai i kryetarit të komunës së Kasharit, shtetasi Jakup Sula. Sipas këtyre burimeve, dosja voluminoze është depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pritet të hidhet në shortin elektronik për t’u caktuar treshja gjykuese që do të shqyrtojë skandalin e pronave në komunën e Kasharit, ku është abuzuar me 18 hektarë tokë. Sipas burimeve nga akuza, priten që para gjykatës të thirren për të dëshmuar nga organi i akuzës rreth 50 dëshmitarë, mes të cilëve edhe pjesëtarë të familjes së Gani Kamerit, i gjetur i vrarë në tetorin e viti të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›