Zjarret shkrumbojnë dy shtëpi
Janë rregjistruar 2 zjarrë në rajonin e Korçës ku si pasojë janë dëmtuar dy banesa. Nga rënia e zjarrit në banesën e Ridvan Gorës, rreth orës 24 duke u gdhirë dita e sotme, në fshatin Starovë të rrethit të Pogradecit është djegur shtëpia por fatmirësisht nuk ka patur dëme në njerëz. Ndërkohë dëmet materiale janë të konsiderueshme. Nga hetimet paraprake, rezulton se shkak i këtij zjarri kanë qenë lidhjet elektrike dhe një defekt në rrjet.
Një zjarr tjetër është regjistruar në fshatin Trent të rrethit të Devollit, ku fatmirësisht me ndërhyrjen e zjarrfikëseve zjarri është lokalizuar vetëm në ambientet që shërbenin për mbajtjen e bazës ushqimore të bagëtive, në pronësi të Nesim Pinjollit. Mendohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia. Njëri nga pjesëtarët e familjes teksa ka ndezur një shkrepse ka shkaktuar edhe rënien e zjarrit, ku për pasojë është djegur e gjithë baza ushqimore si dhe disa materiale të tjera që përdoreshin në bujqësi.