E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – A i ka mbijetuar sulmit izraelit programi bërthamor i Iranit?

TEHERAN, 13 qershor /ATSH/- Izraeli ka nisur një valë të madhe sulmesh ajrore në të gjithë Iranin, duke shkatërruar fabrikën e madhe bërthamore nëntokësore të Iranit, duke zhdukur të gjithë komandantët e lartë ushtarakë dhe duke vrarë shkencëtarë bërthamorë në sulmin më të madh të drejtpërdrejtë midis armiqve, sipas “Reuters”.

Irani tha se “portat e ferrit do të hapeshin” në shenjë hakmarrjeje, ndërsa Izraeli tha se sulmet ishin vetëm fillimi i fushatës së tij.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se nuk ishte shumë vonë që Irani të ndalonte sulmet izraelite duke arritur një marrëveshje për të frenimin e programit të tij bërthamor.

Media iraniane raportoi sot pasdite një numër shpërthimesh në atë që dukej të ishte një valë e dytë sulmesh.

“Para disa çastesh, Izraeli nisi Operacionin “Luani në Ngritje”, një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj mbijetesës së Izraelit”, tha sot kryeministri Benjamin Netanyahu në një fjalim duke përmendur dështimin e botës për të parandaluar Holokaustin në Luftën e Dytë Botërore.

“Operacioni i Izraelit do të vazhdojë për aq ditë sa të duhen për të hequr këtë kërcënim”, tha ai.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli kishte lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme dhe do të vuante “një fat të hidhur”.

Në një intervistë telefonike me “Reuters”, Trump tha se nuk ishte e qartë nëse programi bërthamor i Iranit kishte mbijetuar, por nuk ishte shumë vonë që Irani të bënte një marrëveshje për të ndaluar sulmin izraelit.

Ai tha se bisedimet bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, të planifikuara të dielën, ishin ende në axhendë, megjithëse nuk ishte i sigurt nëse ato do të zhvilloheshin.

“U përpoqa ta shpëtoja Iranin nga poshtërimi dhe vdekja”, tha Trump.

Më herët, ai postoi në Truth Social: “Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë.”

Dy burime rajonale thanë se të paktën 20 komandantë ushtarakë iranianë u vranë, një akt që kujton sulmet izraelite që shkatërruan me shpejtësi udhëheqjen e milicisë dikur të frikshme të Libanit, Hezbollahut, vitin e kaluar.

Midis gjeneralëve të vrarë sot ishin shefi i shtabit të forcave të armatosura, gjeneralmajor, Mohammad Bagheri dhe shefi i Gardës Revolucionare, Hossein Salami.

Gjeneralmajor Mohammad Pakpour, i cili u gradua shpejt për të zëvendësuar Salami si komandant i Gardës, u zotua për hakmarrje në një letër drejtuar Udhëheqësit Suprem të lexuar në televizionin shtetëror: “Portat e ferrit do t’i hapen regjimit vrasës të fëmijëve”.

Media iraniane tregoi imazhe të blloqeve të apartamenteve të shkatërruara dhe raportoi se pothuajse 80 civilë ishin vrarë në sulmet – që shënjestruan shkencëtarët bërthamorë në shtretërit e tyre dhe plagosën më shumë se 300 persona.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjenerali i Brigadës Effie Defrin tha se objekti kryesor i pasurimit bërthamor i Iranit në Natanz pësoi dëme të konsiderueshme.

Defrin tha se 200 avionë luftarakë izraelitë kishin marrë pjesë në sulme, duke goditur më shumë se 100 objektiva.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se do të mblidhej sot me kërkesë të Iranit.

Irani tha në një letër drejtuar Këshillit se do t’u përgjigjej me vendosmëri dhe proporcionalitet veprimeve “të paligjshme” dhe “frikacake” të Izraelit.

Një burim sigurie izraelite tha se komandot e Mossadit kishin vepruar brenda Iranit para sulmit, dhe agjencia e spiunazhit dhe ushtria izraelite kishin ndërmarrë një sërë operacionesh të fshehta kundër grupit strategjik të raketave të Iranit.

“Izraeli gjithashtu krijoi një bazë sulmi me dronë pranë Teheranit”, shtoi burimi.

Ushtria tha se kishte bombarduar mbrojtjen ajrore të Iranit, duke shkatërruar dhjetëra radarë dhe lëshues raketash tokë-ajër.

Zyrtarët izraelitë thanë se mund të duhet pak kohë para se të qartësohet shkalla e dëmtimit në fabrikën bërthamore nëntokësore në Natanz – ku Irani ka rafinuar uranium në nivele – që disa vende prej kohësh kanë thënë se janë të përshtatshme për një bombë dhe jo për përdorim civil.

Irani prej kohësh ka këmbëngulur që programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.

Izraeli vazhdon të qëndrojë në gatishmëri, duke mbyllur ambasadat e tij në të gjithë botën dhe duke u bërë thirrje qytetarëve përmes faqeve të internetit të ambasadave të qëndronin vigjilentë dhe të shmangnin shfaqjen e simboleve hebraike ose izraelite në publik.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, tha se dhjetëra mijëra ushtarë ishin thirrur.

Oman, i cili po ndërmjetëson në bisedimet bërthamore Iran-SHBA, e përshkroi sulmin e Izraelit si të pamatur duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë “rrjedhën e rrezikshme të veprimit”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›