KOMENT – BRICS kundërshton etiketimin “anti-amerikan” pas kërcënimit të Trump për tarifa shtesë

RIO DE ZHANEIRO, 7 korrik /ATSH/- Vendet në zhvillim që morën pjesë sot në samitin e BRICS hodhën poshtë akuzën e presidentit të SHBA-së Donald Trump se blloku është “anti-amerikan”, pas kërcënimit për vendosjen e tarifave amerikane shtesë prej 10%, sipas “Reuters”.
Kërcënimi i Trump dje në mbrëmje erdhi ndërsa qeveria e SHBA-së përgatitej të finalizonte dhjetëra marrëveshje tregtare me një sërë vendesh – para afatit të 9 korrikut për vendosjen e “tarifave hakmarrëse” të rëndësishme.
“Tarifat nuk duhet të përdoren si mjet për shtrëngim dhe presion”, tha Mao Ning, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze në Pekin.
“BRICS mbështet bashkëpunimin fitimprurës për të dyja palët dhe nuk synon asnjë vend”, shtoi ajo.
“Afrika e Jugut, e cila u godit nga tarifa prej 30% – të cilat më vonë u pezulluan në pritje të bisedimeve tregtare, rikonfirmoi se nuk ishte anti-amerikane”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Kaamil Alli, duke shtuar se bisedimet me qeverinë e SHBA-së ishin konstruktive dhe të frytshme.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se bashkëpunimi i Rusisë me BRICS bazohej në një pikëpamje të përbashkët botërore dhe se nuk do të drejtohej kurrë kundër vendeve të treta.
India dhe Brazili, të cilët pritën takimin e BRICS, nuk dhanë një përgjigje zyrtare ndaj tarifave të Trump.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva u tha gazetarëve se do të komentonte vetëm pasi të përfundonte samiti.
Fjalët e tij hapëse para udhëheqësve të BRICS të mbledhur sot në Rio de Zhaneiro u përqendruan në çështjet mjedisore dhe të shëndetit publik – në axhendën zyrtare të samitit.
Shumë anëtarë të BRICS dhe shumë nga vendet partnere të grupit janë të varura nga tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ministri i Ekonomisë i Indonezisë, Airlangga Hartarto, i cili ndodhet në Brazil për samitin e BRICS, do të shkojë sot në SHBA për të mbikëqyrur bisedimet për tarifat”, tha një zyrtar.
Malajzia, e cila mori pjesë si një vend partner dhe që iu vendosën tarifa prej 24% – të cilat më pas u pezulluan – tha se ruan politika ekonomike të pavarura dhe nuk është e përqendruar në përafrimin ideologjik.
DIPLOMACIA SHUMËPALËSHE
Me forume të tilla si grupet G7 dhe G20 të ekonomive të mëdha të penguara nga përçarjet dhe qasja shkatërruese e Trump “Amerika e Para”, grupi BRICS është paraqitur si një “parajsë” për diplomacinë shumëpalëshe mes konflikteve të dhunshme dhe luftërave tregtare.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar dje pasdite, udhëheqësit në samit dënuan bombardimin e fundit të vendit anëtar, Iranit dhe paralajmëruan se rritja e tarifave kërcënonte tregtinë globale.
Disa orë më vonë, Trump paralajmëroi se do të ndëshkonte vendet që kërkonin t’i bashkoheshin grupit.
BRICS mblodhi udhëheqës nga Brazili, Rusia, India dhe Kina në samitin e tij të parë në vitin 2009.
Bllokut, më vonë iu bashkuan si anëtarë, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Indonezia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Arabia Saudite ka parnuar zyrtarisht ftesën për anëtarësim të plotë, por po merr pjesë si një vend partner.
Më shumë se 30 vende kanë shprehur interes për të marrë pjesë në BRICS, qoftë si anëtarë të plotë ose partnerë. //a.i/