KOMENT – Macron kërkon një iniciativë për një zgjidhje të negociuar Izrael-Iran

PARIS, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka kërkuar ministrit të tij të Jashtëm, Jean-Noël Barrot që të marrë një iniciativë në ditët në vijim, me partnerë të ngushtë evropianë, për të propozuar një zgjidhje të negociuar kërkuese të aftë për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, njoftoi sot Pallati Elize në një deklaratë.
Gjatë një takimi të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Pallatin Elize, presidenti Macron shprehu shqetësimin e tij për përshkallëzimin e vazhdueshëm, me sulmet izraelite që synojnë gjithnjë e më shumë objektiva që nuk lidhen me programet bërthamore dhe balistike të Iranit, dhe një numër në rritje të viktimave civile në Iran dhe Izrael.
Ai e konsideroi “të domosdoshme që këto operacione ushtarake të ndërpriten urgjentisht” dhe i kërkoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të “merrte masat e nevojshme” për të lehtësuar largimin nga Irani ose Izraeli i shtetasve francezë që dëshirojnë ta bëjnë këtë.
Siç kishte deklaruar ditët e fundit, pas nisjes së sulmeve izraelite të premten e kaluar dhe më pas në samitin e G7 në Kanada, “Presidenti i Republikës theksoi se një zgjidhje e qëndrueshme e programeve bërthamore dhe balistike të Iranit mund të arrihet vetëm përmes negociatave”, sipas deklaratës.
“Ai gjithashtu përsëriti dëshirën e Francës për t’u angazhuar në një dialog pa kompromis me Iranin mbi aktivitetet e tij destabilizuese rajonale”, shtoi Pallati Élysée.
Natyra e “iniciativës” që do të ndërmerret nga Jean-Noël Barrot, i cili ishte i pranishëm në Këshillin e Mbrojtjes së bashku me kryeministrin, François Bayrou dhe ministrin e Forcave të Armatosura Sébastien Lecornu, nuk u specifikua.
Kreu i diplomacisë franceze ka qenë në kontakt të ngushtë që nga fillimi i këtij konflikti të ri me homologët e tij gjermanë dhe britanikë, të cilët historikisht kanë qenë të përfshirë në negociatat bërthamore iraniane.
Emmanuel Macron i kërkoi gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme të “marrë masat e nevojshme” për të lehtësuar largimin nga Irani ose Izraeli të shtetasve francezë që dëshirojnë ta bëjnë këtë, tha Pallati Elize pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai përsëri “këshilloi fuqimisht kundër” çdo “udhëtimi në këto dy vende”./ /os/