KPE në Tiranë, Rama: Azerbajxhani dhe Armenia, vetëm një hap larg finalizimit të një marrëveshje historike të paqes

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot se agresioni kundër Ukrainës ka bërë gjithkënd të kuptojnë se ky format është mjaft dobiprurës për të gjithë sepse mbledh së bashku të gjithë Europën e madhe demokratike.
Në fjalën e mbajtur në Forumin ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), Rama theksoi se “kur e mbështeti idenë e Komunitetit Politik Evropian shumë vende nuk ishin në fillim dakord”.
“Menduan se ishte ajo hileja tipike franceze për të ofruar një djathë tjetër, pa të dhënë atë djathin që kërkon. Menduan se në një farë mënyre pas kaq shumë vitesh po dilja si një aset i rekrutuar nga francezët dhe që punoja në emër të presidentit për të sabotuar zgjerimin dhe nxitur idenë e KPE. Ky ishte samiti i 6-të, dhe gjithçka ndryshoi”, tha Rama.
Duke u ndalur te mbajtja e Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian dje në Tiranë, Rama tha se “ishte kënaqësi të shihnim se Azerbajxhani dhe Armenia janë vetëm një hap shumë të vogël larg finalizimit të një marrëveshje historike të paqes”.
“Ka vetëm një gjë që nuk ja dolëm dot të bënim, sepse mëngjesin e një dite më parë, patëm Keir Starmer që erdhi nga Britania për një vizitë dy palëshe, vizita e parë dypalëshe në histori e një kryeministri britanik dhe solli me vete kaq shumë shi, saqë e gjithë dita e djeshme ishte nën retë e politikës britanike. E shihni sot? Kemi diell me mbretin diell këtu, pra mbreti i dytë diell”, tha Rama.
“Kështu që të shohësh gjithë këto gjëra që ndodhin në Tiranë është e jashtëzakonshme”, tha ai.