E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ revokon akreditimin e vëzhguesve të KZAZ-së 27 në Vorë, lejohen vetëm ndërkombëtarët dhe mediet

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot revokimin e akreditimit të vëzhguesve të KZAZ-së nr. 27, bashkia Vorë, qarku Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin e  Shqipërisë të datës 11 maj.

Sipas këtij vendimi, KQZ revokon akreditimin e të gjithë vëzhguesve për KZAZ-në nr. 27, bashkia Vorë, qarku Tiranë të lëshuara për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV, përveç vëzhguesve ndërkombëtarë dhe medieve.

KQZ njoftoi se ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe kundër tij mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda tri ditëve nga shpallja e tij.

Më herët, në Vorë u raportuan përplasje verbale mes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka me një disa votues. /m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›