E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ka interesa politike, ekonomike…”, Toska: PD nuk mund të vijë në pushtet me Berishën kryetar

I ftuar në “Intervista e Ditës” në Fax News, gazetari Almer Toska ka analizuar aktualitetin në vend duke u ndalur në disa çështje.

Duke u ndalur tek situata në kampin opozitar, gazetari tha ndër të tjera, se, Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me Sali Berishën si kryetar.

“Opozita shqiptare ka dy momente. Të gjithë e pranojnë, brenda kampit të Partisë Demokratike se, PD ndodhet në një situate të vështirë. Dhe ky është fakt.

Fakti i dytë është që të gjithë e pranojnë por nuk e thonë që PD me Sali Berishën kryetar nuk vjen dot në pushtet. Edhe ky është fakt se ai është non grata. Të gjithë mundohen dhe vijnë vërdallë për të zgjidhur situatën por asnjë nuk thotë të vërtetën. Askush nuk shkon te e vërteta. Të gjithë përpiqen të japin ide por askush nuk jep atë gjeniale, gjënë e duhur. Që do të thotë Zotëri, nëse nuk arrijmë të vendosim një marrëdhënie politike me SHBA, kjo forcë politike nuk vjen në qeverisje”, tha gazetari.

Sipas Toskës, të gjithë duan që të reformohet, të hapet si parti, por ndërkohë asnjë nuk lëshon rrugë.

“Nuk lëshojnë rrugë. Nuk i japin hapësirë mendimeve ndryshe. Ai takim që bëri Ervin Salianji në Durrës, tha disa të vërteta të mëdha. PD është një minierë ari për individët që ka brenda por thjesht nuk gërrmohet për ti nxjerrë ata në sipërfaqe. Nëse PD do të vijë në pushtet, i ka të gjithë elementët e duhur për të ardhur. Thjesht pengesa është e qëllimshme. Ka interesa politike, ekonomike ka interesa të çdo lloji që duan që PD të jetë në Opozitë”, u shpreh ndër të tjera gazetari Almer Toska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›