Kafshët dolën nga kontrolli
“Këtë Mafia nuk e luftoj dot. U bë tepër e madhe. Kafshët dolën nga kontrolli...” - me këto fjalë të printuara dje në gazetën numër një në botë, Efraim Diveroli përshkruan në telefonatën me Kosta Trebickën atë çka ai mendon për Kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berishën dhe zyrtarët e tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. “Shkon shumë lart, deri tek Kryeministri dhe i biri,..” ishte fjalia paraardhëse në telefonatën e incizuar.. Kush do të dëgjojë dhe të kuptojë, përmendja në këto afera të ndyra përbën një njollë morale që nuk lahet dot me lot krokodili, e as nuk fshihet dot me letra higjienike, për të përdorur termin me të cilin Berisha i referohet “The New York Times”.
Drejt e ka…Gjemb në këmbë nuk i hyn ligjërisht Doktorit që “nuk dinte gjë”, sepse nuk është krim të bësh një sy qorr e një vesh shurdh, është thjeshtë verbëri, shurdhësi, paaftësi dhe mungesë kapaciteti për të punuar, menduar e ndjerë si njeri me përgjegjësi. Të jesh i paaftë, nuk është krim, ashtu sikundër të bësh budallain nuk është budallallëk. Nuk ka ende asnjë provë që të lidhë Kryeministrin që nuk dinte gjë me tregtinë e vdekjes, edhe pse ish-ministri i tij i preferuar, mburrja e deridjeshme e Berishës, tash përfaqëson turpin tonë të përbashkët. Nuk ka fakte zonja e zotërinj, ndaj mos i bini në qafë kot Doktorit, sepse ai nuk dinte asgjë.
Disa muaj më parë, gjatë vitit të shkuar, një gazetar i ri nga Tirana më shkruante për të parë nëse mund të ndihmoja njëfarësoj në zbardhjen e marrëdhënieve mes Qeverise Shqiptare via MEICO, Heinrich Thomet dhe kompanisë AEY në Florida. Informacioni tashmë i bërë publik, asokohe ishte absolutisht konfidencial, për vetë natyrën e rrezikshme të këtij biznesi. I shpjegova mikut tim, që edhe pse punoj për NYT, unë jam në një departament marketingu, jo gazetarie - e megjithatë u interesova dhe mësova se kjo aferë tashmë po hetohej nga gazetarët e NYT. Me kaq e lashë, megjithatë, qysh atëherë miku im në Tiranë më pat nënvizuar detajin që kompania fantazmë Evdin i blinte fishekët me $22 për 1000 copë nga MEICO dhe i shiste tek AEY për dyfish atë çmim.
Nuk ishte e mundur asokohe të përfytyronim atë që ndodhte në Gërdec. As me fantazinë më të shfrenuar nuk do të kishim arritur të imagjinonim sesi kafshët me pozita qeveritare shfrytëzonin punën e vogëlushëve shqiptarë, për të ngritur mbi gjakun e varfanjakeve, mbi lotët e djersen e të miturve kopshtin e tyre zoologjik. Nuk na kishte vajtur mendja - e pranoj tani me keqardhje - që makutëria e këtyre specieve do të arrinte deri aty saqë me neglizhencë kriminale do të shpërdoronin jetën e punën e këtij populli të vuajtur në të tillë mënyrë makabre. Si mundej të imagjinonim, që vetëm pak kilometra nga zyra e “Kryeministrit që nuk di asgjë”, skllevër të mitur çmontonin predha e ripaketonin fishekë? Përderisa as i pari i vendit nuk dinte gjë - ne nga ta dinim?
Deri më sot numri i viktimave arrin 24 frymë, mbi 300 të plagosur, dëmet në miliona dollarë, tymi dhe klithmat e viktimave deri në qiell. Në artikullin e C. J. Chivers kryeministri ynë përmendet me emër e mbiemër.. I njëjti, i cili 11 vjet më parë bëri që shqiptarët të kishin nevojë për “Pajtim Kombëtar”.. Sido që të jetë, njollosja e imazhit të Shqipërisë ka ndodhur prapë. Kryeministri në “New York Times” përmendet si “kafshë e dalë nga kontrolli”, sigurisht, sigurisht gjithmonë në fjalët e incizuara të Diverolit, por prapë se prapë e shkruar e zezë mbi të bardhë, referimi ndaj Qeverisë Shqiptare si “Mafie e madhe shumë…” bën sot xhiron e botës. Mediu, Berisha dhe të tjera “kafshë të dala nga kontrolli”, ngrenë sot vetullat e lexuesve anë e kënd botës. Kurse ne i varim kokat me turp.
Do na pyesin tani... Do duan të dinë ç’mendojmë për punët e ndyra të qeverisë së vendit tonë. E, ca më vjen keq, ca më vjen turp. Por turp duhet t’ju vijë ju o specie të paafta, ashtu sikur na vjen ne turp për ju. Të djathtë a të majtë qofshi, jeni për të ardhur turp. Ju qeveritarë hiena, e opozitarë strucë. Ju gazmorët qesharakë, dështakë, shurdhë-memecë, idiotë me kartela, të papërgjegjshëm, buzëqeshës, demagogë që na shfrytëzoni. Ju nga Atdheu na zbuat me kafshërinë tuaj deri në fund të botës, me çmendurinë tuaj na mbani larg, e mandej me aftësinë tuaj për të prodhuar vdekje, edhe këtu larg na turpëroni.
Ndoshta “ligjërisht” jeni të paprekshëm, të tillë ujq që gjurmët i fshihni mirë. Por mallkimi i këtij populli të shumëvuajtur do ju prekë me siguri. Krateri i shpërthimit të Gërdecit do bëhet varri juaj politik. Shtëllunga e zezë e shpërthimit do të jetë monumenti i paaftësisë së qeverisjeve tuaja. Do të shërbejë ky shpërthim për ta rrëzuar e djegur ngrehinën e kleptomanëve harbutë e servile; do të shënojë fundin e këtij stani politik që injorancën dhe arrogancën e ngriti në nivele katastrofe. Zemërimi i këtij populli të nëpërkëmbur do të bjerë mbi ta si mallkim.
Do të jetë gjaku i civilëve të pafajshëm që do të vulosë fundin e kërmave oportuniste, sahanlëpirësve, të shiturve, të blerëve dhe atyre që si shushunja ua pinë gjakun fëmijëve të Shqipërisë. Turpi i zëntë e i shoftë kriminelët me imunitet! Të majtë, të djathtë apo të qendrës qofshin - u humbtë nishani! Do të shërbejë kjo dhimbje për të shpëtuar përgjithmonë prej kriminelëve me jakat e bardha dhe shpirtrat e sterrosur, të cilët dhimbja shqiptare me siguri do t’i gjejë. E ndoshta, kur të na jeni zhdukur sysh, do gjejnë paqe shpirtrat e atyre viktimave tuaja pa varr, që humben jetën në mynxyrat kronike që keni prodhuar këto 20 vjet, o gangrena të pështira, që e quani veten “burra shteti”, por që nuk jeni as më shumë, as më pak porse, “kafshë të dala nga kontrolli”.
*Autori punon në një nga departamentet e marketingut në “Nju Jork Tajms”, gazeta e cila publikoi dje në përmasa më të gjera skandalin e denoncuar prej ditësh edhe nga shtypi në Tiranë. Botohet me shkurtime. Artikulli i plotë mund të lexohet në forumin online peshkupauje.com